“Ne kemi bërë përparime në orët e fundit”. Kështu u shpreh zv.presidenti amerikan JD Vance nga Zvicra, ku po zhvillohen bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit.

Vance tha se presidenti Donald Trump i ka ngarkuar përfaqësuesit amerikanë të “hapin një faqe të re”, duke nisur sipas tij një epokë të re në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit iranian.

Sipas zv.presidentit amerikan, Irani ka qenë deri tani një faktor paqëndrueshmërie në rajon, por ky “takim historik” krijon mundësinë për një fazë të re në Lindjen e Mesme.

“Ky është takimi i parë në një nivel kaq të lartë mes drejtuesve tanë. Presidenti na ka kërkuar t’i shtrijmë dorën popullit iranian dhe t’i tregojmë se nëse udhëheqja e tyre është e gatshme të ndalojë promovimin e paqëndrueshmërisë dhe t’i japë fund ambicieve bërthamore, atëherë Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të transformojnë rrënjësisht marrëdhëniet me vendin e tyre”, deklaroi Vance.

Ai theksoi se ky mbetet objektivi i delegacionit amerikan në negociata.

Vance pranoi gjithashtu se bisedimet teknike mund të mos zgjidhin çdo mosmarrëveshje mes palëve, por shtoi se ato do të mundësojnë që për herë të parë palët të ulen në tryezë dhe të diskutojnë drejtpërdrejt.


Lajmi kryesor:

Nisin në Zvicër bisedimet për Iranin, Vance: Kemi bërë progres, hapim një faqe të re! Trump paralajmëron Teheranin: Nëse mbyllni Hormuzin, nuk do të ekzistoni më si shtet