Taksa për Serbinë, Thaçi: Mallrat po futen kontrabandë, s'duhet të dalim kundër SHBA-së, të hiqet

Presidenti i Kosovës u shpreh se taksa për mallrat serbe duhet të rishikohet për t'u hequr për dy arsye, e para sepse mallrat serbe pavarësisht masës së vendosur po futen kontrabandë dhe e dyta se Kosova nuk mund të dalë kundër këshillës së Amerikës.

Kryeministri Haradinaj është shprehur se nuk e heq taksën 100% kundrejt produkteve serbe dhe boshnjake. Në qoftë se nuk e heq, ikën qeveria?
Pushtetet janë të ndara. Presidenti ka punën e vet, Kuvendi ka të vetën, ashtu si edhe qeveria ka punën e vet. Puna e taksës është një çështje që e ka vendosur qeveria me propozimin e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës me 10% dhe pastaj është avancuar në 100% nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili e ka propozuar, nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe që është institucionalizuar nga qeveria e Kosovës. Tani u takon që ta zhvillojnë debatin vetë, brenda në qeveri, por një gjë mund të them se Serbia e ka merituar një vendim të tillë, në veçanti pas veprimeve agresive që ka bërë në raport me diplomacinë e Kosovës dhe të drejtën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol dhe në UNESKO, por edhe në përpjekje për mosnjohjen e Kosovës nga vende të caktuara në botë.

Por duhet pasur parasysh se tani kaluam një kohë dhe unë besoj gjithashtu se do të ketë një debat të brendshëm mes partnerëve të koalicionit dhe, me të gjithë ata që kam diskutuar, shohim se ajo taksë ka pasur efektin e vet. Me të gjithë partnerët që kam diskutuar shoh një vullnet për të lëvizur përpara, t’i hapet një mundësi dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Nuk pajtohem në asnjë rrethanë që Serbia të kushtëzojë dialogun. Gjithashtu edhe Kosova nuk duhet ta vështirësojë këtë proces, sepse, pavarësisht se taksa tani është në fuqi, mallrat serbe janë duke hyrë në Kosovë qoftë përmes kontrabandës në veri, që tani është fuqizuar, dhe për këtë duhet të jemi realistë dhe kemi diskutuar me intitucionet e Kosovës, por mallrat serbe po futen edhe përmes Malit të Zi, përmes Shqipërisë dhe në veçanti përmes Maqedonisë. Prandaj mallrat serbe janë prezente në Kosovë. Është e vërtetë që po funksionon taksa, por ato po futen përmes shteteve të tjera.

A nuk do të ishte më mirë që të luftohet kontrabanda sesa të hiqet taksa?
Për fat të keq, pas taksës kemi edhe dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave në veri dhe tani atje nuk ekziston një kontroll i institucioneve të Republikës së Kosovës, me përjashtim të dy policëve dhe të dy doganierëve kosovarë. Tani duhet të shikohet se cila do të jetë përparësia e Kosovës dhe jo e individit, në mënyrë që të ndalet kontrabanda sepse tani, nuk ka pasur për një kohë të gjatë, por i ka hapur rrugë kontrabandës, sikurse i ka hapur rrugë ardhjes apo sjelljes së produkteve serbe në mënyrë të njëjtë, por nga vendet e ndryshme, në veçanti nga Maqedonia, e theksoj, por edhe nga Mali i zi e nga Shqipëria. Kështu që dyqanet kosovare janë të mbushura me mallra serbe, të ardhura nga drejtime të ndryshme. Por çështja e taksës nuk është e ndërlidhur drejtpërdrejt me Serbinë. Tani kemi këshillat dhe rekomandimet e SHBA-ve që të ketë një pezullim të përkohshëm dhe mendoj se ngurtësia e treguar në këtë çështje, mund të ketë pasoja jo të mira për vendin tonë, për shoqërinë tonë dhe në veçanti për institucionet e Kosovës.

Askush nuk e ka menduar se Kosova do të mund të kontestonte këshillën e SHBA-ve, duke u nisur nga Presidenti Tramp, nga Sekretari Pompeu dhe nga Departamenti i Mbrojtjes, të cilët i kanë dërguar letër Kosovës që ta respektojë këshillën e tyre, ta pezullojë taksën për një periudhë të shkurtër kohore, t’i hapë rrugë dialogut dhe të arrihet mundësisht marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi. Tani, për fat të keq, kemi veprimet e para të SHBA-ve në kuptimin e masave ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe ndaj Policisë së Kosovës, ndaj Doganave, me ekspertizën e tyre që kanë dhe në këtë drejtim ne duhet të shikojmë se cili është interesi ynë. Nuk duhet që për shkak të armiqësisë me Serbinë të cenojmë raportet strategjike me SHBA-të. Pra, për asnjë taksë nuk duhet të cenojmë miqësinë e përjetshme me SHBA-të, në një formë apo një formë tjetë. Ne të gjithë duhet ta kuptojmë se SHBA-të janë hisedarë në lirinë dhe në pavarësinë e Kosovës. Ato kanë luftuar për lirinë e Kosovës, për çlirimin e Kosovës. Janë sot prezent në Kosovë. Kanë investuar dhe shpenzuar me miliarda e miliarda, kanë qendrën ushtarake në Kosovë, më të fuqishmen në rajon. Kështu që këto këshilla, mendoj që duhet të merren seriozisht. E theksova se as partnerë e miqtë tanë, as armiqtë tanë nuk e kanë menduar që do të vinte një ditë kur Kosova do t’i thoshte “jo” këshillës së SHBA-ve.


Lajmi kryesor:

Thaçi: Nëse nuk kalon marrëveshja me Serbinë jap dorëheqjen, gati të shkoj në Hagë


/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor