Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përfunduar sot takimin me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Në qendër të takimit ishin bashkëpunimi dypalësh dhe zhvillimet e fundit në rajon.

Në një postim në 'Facebook', Hardinaj bën me dije se Merkel i ka thënë po heqjes së vizave.

“...Me këtë rast e falenderova Kancelaren Merkel për konsistencën e shtetit gjerman sa i përket mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe për vendimin e Gjermanisë për t’i thënë PO heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës të cilët, ndonëse i përkasin popullit më proeuropian, gjatë kohë janë mbajtur të izoluar”. Nga kancelarja Merkel mora konfirmimin se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar!”-shkruan Haradinaj.

Ndërkaq, sipas mediave kosovare, Haradinaj pas takimit me Merkel ka deklaruar, se taksa për produktet serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi dhe Kosova është e interesuar seriozisht për vazhdimin e dialogut me Serbinë me qëllim të njohjes reciproke në kufijtë ekzistues.

Ai ka thënë gjithashtu, se në takim nuk është kërkuar heqja e taksës.

“Taksa nuk hiqet dhe Kosova e meriton lëvizjen e lirë dhe perspektivën evropiane. Kosova është pjesë e agjendës së vendimmarrëse të BE-së. Po ashtu interesat e Kosovës sot janë në një nivel më të mirë se sa ishin para këtij takimi”, tha Haradinaj.