Ai ishte në të njëjtën linjë me ambasadorin amerikan në Tiranë Donald Lu, duke thënë se vendime të tilla të gjykatave dekurajojnë Policinë e Shtetit.
Ministri i Brendshëm tha se ky vendin i gjykatës tregon edhe njëherë tjetër se pse duhet zbatuar ligji i vettingut.
"Unë e kam theksuar disa herë. Ne na lind e domosdoshme që të veprojmë shumë shpejt për të çuar përpara reformën në sistemin e drejtësisë dhe mbi të gjitha verifikimin nëpërmjet vetting-ut të çdo gjyqtari që për fat të keq e ka kthyer në traditë apo në rrugë konstante korruptimin si mjet për të bërë padrejtësinë e radhës. Unë shpresoj që kjo dhe shumë të tjera të shërbejnë si këmbanë alarmi për të gjithë ata që sot mbajnë peng vetting-un, instrumentin që do të pastrojë gjyqësorin nga të gjithë ata që janë majmur në karriget e gjyqësorit nëpërmjet korrupsionit.
Ne po mundohemi të çojmë përpara një axhendë që më shumë se sa integrimin e vendit ka rëndësi themelore për t’i dhënë qytetarëve shqiptarë drejtësinë që meritojnë. Ndaj reforma në drejtësi është mjeti që kanë sot qytetarët në dorë për të pasur drejtësinë që meritojmë të gjithë. Unë do inkurajoja të gjithë ata që besojnë se një sistem drejtësie i pavarur, transparent dhe pa korrupsion është i mundur, t’i bëjnë thirrje deputetit të tyre të zonës dhe veçanërisht deputetëve të opozitës që të lënë mënjanë axhendën politike dhe mbi axhendën partiake, ngushtësisht partiake, të vendosin axhendën e vendit dhe axhendën e qytetarëve, axhendën e Shqipërisë.
Sot reforma në sistemin e drejtësisë është pika e parë, pika e dytë, pika e tretë e axhendës së Shqipërisë. Ndaj na duhet të ecim menjëherë përpara. Është shumë e rëndësishme që qytetarët të perceptojnë dhe të fillojnë të besojnë në pritshmëritë për të pasur drejtësi", tha Tahiri.
Më herët ishte ambasadori i SHBA, Lu, i cili e cilësoi të papranueshëm vendimin e Gjykatës së Durrësit që liroi Lulzim Berishën. Lu tha se të "gjithë duhet të indinjohemi nga ky vendim dhe t'u themi gjykatave të korruptuara se në demokraci kjo është e papranueshme.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com