Takimi i ‘sikletshëm’ virtual i Putinit dhe biznesmenëve italianë, mes tensioneve të perëndimit

Takimi i ‘sikletshëm’ virtual i Putinit dhe biznesmenëve italianë, mes tensioneve të perëndimit

Presidenti rus Vladimir Putin kryeson një takim me biznesmenë italianë

Presidenti rus Vladimir Putin u takua përmes një video konference me drejtues biznesi nga kompanitë kryesore italiane të mërkurën, pavarësisht tensioneve midis Moskës dhe Perëndimit për Ukrainën dhe NATO-n.

Takimi që zgjati mbi dy orë ishte një ‘siklet’ i rëndë për qeverinë në Romë, duke ardhur në një moment kur fuqitë perëndimore kanë kërcënuar me sanksione kundër Rusisë në rast të një sulmi ndaj Ukrainës.

Presidenti rus tha se Moska e sheh Italinë si një nga partnerët kryesorë ekonomikë, në vendin e tretë midis vendeve të BE-së për sa i përket vëllimit të tregtisë. Ndër firmat e ftuara ishin gjigantët e energjisë Eni dhe Enel, prodhuesi i gomave Pirelli, disa banka dhe kompania e sigurimeve Generali. Qeveria e Mario Draghit thuhet se i ka bërë thirrje Eni dhe Enel, firma në të cilat shteti italian ka aksione, të tërhiqen nga takimi. Asnjë zyrtar qeveritar nuk ishte aty.

Eni vendosi të mos marrë pjesë, tha një zëdhënës i kompanisë për AFP. Por në rastin e Enel ankesa ra në ‘vesh të shurdhër’. Të pranishëm ishin edhe Generali dhe Pirelli, të cilët organizuan aktivitetin.

Shefat e bizneseve, të cilët ishin në Romë dhe Milano, thuhet se ishin të detyruar të linin celularët e tyre jashtë ndërsa zhvillohej takimi me videolink. Putin i tha audiencës së tij se Rusia ishte "një furnizues i besueshëm i burimeve të energjisë për konsumatorët italianë". Çmimet e gazit janë rritur këtë dimër dhe Rusia dyshohet se ka përfituar nga tensioni i tregut për të ulur dërgesat dhe për të rritur çmimet.

Presidenti i Dhomës së Tregtisë italo-ruse, Vincenzo Trani, vuri në dukje se kishte "disa vështirësi dhe faktorë sfidues të jashtëm në vitet e fundit midis Rusisë dhe Italisë". Por ai tha se të dy kombet "ishin gjithmonë në gjendje t'i kapërcenin ato përmes dialogut".

Marrëdhëniet ekonomike të Rusisë dhe Italisë

Bashkimi Evropian, anëtar i të cilit është Italia, vendosi një sërë sanksionesh ndaj Rusisë në vitin 2014, si përgjigje ndaj aneksimit të gadishullit të Krimesë të Ukrainës. Ekonomia italiane ka një deficit kronik tregtar me Rusinë. Në vitin 2019, përpara se të godiste pandemia, importet ruse në Itali ishin me vlerë 14.3 miliardë euro, pothuajse dyfishi i vlerës së eksporteve italiane në Rusi që arrinin në 7.9 miliardë euro, sipas shifrave të qeverisë italiane.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Nga 'tkurrja' e kërkesave të opozitës te hetimet e SPAK, ndiqni sonte në 21.00 Frontline në Report Tv

Nga 'tkurrja' e kërkesave të opozitës te hetimet e SPAK, ndiqni sonte në 21.00 Frontline në Report Tv