Ngritja e një kadastre fiskale gjithëpërfshirëse dhe me elementë të detajuar për çdo pasuri të paluajtshme në vend në funksion të një taksimi të drejtë të pronës është menduar që të shtrihet në dy faza. Marrëveshja që qeveria shqiptare ka lidhur me Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA) e cila hyri në fuqi në datë 9 korrik zbardh edhe mënyrën sesi është konceptuar procesi për projektin ProTax Albania që deri në fund të vitit 2020 pritet të ketë gati kadastrën me të dhënat e plota.
Sipas kësaj marrëveshje faza e parë konsiston në përdorimin e të dhënave të vetëdeklarimit të pronës nga një regjistrim i gjerë i kryer nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) si bazë për vlerësimin e taksave. Faza e dytë do të konsistojë në integrimin e regjistrave të ndryshëm të pronës në Kadastrën Fiskale.
Aktualisht faza e parë nuk ka për synim rritjen e të ardhurave por plotësimin e bazës së parë të të dhënave. “Gjatë kësaj faze është specifikuar një zgjidhje afatgjatë për taksën e pronës bazuar në vlerën e tregut, p.sh. është hartuar një kuadër i ri legjislativ dhe janë hartuar proceset dhe metodat e reja të biznesit. Prioriteti është cilësia dhe plotësia e regjistrave dhe jo rritja e të ardhurave nga taksa e pronës” thuhet në marrëveshjen e qeverisë dhe palës suedeze.
Të ndara sipas fokusit që ka ndërtimi i kadastrës janë katër periudha që vlerësohen në projekt. Periudha e parë prill-qershor 2018 është pjesa e konceptimit pra :staf i punësuar, zyra dhe pajisje të siguruara, kuadri ligjor aktual i vlerësuar dhe rregullore kalimtare të draftuara, regjistri i OSHEE është migruar dhe mjedisi i zhvillimit të IT është krijuar.
Periudha e dytë që përfshin gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018 ka në bazë “specifikimet” që do të thotë zbatim të taksës së pronës mbi ndërtesat bazuar në vlerat sipas zonave fiskale, taksimi i parë bazuar tek të dhënat e OSHEE, fatura e taksës së pasurisë hartuar dhe paraqitur në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, taksapaguesit në bashkitë e vendit janë në dijeni të zbatimit të taksës së pasurisë sipas vlerës së zonës fiskale, versioni i parë i sistemeve IT për taksën e pronës është shpërndarë dhe është trajtuar stafi nëpër bashki.
Periudha e tretë është gjithë viti 2019 që përkufizohet nga “zbatimi” ku detyrat kryesore janë : ligji mbi taksën e pasurisë është aprovuar në parlament, taksapaguesit janë në dijeni se do të zbatohet taksa mbi ndërtesat bazuar në vlerën e tregut sipas zonave për të gjitha bashkitë, versioni I dytë I sistemit IT për taksën e pronës sëbashku me funksionalitetin e CAMA(Vlerësim masiv me kompjuter) është shpërndarë, stafi i gjithë bashkive është trajtuar.
Periudha e katërt dhe finale përfshin vitin 2020 dhe ka si element kyç “kalimin” që do të thotë marrjen në dorëzim të projektit. Në këtë fazë të gjithë taksapaguesit janë në dijeni mbi detyrimet individuale për taksën dhe mbi bazën përkatëse. Taksapaguesit janë në dijeni të shërbimit online në dispozicion. Procesi i regjistrimit, vlerësimit dhe mbledhjes së taksave ka kaluar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Mirëmbajtja dhe operimi I IT ka kaluar tek shitësit privatë dhe është draftuar propozimi i projektit për taksën e tokës.
Projekti do të ketë bashkëpunim të ngushtë me institucione si Qendra Kombëtare e Biznesit, Agjencia e Legalizimeve, Agjencia për të dhënat gjeohapsinore, si dhe Banka e Shqipërisë. Kjo e fundit do të ndihmojë për të bërë vlerat e vlerësuara të pronave të vlefshme si bazë për hipotekat./Monitor