Për të paktën një fundjavë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë kthyer aty ku ishin në prill: në mes të një lufte tregtare. Marrëveshja e firmosur mes presidentit Donald Trump dhe Ursula von der Leyen praktikisht sot nuk ka më peshë reale.
Shkaku është vendimi i Gjykatës Supreme që rrëzoi bazën ligjore të një pjese të madhe të tarifave të vendosura nga presidenti Donald Trump. Por në vend që tensioni të ulej, ndodhi e kundërta. Uashingtoni i ashpërsoi kushtet tregtare dhe e vuri Europën përballë nevojës për reagim.
Pak orë pas vendimit, përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, tha se administrata pret që vendet e tjera “të respektojnë marrëveshjet”. Ai i referohej 38 marrëveshjeve që SHBA ka mbyllur ose shpallur me qeveri dhe blloqe vendesh, mes tyre edhe asaj me BE-në, e nënshkruar në Skoci më 27 korrik.
Ajo marrëveshje parashikonte tarifa amerikane në total 15% për pothuajse të gjitha produktet europiane. Në këmbim, Brukseli do të hiqte tarifat për mallra amerikane si makina dhe pjesë këmbimi, makineri, produkte kimike, disa lloje mishi dhe drithëra. Pjesa amerikane u garantua me një urdhër ekzekutiv të presidentit Trump, por mbi kompetenca që tani gjykata i ka shpallur të paligjshme.
Nga ana europiane, zbatimi kërkon dy rregullore për produkte industriale dhe bujqësore. Këshilli i ministrave i ka miratuar, por Parliamenti Europian jo. Derisa Parlamenti të votojë, BE mbetet formalisht në shkelje të paktit, sepse tarifat e saj janë ende më të larta se sa ishte rënë dakord.
Paradoksi është i qartë: presidenti Donald Trump siguroi pjesën amerikane të marrëveshjes duke tejkaluar kompetencat. Për këtë arsye, urdhri për tarifat 15% ndaj Europës nuk vlen më. Në vend të tij, Shtëpia e Bardhë nxori një tjetër urdhër, të bazuar në Seksionin 122 të Trade Act të vitit 1974, një normë e papërdorur më parë. Ajo lejon vendosjen e “shtesave” tarifore për pesë muaj në rast krize të bilancit të pagesave.
Fillimisht këto shtesa u vendosën në 10% për Europën, që së bashku me tarifat ekzistuese e çonin totalin rreth 15%. Por dje presidenti Donald Trump njoftoi se do t’i rrisë këto shtesa në 15%. Kjo do të thotë se tarifat totale ndaj BE-së shkojnë rreth 20%, sepse ato shtohen mbi tarifat e mëparshme. Pra, kushtet tashmë të pafavorshme të marrëveshjes së korrikut janë ashpërsuar edhe më shumë.
Në këto rrethana, marrëveshja mund të bjerë. Është shumë e vështirë që Parlamenti Europian të miratojë rregulloret për zbatimin e saj. Komisioni i Tregtisë në Bruksel pritej të shprehej, por votimi ka gjasa të shtyhet.
Edhe më parë ishte e vështirë të sigurohej shumica: vetëm popullorët dhe konservatorët europianë, përfshirë Fratelli d’Italia, do të ishin të gjithë pro. Eurodeputetja e Partisë Demokratike italiane, Irene Tinagli, tha se është e vështirë të votohet për një marrëveshje që është vënë në pikëpyetje edhe në SHBA dhe se është momenti që Europa të bëjë zërin e saj të dëgjohet.
Rritja e fundit e tarifave e ndryshon gjithçka. Në këtë klimë, ratifikimi duket gjithnjë e më i pamundur. Presidenti Donald Trump i ka mësuar europianët me kthesa dhe tërheqje. Por kjo ka ndodhur vetëm kur Brukseli ka reaguar me vendosmëri. Tani përplasja është sërish e hapur. /CorrieredellaSera
Komente










