Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës ku ka sqaruar situatën në vend pas ngjarjeve të fundit.
 
Lidhur me ngjarjet e fundit të shpërthimeve me tritol, Tahiri i ka qëndruar të njëjtës linjë si më parë duke thënë se bandat kriminale kanë gjetur tritolin si një mënyrë për të reaguar ndaj goditjeve që ka nisur shteti karshi tyre.
 
“Krimi reagon për luftën tonë ndaj tyre dhe ata gjejnë këtë mënyrë për tu hakmarrë,” – tha Tahiri.
 
Po ashtu Ministri i Brendshëm sqaroi se sot Shqipëria është një vend më i sigurt, dhe kjo sipas ministrit është lehtësisht e vërtetueshme pasi mjafton ti referohesh treguesve që ndonëse tritoli ka sjellë tronditje në publik ata sërish tregojnë për më shumë siguri në vend.
 
Tahiri bëri me dije se qeveria shqiptare ka mbështetjen e plotë të strukturave të FBI-së të cilat po asistojnë në zbardhjen e një sërë çështjesh të rëndësishme kriminale në vend.
 
I pyetur për lidhjet që ka vendi ynë me terrorizmin, Tahiri u shpreh se fenomeni i dërgimit të shqiptarëve në vendet islame ku zhvillohet lufta e terrorizmit ka qenë mjaft i përhapur por strukturat shtetërore kanë marrë masat që ky fenomen të zhdukej dhe vetëm në vitin e fundit është bërë e mundur që të kihet nën kontroll kjo situatë.
 
Përsa i përket luftës ndaj drogës Tahiri tha se vetëm në vitin e shkuar është bërë e mundur që të arrihen rezultate të paimagjinueshme nëse kemi parasysh se disa vite më parë Shqipëria ishte një vend i zhytur në drogë.
“Nëse nuk do të ishin ndërmarrë këto aksione nga qeveria do vazhdonim të ishim në të njëjtën situatë të degradimit të drogës në vend njësoj sikurse kishte ndodhur në kohën e qeverisë së shkuar,”- tha Tahiri.