Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimi Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Në një postim në Twitter, shkruan se sigurimi i stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm, ndaj do të vijojë puna për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Diskutim i mirë me kryeministrin Albin Kurti për hapat e ardhshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Sigurimi i stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor është edhe më i rëndësishëm në kontekstin aktual gjeopolitik. Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, shkroi Borell.
Për bisedën mes tyre ka njoftuar edhe Zyra e Kryeministrit duke sqaruar se folën për procesin e dialogut, mbarëvajtjen e tij, për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes që normalizimi i marrëdhënieve të arrihet me njohjen reciproke.
Kryeministri Kurti u shpreh se paqja dhe siguria në njërën anë dhe sundimi i ligjit dhe demokracia në anën tjetër shkojnë bashkë kudo në Kosovë.