Takimi i panjohur i Enverit dhe Kapos me Paçramin në 30 mars ‘73: Ti Fadil, ke abuzuar me të gjitha kompetencat e Komitetit Partisë

Takimi i panjohur i Enverit dhe Kapos me Paçramin në 30 mars ‘73: Ti Fadil, ke abuzuar me të gjitha kompetencat e Komitetit Partisë

Memorie.al publikon një dokumenta arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), që i përket 30 marsit të vitit 1973, ku ndodhet process-verbali i takimit të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos, me Fadil Paçramin, që asokohe ishte në funksionin e sekretarit të Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës (që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën), takim i cili bëhej me kërkesën e vetë Paçramit, pas akuzave të ashpra që kishte hedhur ndaj tij ‘udhëheqësi kryesor i Partisë’, në fjalën e mbajtur më 15 dhe 16 mars të atij viti në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku ai për herë të parë kritikoi Festivalin e 11 të Këngës në Radio-Televizion, duke hedhur akuza të rënda ndaj Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit, si: “fajtorët dhe përgjegjësit kryesorë, që me veprimet e tyre kishin lejuar dhe përhapur një fryme liberale në art e kulturë”!

“Le të flasim hapur, ti, Fadil, ke vënë në institucione të ndryshme kulturore të kryeqytetit një sërë kuadrosh, të cilët mbajnë qëndrime përbuzëse dhe mospërfillëse ndaj rregullave e disiplinës së Partisë, ndaj forumeve dhe autoritetit të saj. Unë flas mbi bazën e të dhënave të nxjerra nga ato që ke thënë vetë, ti i ke marrë në mbrojtje këta njerëz. Nuk je ti që u ke thënë shokëve të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës: “Çfarë doni ju që shkoni për kontroll në Kinostudio ose në Teatrin e Operës dhe të Baletit? Përse përziheni ju në këto çështje”?! Ti the se këto nuk janë vijë në punën tënde, por pika-pika bëhet vija. Pikërisht këto qëndrime që mban ti, paraqesin rrezikshmëri. Në qoftë se ti i rrumbullakos kështu çështjet, në qoftë se nuk i shpjegon drejt e sinqerisht ato, por flet me ton akademik edhe para meje, që Partia më ka ngarkuar me detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të saj, sigurisht e ke të vështirë të korrigjohesh. Ti e heq veten teoricien dhe mendon se mund të flasësh teorikisht, po mos i rrumbullakos gjërat. Më kanë thënë, gjithashtu, se ti në një mbledhje paske hedhur idera “të mëdha”, në të cilat bie në sy një lëmsh i madh ideologjik”. Kështu i’u drejtua mes të tjerash Enver Hoxha sekretarit të Komitetit të Partisë së Tiranës, Fadil Paçrami, gjatë një takimi me të në datën 30 mars të vitit 1973, ku ishte prezent dhe sekretari I Komitetit Qëndror të PPSH-së Hysni Kapo, (që në rrugë partie mbulonte organet e ‘Diktaturës së Proletariatit’), takim i cili ishte kërkuar nga vetë Paçrami, pas fjalës së Enver Hoxhës mbajtur në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor në datën 7 janar të atij viti, vetëm pak ditë pas Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion si dhe fjalës së mbajtur më 15 dhe 16 mars të po atij viti në mbledhjen e aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, (me temë: “Lufta ndaj qëndrimeve liberale në art e kulturë dhe ndikimi i tyre në jetën e vendit”), ku Enver Hoxha për herë të parë kritikoi Festivalin e 11 -të dhe hodhi akuza të ashpra ndaj Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, duke i bërë ata fajtorë dhe përgjegjës kryesorë për atë festival, etj. Lidhur me këto e të tjera, na njeh ky dokument arkivor ku ndodhet proces-verbali i takimit të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos me Fadil Paçramin të mbajtur më datën 30 mars të vitit 1973, të cilin Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë.

Proçes-verbali i bisedës së Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos me Fadil Paçramin, në 30 mars 1973

SHOKU HYSNI KAPO: Shoku Ramiz Alia foli në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, në muajin korrik, duke bërë atë punë që duhet ta kishe bërë ti. Po ti, që udhëhiqje punën kulturore dhe artistike në Tiranë çfarë bëre?

FADIL PAÇRAMI: Unë kam menduar ta ndihmoj deri në fund Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, megjithëse kjo nuk është puna ime.

SHOKU ENVER HOXHA: Përse nuk është puna jote?

FADIL PAÇRAMI: Sepse nuk e drejtoj unë punën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve.

SHOKU ENVER HOXHA: Kush të ka penguar ta drejtosh?

SHOKU HYSNI KAPO: Ti Fadil, si sekretar i Komitetit të Partisë të Rrethit të Tiranës, mendoj se duhet të ndikoje që organizata-bazë e Partisë të luante një rol më të madh në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve.

SHOKU ENVER HOXHA: Kjo është një nga çështjet kryesore. Organizata e Partisë atje ka një rol të madh. Ju keni përgjegjësi për punën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, të Radio-Televizionit etj., sepse organizatat-bazë të Partisë, që drejtohen nga Komiteti i Partisë, e kanë për detyrë të udhëheqin tërë aktivitetin e këtyre institucioneve. Mirëpo Todi Lubonja, e ka eliminuar fare punën e organizatës-bazë të Partisë në Radio-Televizion, kështu ka bërë edhe Koço Vasili në Teatrin e Operës dhe të Baletit. Si thoni ju nuk duhet t’i shikojë Komiteti i Partisë këto shfaqje të rrezikshme? Vetë komunistët e këtyre organizatave janë ngritur e kanë thënë: Asnjeri nuk na ka pyetur ne për mbarëvajtjen e punës! Po Todi Lubonja, përse e solli Mihallaq Luarasin nga Korça në Tiranë dhe e vuri në punë në Radio-Televizion, pa ditur fare organizata-bazë e Partisë? E di që ju keni përgjegjësi për shokun Klimi, i cili u trajtua shumë keq dhe, për këtë shkak, kaloi një krizë të rëndë në zemër? Me çfarë të drejte u rrëzua vendimi i arsyeshëm i organizatës-bazë për shokun Klimi?

SHOKU HYSNI KAPO: Çështja e shokut Klimi u shtrua në muajin prill të vitit të kaluar dhe u vendos që të transferohej në Ndërmarrjen e Botimit të Librit Politik. Ky veprim ishte jashtë rregullave të Partisë. Kur u shtrua çështja në organizatën-bazë, komunistët bënë autokritikë për gabimin e bërë. Edhe sekretari i organizatës, i cili veproi siç i kishte thënë Todi Lubonja, bëri autokritikë dhe organizata vendosi të mos e aprovonte vendimin e transferimit të tij. Fadili, siç e ka zakon, nuk u flet komunistëve si shokë, por me arrogancë, gjë për të cilën është kritikuar. Ai u bën pyetje të tilla komunistëve të vjetër: Kush je ti?! — Unë jam komunist, — i është përgjigjur njëri, dhe e ka pyetur Fadilin: — Po ti kush je? Të tilla qëndrime mban Fadili dhe, kur i vihen në dukje, nuk pranon asgjë.

SHOKU ENVER HOXHA: Duke mos pranuar gabimet, tregon se je mendjemadh. Arroganca është mendjemadhësi. Mendjemadhësia është një ves i rrezikshëm me pasoja të rënda, sidomos për punën e komunistëve dhe të kuadrove.

SHOKU HYSNI KAPO: Unë, shoku Enver, mendoja se Fadili do të fliste ndryshe para jush. Kur erdhi tek unë, foli 15 minuta, kishte po këtë defter dhe po këto faqe që lexon këtu, lexonte edhe atje. Këto fjalë që tha këtu, m’i tha edhe mua në takimin që pata me të, prandaj e këshillova, duke i thënë: “Përpiqu ta kuptosh drejt fjalën e shokut Enver. Në plenum të thellohesh e të bësh autokritikë”, por Fadili edhe në plenumin e Komitetit të Partisë të Rrethit të Tiranës, tha të njëjtat gjëra. Atje i bënë 15 a 20 pyetje dhe mund të them se, plenumi nuk u kënaq nga përgjigjet e tij. Nga diskutimet që u bënë, Fadili dëgjoi shumë gjëra për liberalizmin e tij, për politikën e gabuar me kuadrin, për zbatimin jo në frymën e duhur të normave të Partisë, për arrogancën e tij, etj. Ky më në fund, tha: “Do t’i kem parasysh këto kritika që m’u bënë dhe do të thellohem në to”. Pastaj u ngrita e fola edhe unë.

SHOKU ENVER HOXHA: I pranove këto kritika në plenum?

