TAP, Tungland: Kujdes me
projektin, s'ka një herë të dytë

TIRANE- Ndërtimi i gazsjellësit TAP i cili nëse miratohet nga një konsorcium investitorësh, do të kalojë nga Shqipëria, Greqia e Italia duke sjellë gazin nga fushat e Azerbajxhanit për në Perëndim mblodhi sot në një konferencë të përbashkët përfaqësues i TransAdriatic Pipeline, TAP, qeverisë shqiptare por dhe të Bashkimit Europian.

Në konferencën “për Zhvillimin e Tregut të Gazit në Shqipëri” u vu theksi tek rëndësia e këtij projekti si një mundësi zhvillimi dhe investimi i madh për Shqipërinë. Nga ana e tij Kjetil Tungland, drejtor administrativ i gazsjellësit TAP, i cili ndodhej në konferencë, duke nënvizuar rëndësinë e këtij projekti gjigand tërhoqi vëmendjen për kujdes që çdo gjë të jetë në vendin e duhur, pasi për këtë projekt nuk mund të ketë një herë të dytë.

“200 km nga ky gazsjellës do jenë në Shqipëri, 60 km në seksionin shqiptar të detit Adriatik. TAP kalon në Shqipëri, Greqi, më tej në Itali do të jetë zmadhimi i rrjetit ekzistues. Projekti që kap 40 miliardë dollarë amerikanë përfshinë 6 shtete. Për këtë projekt nuk ka një herë të dytë, prandaj duhet të shihen rrisqet që në fillim, dhe cdo hallkë duhet të jetë në vendin e duhur. Kjo është një mundësi e madhe për Shqipërinë”- nënvizoi Kjetil Tungland duke vënë theksin në të mirat që do të përfitojë Shqipëria nëpërmjet këtij projekti, me thithjen e investime të huaja direkte, punësim dhe zhvillim i zonave rurale .”TAP mendon të investojë në infrastrukturën rrugore në terrene malore e kodrinore”- tha Tungland.
tugland
(foto: Kjetil Tungland, drejtor administrativ i gazsjellësit TAP në konferencën e sotme ne Tirane)

BE MBËSHTET SHQIPËRINË NË KËTË PROJEKT
Edhe ambasadori i BE-së vlerësoi si një investim i madh për Shqipërinë, ku vendi nuk duhet të jetë vetëm një vend pritës por dhe aktiv.
“Tap është një projekt i madh dhe shpresojmë të ketë suksese të shpejta. Komisioni Europian ka bërë çka është e mundur për ta rritur këtë pjesë nga ana e vet dhe promovuesit duhet të jenë të njohur dhe të jenë të ndërgjegjshëm për atë që vjen dhe zhvillimi e transformimi do të vijnë hap pas hapi. Do të donim të shihnim që gazi i Azerbajxhanit të kalojë nga Shqipëria drejt italisë dhe shteteve te Adriatikut dhe e inkurajojmë zhvillimin e këtyre lidhjeve. Nëse TAP do ndërtohet Shqipëria do ketë investime të mëdha. Duhet të jetë më shumë se një vend pritës por aktiv në zhvillimin e infraskturës në këtë pjesë të Europës. TAP duhet të integrohet dhe të bëjë investime në Shqipëri. Ne e inkurarojmë Shqipërinë për këtë projekt”- tha Ettore Sequi.
Duke përmendur fjalët e Komisionerit për Energjinë, Sequi tha se, "së fundmi komisioni është gati të mbështesë TAP-in dhe projektin e zhvilluar për të përmirësuar rrjetin në Europën Juglindore . Do ta bëjmë këtë nëpërmjet fokusit dhe legjislacionit, në vendet me mbështetje rregullatore të madhe dhe nëpërmjet infrastrukturës"- tha Sequi.

BERISHA E HAXHINASTO: PROJEKTI I RENDESISHEM

Kryeministri Berisha vlerësoi si mjaft të rëndësishëm projektin. “Për Shqipërinë TAP përbën kryeprojektin në procesin e industrializimit. Do bëjmë gjithçka për realizimin e projektit të gazsjellësit TAP. Është projekti më i madh dhe më me perspektivë në fushën e energjisë në filllimet e këtij shekulli”- tha Berisha.
Ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto tha se “gazifikimi i Shqipërisë është produkti më i rëndësishëm dhe mbetet objektiv i rëndësishëm dhe madhor”

PROJEKTI TAP NE SHQIPERI

Qeveria shqiptare miratoi më 26 shtator marrëveshjen trelaterale me Greqinë e Italinë për kalimin e gazsjellësit TAP në territorin e saj. Ndërkohë që më 28 shtator në Nju Jork u nënshkrua marrëveshja mes Shqipërisë, Italisë e Greqisë.
Në Shqipëri gazsjellësi do të kalojë përmes zonave bujqësore, terreneve malore dhe kodrinore për të cilat TAP tashmë ka bërë vlerësimin e ndikimeve të mundshme dhe në vartësi ka modifikuar rrugëkalimin dhe projektimin. Drejtues të Entit Rregullator thonë se paraprakisht është menduar që në Fier të ndërtohet një stacion tjetër kompresorësh, përfshirë edhe matësit fiskalë etj. Pjesa në vijim prej 4 km kalon përmes zonës fushore drejt Adriatikut dhe më tej në Itali. Realizimi i këtij objektivi mund ta kthejë Fierin në rajonin më të rëndësishëm në vend dhe jo pa qëllim, duke pasur parasysh zonat naftëmbajtëse aty dhe burimet e vogla të gazit.
Tregu kryesor i gazit që do të transportohet prej këtij tubacioni është ai italian, megjithatë në aplikim është shprehur interes dhe vëmendje ndaj krijimit të mundësive për furnizim me gaz të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Projekti ka një kosto të vlerësuar prej 3,7 miliardë eurosh, për pjesën e Shqipërisë, kurse punimet për ndërtimin e tij parashikohen të fillojnë në vitin 2014 në mënyrë që tubacioni të jetë gati për shfrytëzim në 2017-n, i cili është edhe viti i fillimit të prodhimit të fazës së dytë të vendburimit Shah Deniz 2. Tubacioni është projektuar në mënyrë të tillë që kapaciteti i tij transportues të mund të zgjerohet nga 10 deri në 20 miliardë metër kub gaz në vit.

(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve