Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me drejtuesit e inspektoriateve të vendit me në krye ish-deputetin e PD-së Dashnor Sula. Rama foli për nevojën e një sistemi të ri përsa i përket funskionimit të inspektoriateve dhe një drejtimi të duhur.

Rama iu drejtua Sulës duke i kujtuar dhe të thënat në parlament kur ishte pjesë e PD-së, me qëllimin për t’i adresuar.

“I uroj punë të mbarë kryeinspektorit. Është një moment i rëndësishëm i kësaj reforme sepse pasi kemi kapërcyer fazën e parë që pati shumë nevojë për parapërgatitje për të studiuar modelet dhe për të krijuar një lloj bindjeje tek të gjithë se ishte një domosdoshmëri të kapërcehej skema organizative e të shkuarës, tani do të kalojmë në fazën e zbatimit të thelluar të reformës. Do të shoqërohet me fillimin e punës për të ndërtuar kompleksin e ri të inspektoriateve që do të krijojë kushte optimale për të mbledhur të gjithë inspektoriatet.

Një gjë është e sigurt, deri tani ne nuk mund të themi se me inspektimin kemi bërë progresin e nevojshëm. Mbetet një problem në gjithë mekanizmin e funksionimit të shtetit, në organizim, në mendësi dhe në hendekun midis shërbimit dhe pengimit të atyre që duhet të shërbehen. Në vend që të shërbehen, të abuzohen. Unë gjithmonë kam besuar se sistemi dhe përmirësimi është përgjigjja. Mund të ndërrojmë të gjithë njerëzit, po qe se sistemi nuk është i strukturuar si duhet dhe po qe se drejtimi nuk është i duhuri, përsëri biem në të njëjtat situata.

Vjen nga një karrierë politike, por më parë ka qenë një protagonist në sistemin e drejtësisë. Ka gjithë formimin e nevojshëm për të ndjekur këtë punë, pasi formimi juridik është i rëndësishëm. Ka dhe sfidën që të gjitha ato që ka thënë në parlament t’i adresojë”, tha ndër të tjera Rama.


Lajmi kryesor:

Takimi me inspektorët/ Rama ‘sfidë’ Dash Sulës: Të shohim tani si do bësh detyrën! Ish-deputeti i PD: Ju vlerësoj për vizionin, atë që më dhe ti, s’ma dha partia ime