Takimi i udhëheqësve të NATO-s në Uashington, çfarë duhet të dini

Takimi i udhëheqësve të NATO-s në Uashington, çfarë duhet të dini

Udhëheqësit e NATO-s do të mblidhen këtë javë në Uashington, në një takim të nivelit të lartë për të shënuar 75 vjetorin e themelimit të aleancës ushtarake, e cila nuk ka qenë kurrë më parë kaq e madhe e me ambicie kaq të mëdha. Takimi vjen njëherësh edhe mes kërcënimesh ekzistenciale nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm ndaj aleancës.

Sikur të mos mjaftonte lufta në Ukrainë, rreziqet që shtrohen për shkak të Kinës përherë e më agresive dhe konflikti mes Izraelit dhe Hamasit, angazhimi i disa anëtarëve kyç të NATO-s për të mbrojtur aleatët, po vihet në pikypyetje.

Po ashtu ka pasiguri të thellë mbi mundësitë që Presidenti Joe Biden ka për të fituar në nëntor ndaj paraardhësin e tij Donald Trump-it, i njohur për skepticizmin e tij ndaj NATO-s, si dhe për të drejtuar për katër vitet e ardhshme vendin më të fuqishëm të aleancës.

Ndërsa problemet politike të zotit Biden po nxisin shqetësim brenda dhe jashtë vendit, shtetet evropiane po përballet me problemet e tyre, me rritjen e së djathtës së skajshme, sidomos në Francë e Hungari, duke kërcënuar ato që cilësohen si shtylla të pas Luftës së Dytë Botërore, siguria dhe qëndrueshmëria.

Ja çfarë duhet të dini për takimin tre ditor të nivelit të lartë:

Sytë e opinionit publik mbi Presidentin Biden

I tronditur nga paraqitja e tij e dobët në debatin presidencial të 27 qershorit dhe ndërsa po has vështirësi që të vazhdojë të gëzojë përkrahje të plotë për të vijuar garën presidenciale, zoti Biden thotë se opinioni duhet të vëzhgojnë paraqitjen e tij gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s, për të vërtetuar se ai është ende i fortë dhe energjik për të udhëhequr.

Diplomatë dhe analistë thonë se do të ndjekin atë me kujdes, edhe pse udhëheqësit e NATO-s nuk kanë kontroll mbi zgjedhjet amerikane dhe nuk ka gjasa të mbajnë qëndrime publike lidhur me to.

"Rezultati i zgjedhjeve të nëntorit ka jashtëzakonisht rëndësi për NATO-n dhe pothuajse të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive të aleancës e dinë këtë, edhe në rast se nuk pranojnë të flasin publikisht mbi zgjedhjet", tha Jeff Rathke, president i Institutit Amerikano-Gjerman në Universitetin Johns Hopkins.

Mundësia që Donald Trumpi të kthehet në krye të Shtëpisë së Bardhë ka nxitur alarm tek shumë drejtues në Evropë, që druhen se ai mund të tkurrë angazhimin amerikan ndaj NATO-s ose Ukrainës, ose t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara plotësisht nga këto angazhime. “Homologët e zotit Biden në NATO nuk bëjnë dot asgjë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, kështu që ata ndodhen në një pozitë të pakëndshme për të vëzhguar një proces, i cili është jetik për aleancën, por mbi të cilin nuk kanë kontroll”, tha zoti Rathke.

Zoti Biden, i cili i njeh vetes meritat për forcimin e NATO-s dhe rezistencën ndaj Presidentit rus Vladimir Putin, tha se besimi dhe aftësitë e tij do të mund të dalin në pah.

Por ai do të jetë nën një trysni të jashtëzakonshme për të shuar shqetësimet në rritje se ai nuk është në nivelin e detyrës, as si udhëheqës ‘de facto’ i NATO-s dhe as si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të vendit anëtar më të rëndësishëm të aleancës.

“Fakti që nuk mund të parashikohet dot se çfarë mund të bëjë zoti Trump dhe sa shpejt mund të veprojë ai pasi të ketë marrë detyrën nëse fiton zgjedhjet, krijon shumë tension tek njerëzit”, tha zoti Rathke. “Do të ishte një tronditje e konsiderueshme për NATO-n nëse ai do të fitonte”, shtoi ai.

Vëmendja tek Biden, por jo vetëm tek ai…

Edhe pse vëmendja kryesore do të jetë tek Joe Biden-i, 31 krerët e tjerë të vendeve anëtare kanë gjithashtu rolin e tyre në vendimarrjen e NATO-s. Takimi i nivelit të lartë do të shënojë paraqitjen e parë në skenën botërore të kryeministrit të ri britanik Keir Starmer, vetëm disa ditë pas fitores së thellë në zgjedhjet parlamentare. Edhe pse zoti Starmer ka sinjalizuar se do të vazhdojë të ofrojë përkrahje të fortë si për NATO-n ashtu edhe për Ukrainën, fitoret që shënuan partitë e ekstremit të djathtë, si dhe grupet e krahut të majtë që kundërshtojnë mbështetjen perëndimore për luftën e Izraelit në Gazë, mund të dobësojnë ndikimin e Londrës.