FADIL PAÇRAMI: Unë thashë se këto kritika do të më ndihmojnë, se midis tyre ka gjëra që do t’i pranoj, po ka edhe të tjera që nuk do t’i pranoj. Këtu te ju erdha për të biseduar lidhur me kritikën që më bëtë në mbledhjen e komunistëve të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ti mund të kesh ardhur për kritikën që të bëra unë, por duhet ta dish se ajo kritikë është e mbështetur në fakte të nxjerra nga veprimtaria jote, ndryshe unë nuk kishte arsye përse të të kritikoja. Kritika ime në adresën tënde mund të jetë e fortë, po ajo është e bazuar në shumë gabime e të meta që të kanë dalë në organizatat-bazë të Partisë, që të janë drejtuar nga shumë shokë. Më pas mund të dalin edhe gabime e të meta të tjera, por nga të gjithë ata që do të diskutojnë, do të ketë prej tyre që nuk do të bëjnë fjalë vetëm për ty, pse do të flasin edhe për veten e tyre. Për këto arsye ne vendosëm të mos e kufizojmë diskutimin vetëm në fushën e letërsisë dhe të arteve, por ta shtrijmë atë në të gjitha fushat e aktivitetit të Partisë. Këto probleme dhe shfaqje janë shumë serioze, prandaj në qoftë se nuk shikohen me kujdesin më të madh, atëherë gabimi do të bëhet më i rëndë. Nga qëndrimi që mban secili në këtë situatë shikohet nëse është apo nuk është me Partinë. Liberalizmi ka depërtuar në disa drejtime dhe është bërë jashtëzakonisht i rrezikshëm, prandaj shfaqjet e kësaj natyre duhet t’i zhdukim. Nga shfaqjet e liberalizmit, ç’është e vërteta u rëndua një çikë Partia, por zemra e saj është e gjerë dhe puna që bën ajo ka synime të gjithanshme. Në qoftë se në këtë luftë do të mbahen pozita të tilla si: “Thashë kështu e jo ashtu”, atëherë vendi ynë dhe socializmi do të jenë në situata të vështira. Ndaj bartësve më të theksuar të këtyre shfaqjeve Partia do të marrë edhe masa si, bie fjala, Todi Lubonja mund të dërgohet me ndonjë punë në një rreth tjetër, por çështja është që këto të meta të zhduken në masë nga ndërgjegjja e atyre njerëzve që i kanë. Me qëndrime të padrejta, që mohojnë gjendjen e vërtetë të gjërave, nuk ndreqen dobësitë. Unë dëshiroj që ty të të ndreqim në rrugë partie dhe kisha besim se do të thelloheshe më mirë në analizën e punës tënde, por ti akoma nuk e ke bërë këtë, megjithëkëtë, përsëri kam shpresë tek ti, duke të gjykuar si një komunist të vjetër. Gabimet që ke bërë duhet t’i shikosh, t’i analizosh mirë dhe t’i shpjegosh me pjekuri, me rrënjë e jo në mënyrë të përgjithshme e të sipërfaqshme, duke u shkuar gjërave anash dhe duke fshehur këmbët. Po të analizohen përciptas gabimet e tua, nuk do të mbetesh i kënaqur as ti, as Partia. Ti, nga tërë ato që të thuhen, pranon vetëm dy-tri raste, po nuk thellohesh në mënyrë serioze, përse i bëre qoftë edhe ato që vetë i pranon. Ky qëndrim meriton të shikohet me kujdes. Për ty, Fadil, ka pasur ankime, të cilat shokut Manush (Myftiu) i’a ka thënë shoku Hysni, prandaj, kur të tha Manushi, ti duhet të vije e të pyesje: Çfarë ankesash ka ndaj meje? Këtë duhej ta kishe bërë, ashtu siç kërkove për të ardhur tek unë. Menjëherë sa të tha shoku Manush, të vije e të bisedoje këtu, sepse kjo bisedë do të qe një ndihmë e mirë për ty. Ty të pengon gjendja shpirtërore për t’i parë të vërtetat siç janë. Ti ke gjykuar pak a shumë kështu: Me kritikën që më bëhet, nuk jam dakord, unë jam i pastër, prandaj s’ka arsye të vete të pyes se çfarë vërejtjesh kanë shokët për punën time. Po të kenë gjë me mua, atëherë le të më thërresin ata. Që të takohet komunisti me ne, kjo është shumë e mirë, bile kur ai e gjykon me vend, kërkon vetë të piqet me shokët e udhëheqjes së Partisë, lëre pastaj, kur i thonë se të kërkon Enveri apo ndonjë shok tjetër, që ai vjen menjëherë. Ti, edhe sikur të ishe me të vërtetë i bindur se nuk kishe bërë gabime, prapëseprapë nuk duhet të udhëhiqeshe nga ai koncept i gabuar, sipas të cilit ti, “në qoftë se të tjerët kanë qarje për mua, po të duan le të më thërresin”. Ky qëndrim nuk është drejtë. Gabimet që ke bërë nuk janë një, dy apo katër, por më shumë, prandaj i analizo me kujdes në ndërgjegjen tënde. Kritika që të bëra unë në mbledhjen e komunistëve të aparatit të Komitetit Qendror, nuk mund të thuash se ishte e papritur, mbasi më parë ke pasur sinjalizime dhe këshillime, por i ke nënvlerësuar, sepse në të gjitha bisedat që ke bërë me shokun Ramiz e me shokun Hysni, sipas mendimit tim, ke mbajtur qëndrim prej mendjemadhi. Ke pasur ti shfaqje të mendjemadhësisë në marrëdhëniet e punës me shokun Manush?

