TIRANE- Diplomati i njohur Fatos Tarifa tha se shërbimi diplomatik ka nevojë reformohet. Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com”, Tarifaj ka nënvizuar se reformat janë pjesë e pandarë e zhvillimit shoqëror. Duke u ndalur në këtë pjesë ai u shpreh edhe mbi karakteristikat që duhet të ketë një ambassador që përfaqëson Shqipërinë në një vend tjetër, ndërsa ka cilësuar si ‘etalon’ Faik Konicën.

Nëse Tarifës do ti ofrohej mundësia për të qenë sërish diplomat, do të ndihej i dyzuar. Mes ‘po-s’ dhe ‘jo-s’ ai më shumë qëndron tek refuzimi. I pyetur mbi sulmet e deputetes së PD-së Jozefina Topalli për ambasadorin në ikje Aleksandër Arvizu ai u shpreh se “logjika dhe zhargoni i saj, si edhe mungesa e etikës më elementare në mënyrën e sjelljes e të shprehjes së saj politike, të dëshmuara në mëse një rast gjatë kohës që ajo drejtonte Parlamentin shqiptar, edhe këtë herë nuk më kanë habitur”. Duke insistuar për të marrë një përgjigje mbi marrëdhëniet e tij me ish ministrin e Jashtëm, socialist në atë kohë, Kastriot Islami, me humor tha se “Unë mendoja se atë e ka harruar edhe fshati i vet”. Ndërsa mësimin e gjuhës kineze në shkolla, idenë e ish –kryeministrit Berisha kur ai ka qenë kreu i qeverisë e ka ciëlsuar si lajthitje.
 
Z. Tarifa, si i lexoni ju sulmet e disa kohëve më parë ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, nga disa eksponentë të Partisë Demokratike? Zonja Topalli, fjala vjen, ka qenë mjaft e ashpër ndaj tij. Një koment i juaj do të ishte i mirëpritur.
 
Për këtë çështje jam shprehur posaçërisht dhe në mënyrë eksplicite pak kohë më parë në një tjetër gazetë, dhe nuk dëshiroj të përsëris ato ç’kam thënë në atë rast. Sidoqoftë, meqënëse më pyesni, mund të them se ato sulme unë i shpjegoj me gjendjen tepër të dëshpëruar të autorëve të tyre, pas humbjes së rëndë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Përsa i përket znj. Topalli, logjika dhe zhargoni i saj, si edhe mungesa e etikës më elementare në mënyrën e sjelljes e të shprehjes së saj politike, të dëshmuara në mëse një rast gjatë kohës që ajo drejtonte Parlamentin shqiptar, edhe këtë herë nuk më kanë habitur. Nëse ajo do të dinte më shumë dhe më mirë, jam i sigurt se nuk do të shprehej në atë mënyrë ndaj ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
 
 
Si ish-ambsador i Shqipërisë në Mbretërinë e Hollandës dhe në Shtetet e Bashkuara dhe tani si profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në një prej universiteteve më të mira të vendit, në Universitetin e Nju Jorkut, Tiranë, si e shihni ju diplomacinë shqiptare? A i përmbush ajo kriteret e përfaqësimit në atë mënyrë që diplomatët shqiptarë të bëjnë diplomacinë politike dhe publike më të mirë në shërbim të interesave kombëtare të vendit tonë?
 
Pyetja juaj kërkon një përgjigje shumë më të arsyetuar e më të detajuar nga sa më lejojnë koha që kam në dispozicion dhe hapësira e një interviste si kjo. Kur flasim për diplomacinë shqiptare, nuk mund ta shohim atë sikur të ishte një dukuri apo një veprimtari unike, ose statike. Diplomacia shqiptare, ose shërbimi diplomatik i Shqipërisë dhe veprimtaria e tij, janë më heterogjenë se ç’mendojmë ndonjëherë.

