TIRANË – Nesër luhen dy ndeshje njëkohësisht… një në fushën e blerët dhe tjetra në të gjithë territorin përrreth stadiumit “Elbasan Arena”. Kështu u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri në një deklaratë të posaçme për shtyp ku foli për masat e marrë për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Serbi.

“Policia Kufitare ka marrë masa në çdo pikë kufitare për monitorimin e kalimit të të gjithë shtetasve, veçanërisht të atyre që kanë për qëllim udhëtimi ndjekjen e ndeshjes nesër”, tha ai. 

Tahiri u shpreh se, janë marrë masat maksimale për garantimin e sigurisë për ekipin mik dhe për këtë qëllim një pjesë e repartit RENEA, bashkë me një pjesë të Policisë së Shtetit është e angazhuar eksluzivisht për këtë qëllim.

“Në total, për garantimin e ndeshjes nesër, do jenë të angazhuara mbi 2.300 forca policie, kryesisht në Tiranë dhe Elbasan, ndërkohë që do të jenë të gjitha mjetet dhe infrastruktura në dispozicion”, u shpreh ministri.
 
Tahiri tha se, Policia e Shtetit dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese, janë totalisht të angazhuara dhe gjithashtu është shkëmbyer informacion intensiv me partnerët në rajon dhe BE, si dhe me FSHF, UEFA dhe FIFA, për hartimin dhe monitorimin e listës së personave të cilët kanë precedentë të mëparshëm për akte të dhunshme ose akte huliganizmi gjatë aktiviteteve sportive.

“Kjo listë është në dispozicion të Policisë Kufitare dhe të të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit në terren, për moslejimin e hyrjes në Republikën e Shqipërisë, e në rast se kanë hyrë më parë apo jetojnë këtu, për monitorimin konstant, e në të gjitha rastet, për ndalimin e hyrjes në mjediset e stadiumit “Elbasan Arena” dhe mjediset në afërsi”, tha ministri.

Tahiri nënvizoi më tej se, “e gjithë struktura e FNSH, RENEA dhe Njësia Antiterror është angazhuar në gatishmëri të plotë që nga sot, për të parandaluar çdo kërcënim të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, në mbështetje të strukturave të tjera të Policisë së Shtetit, si dhe në gatishmëri për të ndërhyrë kudo që do të evidentohet një cënim real i rendit dhe sigurisë publike”.