Midis disa prioriteteve kombëtare të programit aktual qeverisës, por edhe të qeverive të dekadës së fundit dy kanë mbetur të përhershme: nxitja e zhvillimi i turizmit “patriotik” me burim qytetarët e Kosovës, si dhe përgjegjësia e shtetit për tu ardhur në ndihmë me projekte e investime zonave më të varfëra të vendit. Duken projekte të mëdha, ka konsensus politik midis të majtës dhe të djathtës, por si në cdo pikë tjetër, edhe këtu ka diferencë midis deklarimeve dhe akteve konkrete ekzekutive.

Referuar të dhënave të INSTAT, por edhe të Bankës Botërore dhe PNUD qarku i Kukësit vijon të jetë më i varfri në Shqipëri. Procesi i migrimit të brendshëm dhe emigrimit të jashtëm, situate e konfliktit deri më 2000 në Kosovë, si dhe kurba e zhvillimit ekonomik drejt bregdetit natyrisht që kanë pasur ndikimet e tyre në rënien e qyteteve dhe zonave të periferisë. Kukësi është një shembull tipik.

Dikur një qytet me rëndësi në zonën verilindore dhe me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, i rrethuar nga miniera fitimprurëse dhe disa njësi prodhimi, sot vijon të jetë një zonë e braktisur dhe që mbijeton vetëm falë prurjeve minimale ekonomike. Në vendin e minierave kanë mbetur vetëm disa themele të prishura që dëshmojnë ekzistencën e tyre të dikurshme. Asgjë tjetër. 

Gjatë mandatit të parë të qeverisë së djathtë nisi udhë projekti i disa qeverive më përpara për ndërtimin e Rrugës së Kombit, rrugës Durrës – Morinë. Synimi i saj ishte i trefishtë: të lidhë Shqipërinë me Kosovën, t’i ofrojë prespektivë zhvillimit ekonomik të zonës verilindore, si dhe të rrisë kapacitetet e turizmit me prurje nga shtetet fqinje në drejtimin verilindor dhe lindor.

Projekti u paraqit si interes madhor kombëtar, rruga u bë, dhe Kosova e vijoi në anën tjetër atë deri në Prishtinë. Debati mbi financimin e projektit (tërësisht me paratë publike) krijoi dilema të mëdha dhe disa procese gjyqësore u adresuan zyrtarëve përgjegjës, por asnjë individ nuk u gjykua në gjykatë. Referuar edhe prioritetit të dytë, turizmit, prurjet nga Kosova vijojnë të jenë pjesa kryesore e burimeve turistike. Cdo qeveri numëron në vjeshtë ardhjet nga Kosova dhe i konsideron ato si suksese me rëndësi në fushën e turizmit.

Pikërisht kur prioritetet dhe produkti do duhej të analizoheshin për të gjetur mekanizma të tjerë zgjerimi të përfitimeve dhe politikave ekzekutive vjen propozimi i Ministrit të Transportit për vendosjen e një takes të re për qytetarët më të varfër të Shqipërisë dhe njëherësh për qytetarët e Kosovës. Shumë shpejt, sipas ministrit, cdo kalim në rrugën Durrës – Kukës (pjesa e autostradës së re) do taksohet 5 euro.

E thënë me fjalë të thjeshta, nëse një shtetas nga Kukësi do të duhet të vijë në Tiranë do të duhet të pagujë 10 euro taksë. E njëjta vlen për të gjitha zonat e tjera që preken direkt ose indirekt nga rruga e Kombit. Edhe për banorët e Kosovës vlen e njëjta gjë.

Ministria thotë se vendimi është praktikë normale e cdo vendi dhe se lidhet me nevojën e mirëmbajtjes së rrugës. Në fakt, rruga është ndërtuar me paratë publike (jo me konsension), pra është paguar të paktën një herë nga qytetarët. Taksa e re ngarkon dy herë qytetarët për të paguar. Praktika e vendeve të tjera është e ndryshme dhe se nëse krahasohen edhe cmimet (rasti i Maqedonisë) janë shumë më simbolike dhe më komplekse sesa kuota e kërkuar në rastin shqiptar.

