Tapitë dhe legalizimet, si po
“formalizohen” 80% e shqiptarëve

Tapitë dhe legalizimet, si po<br />“formalizohen” 80% e shqiptarëve
Efekti financiar i tre proceseve në zbatim nga qeveria është prej mbi 10 miliardë euro.

Për 25 vjet, shumica dërrmuese e shqiptarëve mbeten pronarë vetëm në letra t ë banesës apo të tokës së tyre, çka ka bërë të pamundur shfrytëzimin e pronës së paluajtshme si një kapital ekonomik.

Apartamente, shtëpi, dyqane dhe toka që nuk mund të shiten, as të blihen dhe as të jepen me qera, është bilanci i politikave të gabuara dhe shpesh herë në kundërshtim me njëra-tjetrën, që shteti shqiptar ka ndjekur në lidhje me pronën për më shumë se dy dekada.

Megjithatë, tre procese aktualisht në zbatim, legalizimet e banesave informale, shpërndarja e tapive për apartamentet e blera me kontrata të rregullta dhe njohja e tokës bujqësore po injektojnë në ekonominë kombëtare mbi 10 miliardë euro kapital.

Hipoteka, formalizohen 600 milionë euro

I fundit, për nga kronologjia është vendimi vendimi i qeverisë, për të njohur hipotekat për 30 mijë familje. Efekti i këtij vendimi pritet të jetë rreth 600 milionë euro.

Nga ky vendim i publikuar në 11 janar përfitojnë rreth 100 mijë shtetas, që kanë blerë apartamente në 1 320 pallate të pahipotekuara, nga të cilët 700 pallate që ndodhen në Tiranë.

Në bazë të ligjit aktual, këta pronarë e kanë pasur të pamundur të shfrytëzonin pronën e blerë, pasi ndërtuesit e pallateve kishin shkelur kriteret e ndërtimit, duke hedhur më shumë kate apo duke dalë nga perimetri i aprovuar prej bashkive.

Ky paradoks ligjor, që ndëshkon blerësit dhe jo ndërtuesit abuzivë ka bllokuar për shumë vite një kapital prej më shumë se gjysmë miliardë eurosh, duke e bërë të pamundur për pronarët që të shfrytëzojnë ligjërisht pasuritë e tyre, duke i përdorur ato si kolateral për kredi apo duke i shitur apo dhënë me qera me kontrata të rregullta.

Legalizimet, 6 miliardë euro kthehen në ekonomi

Ndërsa efekti i këtyre 600 milionë eurove do të dojë kohë të ndihet, po vazhdon me shpejtësi një proces, në fund të të cilit prona me vlerë 6-7 miliardë euro (sipas studimeve ndërkombëtare) do të formalizohen.

Aktualisht janë shpërndarë mbi 110 mijë legalizime, nga një total prej pothuajse 300 mijë aplikimesh, për ndërtesat informale. Nga këto, 21 mijë legalizime janë bërë në periudhën 2005-2013, ndërsa në tre vitet e fundit procesi është përshpejtuar, duke akorduar mbi 90 mijë leje të tjera.

Përmbyllja e të gjithë kalvarit të legalizimeve, brenda disa viteve do të rikthejë në ekonomi banesa, apartamente, hotele, dyqane dhe objekte të tjera biznesi, që për momentin janë formalisht të pashfrytëzueshme.

Certifikata për pronën bujqësore

Një nismë shumë e rëndësishme e ndërmarrë nga qeveria është shpërndarja e certifikatës për pronën bujqësore, një tjetër proces që po ecën me hapa të shpejtë dhe që do të lejojë qindra mijëra familje fermere në të gjithë vendin që të shfrytëzojnë ligjërisht tokën e tyre.

Mospajisja me certifikata për tokën ka qenë pengesa kryesore për fermerët shqiptarë, për përfitimin e kredive, me qëllim zhvillimin e bizneseve të tyre. Tregues i qartë është fakti që në stokun total të kredive, vetëm 2,4% janë dhënë për qëllime bujqësore, ndonëse 40% e shqiptarëve jetojnë në fshat.

Bilanci i formalizimeve, pothuajse sa një “GDP e dytë”

Efekti i këtij procesi në ekonomi do të jetë prej disa miliardë eurosh. Të tria këto procese bashkë, do të injektojnë në ekonomi mbi 10 miliardë euro, ndërsa prekin direkt 80% të shqiptarëve, që jetojnë sot në një banesë informale, në një apartament të pahipotekuar apo kanë pasuri në fshat.

Me Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë prej vetëm 13 miliardë eurosh, ky proces formalizimesh do të njohë në ekonomi një vlerë pothuajse të barazvlefshme me PBB-në e vendit. /LEXO.AL

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Zelensky, vendime në kohë për mbrojtjen ajrore të Ukrainës

Zelensky, vendime në kohë për mbrojtjen ajrore të Ukrainës