Shërbimi diplomatik përbëhet nga njerëzit që e kryejnë këtë shërbim, si edhe nga ata që e organizojnë, e orientojnë dhe e drejtojnë atë në funksion dhe në dobi të interesave kombëtare. Por jo të gjithë individët që janë pjesë e shërbimit diplomatik, apo që përbëjnë atë që quhet corps diplomatique të një vendi, pra edhe të Shqipërisë, janë njëlloj. Si kudo, edhe në Shqipëri ka diplomatë e diplomatë, diplomatë të vërtetë, profesionalisht të aftë, dhe të tjerë që s’janë të tillë dhe s’bëjnë për këtë punë. Kjo është e vërtetë ndoshta në çdo profesion dhe në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore.

Kur flasim për diplomacinë shqiptare duhet të bëjmë dallim midis asaj që ka qenë, dhe është diplomaci e vërtetë, pra politikë shtetërore me mjete të tjera në raport me shtete të ndryshme dhe me organizata ndërkombëtare, dhe asaj ç’ka shitet për diplomaci, por që në fakt nuk ka asgjë të përbashkët me të. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për diplomatët, si individë të specializuar në fushën e zbatimit të politikës së jashtme dhe për ata që nga koha në kohë zgjidhen për të drejtuar shërbimin diplomatik. Unë nuk mund të mohoj në asnjë mënyrë faktin që Shqipëria ka pasur dhe ka shumë diplomatë të talentuar dhe se diplomacia shqiptare ka qenë proaktive dhe ka njohur shumë herë suksese të rëndësishme, që i kanë shërbyer imazhit të vendit tonë dhe pozicionit të tij në konstelacionin rajonal dhe atë global të marrëdhënieve ndërshtetërore.

Por, po kështu, shumë herë diplomacia shqiptare ka qenë inaktive, e ngathët, joimagjinative dhe shumë herë është zvarritur pas disa ngjarjeve, të cilave ajo do të ishte dashur t’u paraprinte. Shërbimi diplomatik shqiptar dhe diplomacia që bëjmë ne si shtet kanë nevojë të rikonceptohen, të ridimensionohen dhe të reformohen për t’iu përshtatur më mirë kushteve e rrethanave të reja në të cilat jetojmë.
 
 
Si janë marrëdhëniet tuaja me kryeministrin Rama dhe me ish-ministrat e jashtëm?
 
Me z. Rama nuk kam ndonjë marrëdhënie të veçantë, përpos asaj që do ta quaja një marrëdhënie njerëzore e miqësore dhe që karakterizohet, me sa kuptoj, nga një vlerësim dhe respekt reciprok. Z. Rama është kryeministri i republikës, ndërsa unë një qytetar dhe një intelektual i vendit tim. Marrëdhëniet e mia me ish-ministrat e jashtëm? Kam njohur nga afër dhe kam punuar me shumë prej tyre, disa prej të cilëve i vlerësoj dhe i respektoj. Me ta kam ruajtur dhe dëshiroj të ruaj marrëdhënie miqësore. Thelbi i këtyre marrëdhënieve është vlerësimi dhe respekti reciprok i dinjitetit njerëzor.
 
 
Ju keni qenë mjaft i ashpër me një prej ministrave të jashtëm, ish-deputetin socialist, Kastriot Islami, tani i konvertuar në “demokrat”. Ç’mund të thoni për këtë?
 