Taksa e rrugës krijon disa probleme njëherësh. E para, penalizon më të vërfërit dhe koncepti i taksimit të varfërisë është koncept në thelb antikushtetues dhe diskrimunues. E dyta, vendimi është pyramidal, pa konsulta me vetë komunitetet qytetare apo përfaqësuesit e tyre të zgjedhur vendor. E treta, ministria vendos normë pagese në një vlerë monetare që nuk njihet nga ligji shqiptar në raportet qytetar-shtet, sistemin euro, kur pagesat shtetërore janë në lekun shqiptar. 

E katërta, vetë emertimi Rrugë e Kombit kërkon një dialog dhe marrëveshje edhe me qeverinë e Kosovës, e prekur direkt nga taksa penalizuese për qytetarët e saj. E pesta, ndërhyrja të tilla ekzekutive kërkojnë dakordësinë e disa institucioneve, përfshirë edhe ministrinë që mbulon turizmin, - një nga burimet kryesore të buxhetit shtetëror. E gjashta, taksa e rrugës nuk ka qenë premtim electoral, pra është taksë shtesë, është prishje e kontratës së politikës me shtetasin votues.

E shtata, qeveria nuk ka ofruar informacion publik e transparent mbi projektin e saj mbi koncensionin e rrugës, përfitimet, pritshmëritë, pasojat dhe ndikimet e saj. E teta, qeveria nuk ka një projekt alternativ komunikimi për qytetarët, nëse ata nuk janë në gjendje të paguajnë taksën e rrugës, duke i detyruar ata de facto të bëhen pagues të detyrueshëm.

E nënta, deklarata se të interesuar janë vetëm kompani kineze, krijon dualizëm në prioritetet e premtuara për investime perëndimore në Shqipëri dhe garancitë që duhet të pasojnë ato. E fundit, masa të tilla kërkojnë ndërhyrje të organit më të lartë përfaqësues, parlamentit, gjë që ende nuk ka ndodhur dhe nuk është paralajmëruar të ndodhë.

Të gjitha këto arsye dhe të tjerë argumente krijojnë dyshime nëse masa e propozuar ka në thelb racionalitetin, është pjesë e një projekti klientelist, ka përputhje me prioritetet publike qeverisëse dhe nëse ekzekutivi ka një projekt B daljeje nëse qytetarët e prekur nga taksa e re do të reagojnë, dicka që me siguri duhet dhe do të ndodhë. Në secilin rast, praktika e fundit nxjerr edhe njëherë në pah dobësinë administrative të politikës, paaftësinë e saj për të artikuluar ide dhe nisma ligjore vetëm pasi janë konsumuar të gjithë elementët e konsultimit dhe transparencës publike, - parakushte të një demokracie funksionale dhe modeli të qeverisjes së mirë.

Edhe në këtë rast ministri propozues mund të institojë në idenë e tij, kolegët në qeveri mund ta mbështesin nga nevoja emergjente për para në buxhet, kosto politike e dy ose tre bashkive që preken mund të mos cilësohet me rëndësi në rezultatet e ardhshme lokale, protestat zonale mund të mbyllen me forma të ndryshme ndërmjetësimi, por në fund, nëse projekti i taksës realizohet, do të ndeshemi në pasoja direkte për gjysmën e banorëve të republikës dhe kombit, familjet, ekonominë, hapësirën dhe të drejtat e tyre kushtetuese.

Dicka që nuk premton se do jetë zgjidhje afatgjatë, dicka që sic jemi mësuar, më shumë se normë demokratike mbart në vetvete dyshimin për arrogancë, interesa, shpërfillje dhe mungesë vizioni, maturie e përgjegjësie.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)