Një tjetër shqetësim është situata e trazuar në Francë, ku qeveria e presidentit Emmanuel Macron po përballet me pasiguri politike pasi një koalicion i së majtës u bashkua për mposhtur të djathtën e skajshme në rritje në zgjedhjet parlamentare, por dështoi të siguronte shumicën në Asamblenë Kombëtare.

Partia e së djathës së skajshme, e cila është skeptike ndaj NATO-s, shtoi ndjeshëm numrin e vendeve në parlament.

Janë po ashtu edhe Hungaria dhe Turqia, dy anëtarët e fundit të NATO-s që bënë rezistencë për të pranuar dy anëtarët më të rinj të aleancës, Finlandën dhe Suedinë. Viktor Orban i Hungarisë nxiti shqetësim për shkak të vizitës së tij në Rusi javën e kaluar për bisedime me Presidentin Putin dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan vazhdon të ketë marrëdhënie të mira me Kremlinin.

E ardhmja e NATO-s

Në shumë drejtime, aleanca nuk është dukur kurrë më e fortë se tani. Që kur Rusia nisi agresionin ndaj Ukrainës, NATO-s iu bashkuan dy vende të tjera, duke e çuar numrin e vendeve anëtare në 32.

Po ashtu, vendet baltike, Polonia dhe Republika Ceke, që ndodhen afër kufirit me Rusinë, kanë shtuar përkrahjen ndaj Ukrainës dhe Organizatës. Por NATO-ja është e brishtë. Vendimet e saj duhet të merren me konsensus të njëzëshëm dhe trazirat politike tek vendet anëtare krijojnë pengesa. Udhëheqësit e NATO-s pritet të konfirmojnë edhe një herë politikën e tyre të "dyerve të hapura", se çdo vend që përmbush kërkesat është i mirëpritur të anëtarësohet. Por Ukraina nuk do ta marrë këtë javë ftesën për të cilën shpreson shumë. “Në këndvështrime të ndryshme, ky takim ndodh në periudhën më të mirë, por edhe më të keqe njëkohësisht. Në periudhën më të mirë, sepse aleanca e ka të qartë rolin e saj dhe në periudhën më të keqe, për shkak të luftës në Ukrainë, sfidave me të cilat përballen vendet europiane për të rritur shpenzimet për mbrojten dhe shqetësimit mbi qëndrueshmërinë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara”, tha Max Bergmann, drejtor i programit për Evropën, Rusinë dhe Euroazinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Shpenzimet për mbrojtjen kanë përbërë një nga ankesat më të mëdha të zotit Trump rreth NATO-s dhe ai ka sugjeruar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbrojnë vendet që nuk e plotësojnë objektivin, për të cilin është rënë dakord. Angazhimi është që këto vende duhet të shpenzojnë së paku dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen.

Zyrtarë të NATO-s kanë mbështetur fort shtimin e ndjeshëm të vendeve që plotësojnë këtë detyrim, numri i të cilëve ka arritur në 23. Të tjera vende pritet të shprehen gjatë takimit në Uashington se po e përmbushin këtë standard.

Vazhdimi i përkrahjes për Ukrainën

Gjatë viteve të fundit shumë vende të NATO-s kanë nëshkruar marrëveshje dy palëshe sigurie me Ukrainën për të furnizuar Kievin në terma aftagjatë, me ndihmën që i nevojitet për t’u mbrojtur nga Rusia dhe për të parandaluar sulme të tjera në të ardhmen.

Rusia ka shënuar fitore në fushë-betejë ndërsa Kongresi bllokoi për disa muaj ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën, duke shkaktuar vonesa në furnizime.

Por synimi i Ukrainës është që të anëtarësohet në NATO, me qëllim që të jetë nën ‘ombrellën’ e sigurisë së NATO-s, sipas Nenit 5 (mbrojtjes kolektive), që detyron të gjithë vendet anëtare që ta mbrojnë atë në rast sulmi. Ndërsa konflikti vazhdon, anëtarësimi nuk ka të ngjarë të ndodhë. Megjithatë, aleatët pritet që t’i paraqesin Ukrainës një plan të ri, një “urë” drejt anëtarësimit, e cila do të përcaktojë hapat e ardhshëm.

Në të njëjtën kohë, vendet e NATO-s pritet të zotohen për më shumë mbështetje ushtarake dhe ekonomike. Deri tani Ukrainës i janë dërguar ndihma prej miliarda dollarësh dhe sipas zyrtarëve të tjera ndihma pritet të dërgohen.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të premten se kontributi prej rreth 43 miliardë dollarësh në vit duhet të jetë baza për të vazhduar përpara.

Kina si çështje në takimin e NATO-s

Aleatët e NATO-s janë gjithashtu të përqendruar tek kërcënimet që paraqet Kina, duke përfshirë fushatat e vazhdueshme të dezinformimit që synojnë të nxisin dyshime tek sistemet demokratike. Po ashtu, vendet e NATO-s kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin se shitja nga Kina e disa pajisjeve dhe teknologjisë i ka dhënë mundësi Moskës të rindërtojë bazën industriale të mbrojtjes, për të vazhduar luftën ndaj Ukrainës.

Për të tretin vit radhazi, udhëheqës ose zyrtarë të lartë nga Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja e Jugut do të marrin pjesë në takimin e NATO-s për të diskutuar se si të reagojnë ndaj kërcënimeve kineze në Detin e Kinës Jugore dhe më gjerë./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës