TIRANË- Pa u qetësuar ende zhurma e protestës së shoferëve të furgonëve 8+1, drejtuesit e autobusëve dhe taksive 4+1 paralajmërojnë se do të dalin në protestë për të detyruar qeverinë, që të mos tërhiqet nga rruga e nisur.

Federata e Sindikatave të Transporteve, ku bëjnë pjesë drejtuesit e taksive dhe të autobusëve, mbështet reformën e njoftuar nga qeveria në sektorin e transporteve, duke paralajmëruar se nëse nuk zbatohet ligji ekzistues, atëherë edhe ata me mjetet e tyre do të paralizojnë transportin në rang kombëtar.

“I bëjmë thirrje qeverisë të mos tërhiqet nga presioni për operatorët e paligjshëm dhe të mbështetur politikisht. Nëse qeveria do të tërhiqet nga zbatimi i ligjit dhe reformimit  të transportit të udhëtarëve, ne ju bëjmë me dije se do të bllokojmë të gjitha akset rrugore në të ardhmen dhe me 5600 autobusët që disponojmë me këtë transport do të paralizojmë gjithë lëvizjen e udhëtarëve në të gjithë vendin”, paralajmëroi Gëzim Bardhi, kryetari i Shoqatës së Taksive. 

Aktualisht transporti ndërurban në vend është në kaos, si pasojë e heqjes nga funksionimi të furgonëve taksi 8+1 të cilët gjatë këtyre kohëve kanë punuar duke u bërë konkurrencë të pandershme autobusëve. Shoqata e Transportit Ndërqytetas kërkon nga qeveria vetëm që të garantojë zbatueshmërinë e ligjit në sektorin e transportit publik.

Redaksia online
(e.sh/shqiptarja.com)