Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se një takim mes anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe kundërshtarëve të tij politikë në vend gjatë vizite në Beograd ishte "më qesharaku në botë".
Vuçiq theksoi për TV Prva se i vjen “shumë keq që njerëzit tanë u kushtuan kaq shumë vëmendje atyre që erdhën”.
Ai i quajti eurodeputetët njerëz “krejtësisht të parëndësishëm”. “Ata nuk dëgjojnë çfarë u thotë opozita. [Opozita] ua tregon atyre të gjitha gjërat më të këqija për Serbinë”, tha Vuçiq.
Ai gjithashtu e quajti të “pacipë” kërkesën e opozitës drejtuar delegacionit të Parlamentit Evropian për vendosur sanksione ndaj anëtarëve të partisë në pushtet në Serbi.
Delegacioni nga Parlamenti Evropian e vizitoi Beogradin nga 22 deri më 24 janar.
Delegacioni, i udhëhequr nga eurodeputetja portugeze Marta Temido, nuk u prit nga Vuçiq, e as nga kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, të cilët ndodheshin jashtë vendit.
Më herët, si Vuçiq ashtu edhe Bërnabiq kishin thënë se nuk donin të takoheshin me eurodeputetët, duke pretenduar se as nuk ishin njoftuar dhe as nuk ishin pyetur për mbërritjen e tyre, gjë që Parlamenti Evropian e mohoi.
Delegacioni prej pesë anëtarësh pati takime me përfaqësues të Qeverisë, një pjese të opozitës, medias, sektorit civil dhe komunitetit akademik.
Përfaqësuesit e opozitës proevropiane i kërkuan delegacionit të ridrejtojë fondet nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor te organizatat e shoqërisë civile dhe mediat që kontribuojnë në ruajtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ata gjithashtu kërkuan sanksione të personalizuara për njerëz nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe të tjerë.
Delegacioni evropian ishte në Serbi tre muaj pasi një Rezolutë u paraqit në Parlamentin Evropian, e cila diskuton polarizimin dhe rritjen e shtypjes në Serbi një vit pas shembjes së çatisë në Novi Sad, që la 16 të vdekur.
Pas vizitës së tyre në Beograd, eurodeputetët do t'ia paraqesin një raport një komisioni në Parlamentin Evropian./REL
Komente



