Tarifat e Përmbarimit, Bankat
Kundër 2 teknikëve: Akt abuziv

Tarifat e Përmbarimit, Bankat<br />Kundër 2 teknikëve: Akt abuziv
Udhëzimi i dy ministrave teknikë – atij të Drejtësisë Gazment Bardhi dhe asaj të Financave Helga Vukaj – lidhur me përcaktimin e tarifave të reja të përmbaruesve, privatë dhe shtetërorë, ka ngjallur menjëherë reagimin negative të subjekteve të interesuar.
 
Shoqata Shqiptare e Bankave, e cila shpreh njëzëri opinionin e institucioneve bankare të nivelit të dytë që operojnë në vend, është shprehur tejet ashpër në dënimin e një akti të tillë nënligjore, i cili, sipas bankierëve, duke dyfishuar tarifat e shërbimit përmbarimor, është “abuziv, joprofesional dhe buron nga motive të dyshimta”.
 
Këtë mesazh Shoqata ua ka dërguar për dijeni institucioneve më të mëdha financiare ndërkombëtare, me të cilat qeveria shqiptare ka marrëdhënie të ngushta: Bankës Botërore, si dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
 
Tarifat
Pagesa e përmbaruesve përbëhet nga dy tarifa. E para është tarifa fikse, e cila i parapaguhet përmbaruesit ende pa u kryer shërbimi dhe është e pakthyeshme.

Ndërsa tarifa e dytë është e lidhur me suksesin e ekzekutimit të pasurisë së lënë peng. Përmes një udhëzimi të kohëve të fundit, që mban datën 26 qershor, pra vetëm një ditë pas zgjedhjeve, dy ministrat teknikë, të caktuar nga opozita, kanë dyfishuar tarifën e pakthyeshme, duke e çuar deri në 10 për qind të vlerës së pronës.
 
Ankesa
"Tarifat e reja të larta janë abuzive dhe subjektive për shkak se nuk bazohen në asnjë analizë profesionale", thuhet në komentet e bankave.
 
Sipas bankave kjo përkeqëson situatën, pasi, duke përfituar pagesa të majme paraprakisht, shoqëritë e përmbarimit nuk janë shumë të motivuara që të ekzekutojnë pronat e vëna peng. Kjo krijon probleme të mprehta për bankat, që janë porositëse të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, kryesisht për marrjen në pronësi të objekteve, tokave, shtëpive, të cilat janë lënë si kolateral nga marrësi i një kredie, i cili, më pas, nuk ka paguar këstet e duhura dhe, në bazë të kontratës së kredimarrjes, ajo mund të konfiskohet nga banka.
 
Banka “thelën e majme” në rast mospagese të kredive e fiton pikërisht nëse shitet në ankand prona e konfiskuar. Por, me rënien e motivimit të përmbaruesve, të cilët tani e tutje mund ta zgjatin në kohë këtë operacion, pasi mbeten të kënaqur edhe me pagesën paraprake, sasia e kredive të këqia do të mbetej sërish e lartë, në një kohë që, me masat e fundit, të ndërmarra nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Banka e Shqipërisë, me konsulencën e FMN dhe BB, është arritur që të ulen mjaft dhe në një kohë të shkurtër. 
 
“Udhëzimi është i papranueshëm dhe tërësisht në kundërshtim me frymën e ligjit dhe përpjekjet e qeverisë për të ulur kreditë e këqija", thuhet në komentet e bankave.
 
Barra edhe mbi qytetarët
Por rregullat e reja, që parashikon Udhëzimi i dy ministrave teknikë, nuk prekin vetëm bankat. Shpenzimet përmbarimore, me ligj, i ngarkohen gjithmonë debitorit. Me tarifat e reja, qytetarët apo bizneset që nuk arrijnë të shlyejnë borxhet, veç humbjes së pronës, do të paguajnë shuma më të rënda edhe për përmbaruesit.
 
