Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian janë thirrur këtë të dielë në një mbledhje urgjente, pas kërcënimit të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për vendosjen e tarifave doganore ndaj disa vendeve europiane, një hap ky i lidhur drejtpërdrejt me kërkesën për blerjen e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas deklaratave të Trump në rrjetin Truth Social, nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi një tarifë doganore 10% për të gjitha mallrat që eksportohen drejt SHBA-së nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda, ndërsa nga 1 qershori tarifa doganore do të rritet në 25%, deri në arritjen e një marrëveshjeje për “blerjen e plotë dhe totale” të Groenlandës.
Mbledhja urgjente e ambasadorëve është thirrur nga Qiproja, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, dhe pritet të fokusohet në reagimin e përbashkët të Unionit ndaj këtyre kërcënimeve. Reagimet nga liderët europianë kanë qenë të menjëhershme.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi se “asnjë formë intimidimi” nuk do ta ndryshojë qëndrimin e vendeve të BE-së për Groenlandën, ndërsa kryeministri suedez Ulf Kristersson dhe homologu i tij norvegjez Jonas Gahr Støre theksuan se kërcënimet nuk kanë vend mes aleatëve.
Ministri i Jashtëm i Holandës, David van Weel, i cilësoi deklaratat e Trump si “shantazh”, duke theksuar se ato dëmtojnë aleancën transatlantike dhe stabilitetin në NATO.
Një deklaratë e përbashkët e liderëve europianë thotë se "vendosja e tarifave doganore do të minonte marrëdhëniet transatlantike dhe do të krijonte një spirale të tatëpjetë e të rrezikshme".
Në të njëjtën linjë, shoqatat industriale europiane kanë kërkuar që Komisioni Europian të shqyrtojë përdorimin e Instrumentit të Kundër-Shtrëngimit Ekonomik, që lejon BE-në të kundërpërgjigjet ndaj presionit ekonomik nga vende të treta.
Paralelisht, eurodeputetët kanë paralajmëruar se mund të bllokohet ratifikimi i marrëveshjeve tregtare me SHBA-në.
Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane në Groenlandë do të dëmtonte rëndë NATO-n dhe do të shërbente si precedent për agresione të tjera, duke shtuar se një skenar i tillë do ta bënte presidentin rus Vladimir Putin “njeriun më të lumtur në botë”.

Geogia Meloni në Seul
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka kritikuar hapur vendimin e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për rritjen e tarifave doganore ndaj vendeve europiane që kanë kontribuar në sigurinë e Groenlandës.
Duke folur gjatë një takimi me gazetarët në Seul, Meloni u shpreh se parashikimi i një rritjeje të tarifave doganore ndaj këtyre vendeve është, sipas saj, një gabim dhe se nuk e ndan këtë qasje.
Meloni bëri të ditur se ka ndërprerë programin e saj për të kontaktuar drejtpërdrejt Shtëpinë e Bardhë, ku ka zhvilluar një bisedë telefonike me Trump.
“I kam thënë qartë se mendoj se kjo është një rrugë e gabuar dhe se duhet të rifillojmë dialogun për të shmangur një përshkallëzim”, tha ajo.
Kryeministrja shtoi se ka folur edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATOs, i cili e ka informuar për një proces pune që Aleanca po nis në lidhje me sigurinë në Arktik.
Sipas Melonit, ekziston një keqkuptim mbi qëllimin e pranisë ushtarake europiane në Groenlandë. Ajo theksoi se iniciativa e disa vendeve të BE-së për të dërguar trupa nuk ishte e drejtuar kundër Shteteve të Bashkuara, por synonte rritjen e sigurisë përballë aktorëve të tjerë që konsiderohen potencialisht armiqësorë. Kryeministrja nënvizoi se NATO mbetet forumi i duhur për të koordinuar masat e parandalimit dhe se është e rëndësishme që mes aleatëve të ketë komunikim të qartë dhe të vazhdueshëm.
E pyetur për reagimin e Trump gjatë bisedës telefonike, Meloni tha se presidenti amerikan ishte i gatshëm të dëgjonte, por se nga ana amerikane nuk ishte kuptuar qartë mesazhi që vinte nga Europa. Ajo shtoi se gjatë ditës do të zhvillojë kontakte edhe me liderë të tjerë europianë, duke theksuar se në këtë fazë dialogu është thelbësor për të shmangur tensione të mëtejshme dhe për të punuar së bashku drejt objektivave të përbashkëta.

Keir Starmer dhe Donald Trump
Kërcënimet e presidentit të SHBA-së Donald Trump për vendosjen e tarifave për 8 shtetet evropiane, Danimarkë, Norvegji, Suedi, Francë, Mbretëri e Bashkuar, Holandë dhe Gjermani, pasi i janë bërë pengesë për të aneksuar plotësisht Groenlandën, kanë shkaktuar reagime të forta nga liderët në Evropë.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer tha se Trump kishte gabuar plotësisht për vendosjen e tarifave ndaj aleatëve që po “ndjekin sigurinë kolektive të aleatëve të NATO-s”, duke shtuar se ai do ta “ndjekë” këtë çështje me administratën amerikane.
Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti kërcënimin e tarifave "të papranueshme" dhe tha se nëse zbatohen, Evropa do të përgjigjet në mënyrë të koordinuar. Zyrtarë nga Norvegjia, Suedia, Franca dhe Gjermania përsëritën mbështetjen për Danimarkën dhe thanë se tarifat nuk duhet të jenë pjesë e diskutimeve për Groenlandën.
Presidenti amerikan tregoi se tarifat ishin një hakmarrje pasi vendet evropiane dërguan personel ushtarak në Groenlandë në një shfaqje mbështetjeje për territorin. Deri më tani, Franca ka dërguar deri në 15 persona në territorin danez, Gjermania ka dërguar 13 dhe Mbretëria e Bashkuar ka dërguar një oficer ushtarak.
Tarifa 10% do të hyjë në fuqi për 8 shtetet më 1 shkurt ndërsa parashikohet të rritet deri në 25% në qershor për çdo marr të eksportuar në SHBA nga këto shtete deri sa Amerika të arrijë marrëveshjen e plotë për blerjen e Groenlandës.
Komente