Përsëri ju intereson ky njeri? Unë mendoja se atë e ka harruar edhe fshati i vet. Por me që më pyesni, me pak fjalë mund t’ju them se këtë individ, edhe pse nuk e urrej (në përgjithësi nuk di të urrej), e përçmoj. Për mua ai ka qenë dhe mbetet i zoti vetëm për ligësi (ndaj edhe epiteti “Kaçi i Zi”, autorësinë e të cilit kam dëgjuar se e pretendojnë disa individë njëherazi). Ky njëri ka qenë dhe mbetet obscure në të gjitha ato fusha me të cilat ai është marrë, pa lënë asnjë gjurmë pozitive gjëkundi: as në arsimin e lartë, as në shkencë, as në fushën e financave, as në shërbimin diplomatik, as në jetën politike (me përjashtim, ndoshta, të veprimtarisë parlamentare, ku mbahet mend vetëm dy herë në këto njëzet vjet: një herë për kërcënimin e opozitës me thyerje kafkash dhe, tani së fundi, për kameleonizmin e tij, që unë e kam quajtur “hamzakastriotizëm”. Më shumë se kaq nuk ia vlen të flasë për të.
 
 
Në një opinion tuajin me titull “Më mirë Turqia se Kina”, ju e vlerësoni Turqinë si një vend që ka më shumë rëndësi për Shqipërinë sesa Kina, ndërsa ish-kryeministri Berisha e shihte Kinën si një partner strategjik, duke hedhur madje edhe idenë e mësimit të gjuhës kineze në shkollat tona. Ç’mund të thoni lidhur me këtë?
 
Opinioni të cilit ju i referoheni nuk mban këtë titull. Atë e ka titulluar kështu redaksia e gazetës ku ai është botuar. Unë e kam titulluar opinionin tim “Summer diplomacy: Pse (jo) Turqia?” dhe jam përpjekur të argumentoj në të se Turqia është dhe duhet të mbetet një partner strategjik për vendin tonë. Dallimet mes Turqisë dhe Kinës përsa i përket raporteve të Shqipërisë me to janë evidente, por nëse ish-kryeministri Berisha e ka cilësuar Kinën si një “partner strategjik” për vendin tonë, unë këtë e vlerësoj si një pohim krejt të pasaktë, madje si një lajthitje.

Për futjen e gjuhës kineze në shkollat tona, nëse kjo do të bëhej në mënyrë selektive dhe në mënyrë jo masive, me zgjedhje dhe jo në mënyrë të detyrueshme, nuk do të kisha kundërshtim. Por kur shoh se sa keq e shkruajnë dhe e flasin një pjesë e madhe e gjimnazistëve dhe e studentëve tanë universitarë gjuhën shqipe dhe se sa pak përpjekje bëjnë shkollat tona që anglishtja të mësohet masivisht, sepse kjo gjuhë është bërë sot lingua franca e kulturës, e shkencës, e arsimit të lartë, e politikës, e diplomacisë dhe e Internetit etj, mendoj se dëshira e z. Berisha mund të konsiderohet (si një herë e një kohë) një kinezëri.
 
 
Ministri i jashtem, z. Ditmir Bushati, kur ishte së fundmi në SHBA, u takua me ministrat homologë te vendeve të Ballkanit. Ministri i Malit të Zi u prezantoi homologëve të tij nismën për gjashtëshen ballkanike, e cila nënkupton një bashkëpunim të gjerë institucional mes vendeve të propozuara që të përfshihen në të. A është ky një plan për formimin e një mini-Jugosllavie të re dhe sa do i shërbente ai interesave tona kombëtare dhe interesave kombëtare të Kosovës?
 
Nuk kam informacion të detajuar e të mjaftueshëm për këtë çështje, ndaj edhe nuk dëshiroj të spekuloj mbi përmbajtjen e kësaj nisme.
 
 
Si e vlerësoni refomën në diplamaci? A është e nevojshme të bëhet reformë sa herë që kemi rotacion politik?
 
Reformat janë pjesë e pandarë e zhvillimit shoqëror. Ato janë domosdoshmëri dhe përbëjnë pikërisht mekanizmin e zhvillimit evolucionar të çdo shoqërie. Jeta e çdo shoqërie është dinamike. Sistemet dhe marrëdhëniet që e përbëjnë atë bëhen gjithnjë e më të ndërvarura. Kjo ndodh në nivel lokal, rajonal e global. Mënyrat dhe teknologjitë e prodhimit, marrëdhëniet në prodhim, format e organizimit politik, marrëdhëniet e qytetarëve me shtetin e tyre, marrëdhëniet e një shteti me shtete të tjera dhe me komunitetin ndërkombëtar etj. Të gjitha këto ndryshojnë dhe këto ndryshime kërkojnë në mënyrë të vazhdueshme reforma.

