FMN u njoh me gropën e buxhetit. Deloitte&Touche nxorri shifrën e borxhit të frikshëm: 750 milionë dollarë të akumuluar në vite. Mbaroi viti i buxhetit Berisha-Bode. Tani sytë e të gjithëve, jashtë e brenda, janë fokusuar tek veprimet që do të ndërmarrë qeveria e re me të hyrë janari. Buxheti u miratua sipas politikave të shpallura që më parë, efektshmëria e të cilave do të duket gradualisht, por kërkesa e shqiptarëve është maksimale.

Ata presin të realizohen sa më shumë nga kërkesat e tyre ndaj politikës, për çka rrëzuan nga froni mazhorancën e mëparshme. Njëkohësisht, kërkojmë rend, arsim modern, shëndetësi efikase, punësim, likuidim të detyrimeve nga shteti dhe integrim. Të huajt kërkojnë dukshëm goditjen e korrupsionit në nivele të larta, andej nga buron.

Të gjitha këto natyrisht nuk mund të bëhen menjëherë, por qeveria Rama dhe mazhoranca parlamentare nuk kanë më hapësirë për tolerancë dhe justifikime, ndërkoëhë që, siç kanë pohuar vetë, situata në vend është skandaloze, varka fut ujë nga të katër anët. Tanimë, do të kenë në dispozicion një buxhet, që e kanë përcaktuar vetë, ndërkohë që shteti nuk vuan as për ligje dhe as për institucione. Duhet t’u tregojnë shqiptarëve dhe të huajve se janë në gjendje t’i shfrytëzojnë burimet njerëzore e financiare shumë më mirë se qeveria dhe mazhoranca e mëparshme. Besimi është i madh, por edhe vend për pritje nuk ka. Nga vendosmëria e realizimit të gjithshkaje që është premtuar, varet fati i vendit.


 Shkrimi u publikua sot (29.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)