Ndërkohë, edhe vetë shteti, si debitor i madh, do të kishte probleme të rritura nga klauzola të tilla. Të gjitha institucionet publike që nuk shlyejnë borxhet ne afat dhe çohen në përmbarim për ekzekutim të detyruar, do të ngarkohen me pagesa të larta, të cilat paguhen nga paratë e taksapaguesve.
“Tarifat e reja krijojnë një barrë shtesë mbi sektorin bankar, komunitetin e biznesit dhe të gjithë qytetarët”, thuhet në letrën e përfaqësuesve të bankave.
 
Pyetja që shtrohet në këtë kontekst është: Udhëzimi i dy ministrave, që edhe pak javë janë në pushtet, ndonëse erdhën në këto poste për arsye elektorale të përkohshme, ka qëllim lehtësimin e problematikës së kreditimit në vend, që po njeh amulli të ndjeshme, apo, në të kundërt, synon vënien e shkopinjve në rrota për qeverinë e ardhshme?
 
Aktet ligjore/ Si kanë ndryshuar tarifat e shërbimit ndaj vitit 2009
Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave kanë miratuar udhëzimet e reja për tarifat përmbarimore, bazuar në ndryshimet me konsensus që i janë bërë Kodit të Procedurës Civile dhe ligjit për përmbarimin gjyqësor privat dhe shtetëror në fund të vitit 2016.
 
Krahasuar me tarifat e përcaktuara në vitin 2009, nga 9 nivele tarifimi, tre prej tyre kanë mbetur të pandryshuara apo janë ulur; 5 tarifa kanë pësuar rritje dhe 1 tarifë është reduktuar në vlerë kufiri.
Tarifa fikse është pagesa që arkëton Zyra Përmbarimore për fillimin e procedurave të ekzekutimit dhe kryerjen e të gjitha veprimeve procedurale të parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile, deri në ekzekutimin përfundimtar të titullit ekzekutiv.
 
Vlera e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor parashikohet kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim monetar si kthim shume dhe/ose pagim detyrimi.
Nga ana tjetër, vlera e tarifës fikse të shërbimit përmbarimor, kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim jomonetar dhe të pavlerësueshëm, përllogaritet në varësi të objektit të ekzekutimit.
 
Kur titulli ekzekutiv përmban një detyrimi monetar, pala kreditore dhe subjekti përmbarues, sipas vullnetit të tyre, mund të parashikojnë në marrëveshje masën e një tarife të suksesit, por në çdo rast kjo tarifë nuk mund të jetë më e vogël se 1% dhe jo më e madhe se 10% e vlerës së ekzekutuar të detyrimit.
 
Fenomeni
Për të tetin muaj rresht në zbritje kreditë e këqia në ulje, tani sa 15.58% e totalit

Huatë e pakthyera në afat në banka kanë shënuar një tjetër rënie gjatë qershorit, për të tetin muaj radhazi, duke zbritur në 15.58% të totalit, sipas statistikave të publikuara sot nga Banka e Shqipërisë. Ky është niveli më i ulët i arritur që nga tremujori i parë 2011, kur kreditë e pakthyera në afat në banka ishin 14.41%. Më pas ky tregues erdhi në rritje, për të arritur rekordin prej gati 25% në tremujorin e tretë 2014.
 
Dy vitet e fundit, bankat kanë zbatuar procesin e fshirjes së huave, sipas të cilit hiqen nga bilancet e bankave kreditë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, ndërsa ato vazhdojnë të ndiqen nga bankat.
 
Të dhënat e qershorit treguan se stoku i huasë së korporatave jofinanciare në valutë, pra kryesisht huaja e dhënë në euro për bizneset, ka rënë me 26 miliardë lekë në raport me qershorin 2016, nga 8.9 miliardë lekë që ka rënë stoku në total i huasë për të njëjtën periudhë, duke reflektuar një fshirje masive të huave në valutë.
 
Në qershor, edhe në vlerë absolute huatë me probleme u ulën me rreth 12 milionë euro, nga 632, në 620 mln euro, sipas statistikave të BSH-së.
 
Një tjetër element, që ka ndikuar në reduktimin e huave me probleme është procesi i ristrukturimit të 35 kompanive të mëdha, që deri pak kohë më parë zotëronin 60% të kredive me probleme.

Aktualisht, sipas burimeve zyrtare të Bankës së Shqipërisë, nga 35 kompani janë ristrukturuar 21 prej tyre.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë