TIRANË, 3 Mars /ATSH-Z.Tosku/-Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka qenë sot i pranishëm në qytetin e Durrësit, ku nxënës të shkollave të mesme të qytetit, u ftuan të ndiqnin një film që përçon mesazhe sensibilizuese, për zbatimin e rregullave të qarkullimit dhe për të rritur sigurinë rrugore.
Drejtoria e Policisë së Durrësit e mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë të PAMECA IV, projekti ICARO ka vijuar projektin për rritjen e sigurisë në rrugë.
Në aktivitetin ku u shfaq filmi "Rinia europiane", ishin pjesëmarrës Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin, zv/ministrja Elona Gjebrea, Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, Drejtori i Policisë Perlat Çullaj dhe drejtues të tjerë lokalë.
Duke iu drejtuar nxënësve, Tahiri u shpreh se " ky është një nga ato takime ku unë besoj se është shumë e rëndësishme të fillojmë të gjithë, secili nga vetja dhe pastaj kolektivisht, të mendojmë sesi ta bëjmë vendin ku jetojmë shumë më të sigurt".
Ndër të tjera, Tahiri nënvizoi se "nuk beson se ka shembull më të mirë të mungesës së emancipimit, të edukatës dhe të respektimit të rregullave, të respektimit të ligjit sesa rrëmuja dhe kaosi në rrugët e Shqipërisë. Kjo për një gabim kolektiv tonin, duke filluar nga ata që drejtojnë mjetet tek ata që e përdorin rrugën si këmbësorë, apo në mënyra të tjera".
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Punëve të Brendshme tha se "vitin e kaluar Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit nisi një fushatë sensibilizuese për drejtuesit e automjeteve".
Fushata kishte në qendër edukimin e drejtuesit për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor lidhur me çështje që shkaktojnë më së shumti aksident në Shqipëri, siç janë tejkalimi i shpejtësie, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, drejtimi i mjetit pa patentë dhe shumë të tjera që shkaktojnë pasoja fatale për jetën e qytetarëve dhe pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve.
Gitthashtu, Tahiri shtoi se "ne nxisim një projekt të tërë me ndihmën e partnerëve tanë për të edukuar gjeneratën e re të qytetarëve në Shqipëri, që për model reference nuk kanë sjelljen jashtë ligjit, por sjelljen në respekt të ligjit./m.m/