FADIL PAÇRAMI: Unë mendoj se jo.

SHOKU ENVER HOXHA: Kurse unë mendoj se po. Shoku Manush është korrekt dhe i afrueshëm me njerëzit, por mirësjelljen e tij ti e ke kuptuar sikur të gjitha kompetencat e Komitetit të Partisë të Tiranës, ai t’i kishte kaluar ty për zbatim. Ti ke abuzuar në korrektesën e tij, duke krijuar mendimin e gabuar sikur vetëm ti ishe kompetent për ato punë, prandaj edhe ke kujtuar se ato që bëje ti ishin të drejta e të padiskutueshme! Mos harro se shumë punë i ke bërë pa Manushin. Kur ai të jepte pesë porosi, ti plotësoje vetëm njërën prej tyre. Kur të thoshte Manushi çfarë bën kështu ky apo ai, ti nuk mbaje qëndrimin e duhur ndaj tyre, por ishe i predispozuar t’i përkrahje dhe t’i mbroje ata. Këta elementë, duke i pasur krahët të ngrohtë nga ana jote, i përsëritnin dhe i shtonin vazhdimisht gabimet. Shoku Ramiz të ka udhëzuar kurdoherë drejt për shumë probleme, edhe për unitetin, por ti kishe hedhur farën e disunitetit e të përçarjes në rrethet letrare. Mendime të ndryshme mund të ketë, se pa mendime dhe kritika nuk mund të ecet. Shoku Ramiz të ka porositur që të luftohen mendimet e gabuara, të lihen mënjanë subjektivizmat e të tjera. Partia në rreth dhe organizatat-bazë të saj duhet të merren vazhdimisht me zbatimin e porosive dhe detyrave që u takojnë.

SHOKU HYSNI KAPO: Ti u kritikove në plenumin e Komitetit të Partisë të Rrethit se nuk e ke ndjekur rolin e organizatave-bazë të Partisë dhe nuk je vënë në krye të kësaj çështjeje. Unë nuk e di se me çfarë përshtypjesh dole ti nga plenumi, por mendoj se punimet e tij janë zhvilluar me të vërtetë në frymë partie, aty ka pasur kritika të rrepta, por ato kanë qenë të drejta dhe shoqërore, pa synime të këqija ambicioze. Nuk është e drejtë të thuash: “Nuk kam çfarë të bëj unë për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, pasi nuk jam drejtues i saj”, sepse ti e di që, si kudo, edhe atje drejton organizata-bazë e Partisë.

SHOKU ENVER HOXHA: Pse ndodhën këto gabime në organizatën-bazë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve pikërisht në të njëjtën kohë që vërtetohen edhe lëshimet e tua edhe të Ibrahim Uruçit? Kemi të drejtë ta bëjmë këtë pyetje? Duhet të njohim përse u bënë këto gabime, ndryshe, siç thashë, nuk kemi si t’i korrigjojmë. Skema që ke përgatitur ti për analizën e gabimeve është shumë e thatë. Ti nuk pranon gabimet e rënda dhe nuk përcakton shkaqet e tyre. Mua, personalisht, nuk më jepet asgjë me këtë skemë që paraqet ti, prandaj, kur të diskutohen këto probleme në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë, të këshilloj t’u bësh një analizë të thellë e të drejtë. Ti ke punuar vetë në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe duhet t’i kuptosh mirë këto që po të këshillojmë. Me qëndrimin tënd autokritik shpresojmë që në Plenum ti do të ndihmosh veten dhe do të bindësh shokët se i ke kuptuar gabimet, ndryshe ata do të të bëjnë pyetje. Po përse të detyrohen ata të të pyesin kur do të jetë më mirë që ti t’i thuash të tëra vetë. Me kaq takimin e mbyllim./Memorie.al

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh