Megjithë përpjekjen e Sali Berishës për ta quajtur një kafe normale takimin e Ervin Salianjit me më të votuarit e listave të hapura, ujërat në selinë blu janë trazuar. Në pritje të një takimi të radhës, Ilir Alimehmeti, një nga figurat më të rëndësishme që u bë pjesë e takimit të demokratëve më të votuar, thotë se kjo mbledhje vjen për shkak të mungesë së hapësirave në parti për të shprehur alternativën e rimëkëmbjes së PD-së.
“Takimet tona janë të përditshme, jo vetëm një, janë shumë më tepër. Nuk ishte takim forumesh zyrtare, mbahet në një ambient neutral, një prej ambienteve kryesore të qendrës së Tiranës, rreth 100 metra nga selia. Ishin ftuar njerëz të votuar. Besoj se demokracia është nga poshtë lart, nga njerëzit e drejtë, përfaqësimi pastaj me organet që ata duan të krijojnë ose nga ata që duan të përfaqësohen, ishin ftuar njerëzit më të votuar në të gjithë qarqet, duke mos pasur deputetë. Deputetët i kanë hapësirat e veta, ky grup nuk kishte një hapësirë ku të fliste e komunikonte, për situatën e zgjedhjeve, situatën pas zgjedhore, për të folur për çfarë dhe si mund PD të forcohet dhe të kthehet në një alternativë qeverisëse. Është një takim mes anëtarësh të PD për të mirën e PD dhe nuk kishte nevojë për komentime të llojeve të ndryshme, mbledhje normale, problematikat vumë re se janë të njëjta në të gjitha qarqet. Në mungesë të mbledhjes së Këshillit, me një anëtar të kryesisë Salinajit, i çohet fjala mbledhjes së kryesisë me disa prej propozimeve. Ndoshta prej urisë së madhe, pritshmërive të mëdha, u krijua kjo bujë. Nuk bëhet fjalë për fraksione, apo përçarje, por se si demokrat duhet të rregullojnë shtëpinë e tyre dhe të ngrejë kokën për tu kthyer në alternativë qeverisëse”, tha Ilir Alimehmeti.
Në një intervistë për emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, Alihmehmeti tha për gazetarin Nertil Agalliu se është e domosdoshme që këta individë të bëhen pjesë e analizës zyrtare që PD thotë se ka nisur, por pa një plan të qartë.
“Ne kërkojmë të mblidhet struktura drejtuese, të ftohen kandidatët që kanë qenë në garë, për analizën zyrtare. Janë kandidatët më të votuar, kanë njohuri të gjera të terrenit. Nëse këta nuk janë të pranishëm në grupi e punës, i bie që janë të pranishëm njerëz që në terren s’kanë qenë, a ekziston mundësia që faktet të mos jenë siç duhet në analizën zgjedhore, ekziston. Prandaj duhej të ftoheshin zyrtarisht, kanë kaluar 6 muaj nga zgjedhjet. Problematikat e ngritura a marrin zgjidhje, çohen në organet përkatëse, a ka pasur PD riorganizimin që pritej pas analizës zgjedhore? Raporti i ODIHR ka dalë, nga ky moment e mbrapa a ka pasur lëvizje? Jo”, thekson Alimehmeti.
Alimehmeti thekson se nevojitet riorganizim në Partinë Demokratike, në çdo lloj niveli, deri tek posti i kryetarit. Sipas tij, kjo mungesë riorganizimi ka çuar edhe tek protestat e vakëta para kryeministrisë, duke shprehur kritika se nuk pati pjesëmarrje edhe në kushtet kur qeveria po përballet me situatë si ajo e Belinda Ballukut.
“Nevojitet riorganizim, mungesa e riorganizimit çoi në protesta shumë të vakëta. Situata e Ballukut është për të vënë duart në kokë, a ka kauzë më të fortë opozite për të pasur protesta të forta e të qëndrueshme. Kauza e PD është e drejtë, por ka të bëjë me organizimin dhe përfaqësim, PD çalon në këtë aspekt. Çfarë zgjidhim është pyetja, çfarë u diskutua dhe a merr zgjidhje në kohë ajo çfarë po diskutojmë”, tha Alimehmeti.
PD tashmë i ka nisur disa takime në bazë, por më shumë sesa analizë, po bën disa shpjegime sesi raporti i OSBE ODIHR i dha të drejtë pretendimeve të saj. Paralel me këtë zhvillime, zërat që kërkojnë analizë të plotë, shoqëruar me reflektim të lidershipit blu, po shtohen.
Ilir Alimemehmeti u pyet në Report Tv nëse do të garonte përballë Sali Berishës për drejtimin e Partisë Demokratike. Alimehmeti tha për gazetarin Nertil Agalliu se , PD ka mundësi të korrë suksese të mëdha por duhet riorganizim i lojtarëve në fushën politike.
“Ka këtu procese, hallka procesesh, çdo demokrat mundet të kandidojë, nuk ka asnjë lloj diskutimi, por hallka procesesh. Flitet edhe në nivel grupi, prandaj këto struktura duhen mbledhur, më nivel grupi në flasim për çdo lojtar në pozicionin e vet nëpër fushë. Pozicionet e drejta, se s’mund të marrësh mesfushorin ta fusësh në portë, portierin ta çosh në sulm dhe të pretendosh që skuadra të luftojë. Me një riorganizim të lojtarëve në fushën politike, PD ka mundësi të korrë suksese të mëdha, por është e nevojshme të vendosë lojtarët në pozicionet e duhura dhe jo të mohojë vlerat e tyre. Jo të themi që ky mesfushori nuk vlen si mesfushor dhe ta çojmë në portë. Këtë po kërkojmë ne, të mblidhen strukturat drejtuese me këtë objekt. E ardhmja është hapja e garave, nëse strukturat nuk mblidhen ku diskutohen këto, i bie që jemi kthyer në parti memece”, theksoi ai.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ilir Alimehmeti i ftuar në Report Tv foli për takimin e tij me Ervin Salianjin dhe më të votuarit në parti. Alimehmeti thotë se ky takim vjen pasi organet e PD-së nuk mblidhen për të diskutuar dhe kritikon se prej 9 muajsh nuk është zhvilluar asnjë mbledhje e Këshillit Kombëtar.
Në pranverë, Alimehmeti thotë se do të zhvillohen zgjedhje brenda PD pasi mbarojnë mandatet. Ai thotë se është e rëndësishme që PD të organizojë zgjedhje transparente sepse vetëm kështu mund të marrë mbështetje nga qytetarët. Për Alimehmetin e Rëndësishme është që të riorganizohet partia në çdo nivel, deri tek kryetari.
“Këshilli Kombëtar nuk thirret, u bë 9 muaj që nuk thirret. S’jemi thirrur në rrugë institucionale. Rruga institucionale nis nga lart poshtë, ne kishim sisa kërkesa e propozime që do çohen në kryesinë e PD në mbledhjen e parë që ajo do të bëjë. Nevojitet riorganizim i plotë, dhe për këtë ju e dini që gjatë muajve në vijim ne kemi mbarimin e të gjithë mandateve tona, në pranverë. Do ketë zgjedhje brenda në parti, këtu kërkojmë një garë të hapur e të drejtë, që të garohet për çdo pozicion të mundshëm nga fillimi deri në fund, nga i pari tek i fundit, në çdo lloj niveli të hierarkisë partiake. Ka dyshime të mëdha që kjo arrihet dhe nuk funksionon siç duhet, i kemi diskutuar në media, keni parë procesin e primareve, diskutimet që janë bërë aty brenda, por është e nevojshme që PD të japë shembull që organizohen zgjedhje transparente brenda vetes, sepse ashtu njerëzit më pas të të besojnë, e të mbështesin në numra të tillë që të jesh alternativë qeverisje. E rëndësishme të kthehet ndershmëria në garat e brendshme, nëse nuk kthehet, ajo e keqja të gjëmon me vite dhe vetëm trashet e zmadhohet dhe kthehet në problem të pagëlltishëm. Pastaj kthehemi në një situatë si kjo, të kesh një qeveri të kalbur e të korruptuar dhe të mos kesh hapësira për të bërë reagime të forta opozita. Kjo vjen si rrjedhojë e këtyre lloj zgjedhjeve jo transparente, jo aty ku ka dashur votuesi dhe kur njeriu e kupton që votimi s’ka vlerë, se pastaj rregullohet nga disa mjeshtra lart, ftohet, zbehet, largohet nuk të mbështet me. Dua që PD të garojë e fortë përballë PS dhe të kthehet në garë fitues dhe jo të diskutojmë vetëm analizë humbje. Mund të bëjmë dhe analizë fitoreje, ka zona që janë fituar në zgjedhjet e 11 majit. Do kjo edhe një analizë, do të kuptohet se çfarë u arrit këtu. Po nuk i ftove këta njerëz në grup pune, për të kuptuar se si kjo u arrit, atëherë nuk e bën dot”, tha Alimehmeti.
Komente