Kjo ndodh e kërkohet të ndodhë edhe në fushën e diplomacisë. Sistemi i shërbimit diplomatik në vendin tonë ka nevojë të reformohet, por me këtë nuk nënkuptojmë “rotacion”. Ky është një term i papërshtatshëm. Nëse me këtë term keni dashur të thoni largimet nga detyra të një numri diplomatësh të rekrutuar në shërbimin diplomatik në kundërshtim me kriteret që përcakton ligji mbi shërbimin diplomatik dhe zëvendësimin e tyre, në përputhje me kriteret ligjore, ky nuk është rotacion. Kjo nuk është as reformë. Kjo ka të bëjë thjesht dhe vetëm me zbatimin e ligjit.
 
 
Nëse juve do t’ju ofrohej sërish të shërbenit si ambasador i vendit tuaj, a do e pranonit atë?
 
Ndoshta po (dhe kjo, natyrisht, varet nga vendi, ose organizata e propozuar), por në kushtet dhe në rrethanat e mia të sotme, ka më shumë të ngjarë që unë ta refuzoja atë.
 
 
Si duhet të jetë figura e një ambasadori për të përfaqësuar denjësisht Shqipërine në atë vend apo organizatë ndërkombëtare ku ai shërben?
 
Dinjitoze. Me këtë kam parasysh që një ambasador duhet të jetë domosdo i ditur, të njohë shumë mire anglishten (dhe mundësisht gjuhën e vendit ku shërben), të jetë profesionalisht i aftë, të ketë imagjinatë diplomatike dhe, mbi të gjitha të jetë në çdo rast i devotshëm në kryerjen e detyrës. Të gjitha këto i japin dinjitet një ambasadori. Konica ka qenë, ndoshta, prototipi i një ambasadori të tillë. Por, po kështu kanë qenë edhe Javer Malo, Halim Budo, Behar Shtylla etj.
 
 
Z. Rama, në vizitën e tij të parë si kryeministër i Shqipërisë në Republikën e Kosovës, mbajti një fjalim mbresëlënës në Parlamentin e këtij vendi, në të cilin, ndër të tjera, tha se “Hapat konkret drejt kohezionit të të gjithë faktorit politik dhe ecja që nga fillimi bashkë, në këtë epokë të re për rajonin, e përsëris pas mbylljes përfundimtare të konflikteve me marrëveshjen e Kosovës me Serbinë, përbëjnë mundësinë kolosale që na jepet për të tejkaluar kufijtë”. Si e kuptoni ju këtë fjali?
 
E kuptoj siç edhe e ka shprehur vetë z. Rama, pa ambiguitet. Kjo fjali shpreh një filozofi politike të re në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës, në veçanti, por edhe në marrëdhëniet mes popujve të Ballkanit, në përgjithësi. Unë mendoj se sot nuk është koha të shohim pas, por përpara. E kaluara, siç thoshte Çërçilli, bëhet burg për këdo që mbetet peng i saj. Dhe unë besoj se premtimi i një të ardhmeje më të mirë për të gjithë popujt e rajonit tonë është më i madh sesa barra e historisë së tyre.
 
 
Në rrafshin diplomatik, si i vlerësoni përpjekjet, si të qeverisë që shkoi, ashtu edhe të qeverisë aktuale shqiptare, për njohjen më të gjerë ndërkombëtare të Kosovës?
 
Si detyrën e tyre politike e diplomatike dhe si një përgjegjësi kombëtare për to.
 
Ju Faleminderit!
 
Faleminderit Ju!

Shkrimi u publikua sot (04.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)