Shtrenjtimi i çmimit të karburantit menjëherë pasi nisi lufta në Lindjen e Mesme sipas deputetit të Partisë Socialiste Erion Braçe, nuk tregon ndikimin real të konfliktit, por janë dozat e abuzimit që reflektohen menjëherë.

“Kemi problem shumë të madh me tregun e karburanteve dhe gjëja është shumë e thjeshtë, ka të bëjë me modelin e tregut. Unë i kam dëgjuar të gjithë në harkun e këtyre ditëve, edhe autoritetin e konkurrencës, edhe ministren respektive, edhe ministrin e financës, edhe kryeministrin, por nuk e kuptoj pse të gjithë i largohen dhe nuk e vënë dorën atje ku është problemi. Problemi që kemi ne në tregun e karburanteve dhe është modeli i tregut që kemi historia që është një broker atje matan që s'është i regjistruar në territorin e Republikës së Shqipërisë si entitet fiskal, por që shet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”, thotë Braçe.

Për Report TV, Braçe thekson se kompanitë shqiptare nuk furnizohen direkt në bursë, por varen nga një kompani që e sjell karburantin në depozitat në Porto Romano, ndërsa çmimi i vihet kur produkti shitet në treg për konsumatorët. Pra, nëse nafta është blerë me 70 dollarë fuçia në tregun e huaj, në momentin që del në treg, i vihet çmimi i bursës së ditës që mund të jetë për shembull 90 dollarë.

“Unë nuk blej jashtë, por blej tek brokeri, i cili paraqitet në Porto Romano e derdh naftën në depozitat e një subjekti tregtar, cilido që është nga këto brendet e mëdha që ju shihni të karburanteve dhe blerja ime e naftës që unë kam në depozitë dhe shitja ime pastaj tek subjektet me pakicë apo brenda pikave të mia ndodh në një ditë tjetër, në një ditë të caktuar. Ky model tregu bën që të reflektohet shumë shpejt çdo ndryshim çmimi në bursë ndërkombëtare dhe të reflektohet shumë ngadaltë çdo ndryshim çmimi në rënie në bursën ndërkombëtare. E kemi jetuar këtu, e kemi hasur këtu këtë si situatë”, thotë Braçe.

Tregu thotë deputeti nuk ka transparencë përsa kohë të gjithë e ngrenë çmimin njëkohësisht në të njëjtën vlerë. Sipas Braçes, tregu i hidrokarbureve funksionon si kartel që cakton të njëjtat çmime brenda së njëjtës ditë dhe së njëjtës orë.

“Pra thënë këtë ajo që duhet atakuar është modeli i tregut që nuk ofron transparencë, nuk ofrohen konkurrencë, sepse të gjitha ndryshojnë çmimin brenda një dite dhe kanë të njëjtin çmim në tabelë, të njëjtin përveç pikave të bardha. Po të gjitha pikat e brenduara kanë thuajse të njëjtin çmim në tabelë. Nuk ndryshon me asnjë shpërndarje dhe që do të thotë ky model tregu ka zhdukur konkurrencën brenda tregut të hidrokarbureve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Thënë këtë duhet goditur modeli i tregut. Duhet shembur modeli i tregut që ne kemi”, thotë Braçe.

Si mund të shembet ky treg?

“Me rregulla gjithmonë. Në qoftë se ti e lë të lirë, heq dorë siç thuhet, siç është qartë, siç është evidente që të gjitha institucionet kanë hequr dorë nga kjo histori, por natyrisht ai do bëjë çfarë të dojë. Po një entit ose një operator, një broker që i thonë këta, pavarësisht sa i madh është, që operon brenda territorit të Republikës së Shqipërisë pa u regjistruar në asnjë organ fiskal dhe pa paguar detyrime fiskale këtu, nuk mundet që të përqendrojë gjithë tregun e hidrokarbureve në këtë vend”, përgjigjet ai.

Sa i takon masave të marra nga qeveria aktualisht me ngritjen e një Task-Force për monitorimin e çmimeve, Braçe e vlerëson të pamjaftueshme.

“Nuk mjafton Task Forca. Në qoftë se nuk goditet modeli i tregut që funksionon totalisht i përqendruar edhe që ka atë produkt që ju shihnim për tabelat, normalisht është e kotë edhe Task-Forca edhe ai instrumenti të cilësojë shumë, por që duhet të shoqërohet me patjetër me transparencë të këtij tregu. Askush nuk e di sot, nafta që hyn në depozita kur është blerë, ku është blerë, si është blerë, me çfarë çmimi është blerë nga brokeri dhe pastaj si operohet në çdo segment të tregut me normë shpenzimi, domethënë me sasi shpenzimesh që ndikojnë drejtpërdrejt në çmim taksash edhe në fund fare edhe me fitimin e kompanive. Askush s'ka transparencë. Në kushtet që jemi aktualisht meshë task forca për mua është e pamjaftueshme dhe s'ka vlerë”, thotë ai.

Aktualisht çmimi i naftës në Tiranë luhatet nga 193-196 lekë litri, ndërsa kulmi u arrit javën e kaluar ku çmimi arriti deri në 201 lekë për litër. Deri më 3 mars çmimi i naftës varionte sipas kompanive nga 173-175 lekë litri, benzina kushton deri 176 lekë litri dhe gaza është 58 lekë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:30
Abuzimet me çmimet e inputeve bujqësore, Braçe për Report Tv: Treg monopol që po rrënon bujqësinë

 

Deputeti i PS Erion Braçe, denoncon në Report TV abuzimin që po ndodh me çmimet e inputeve bujqësore. Sipas tij tregu është i përqendruar në disa kompani të cilat diktojnë edhe çmimet në treg dhe që po rrëzojnë sektorin e bujqësisë.

“E njëjta gjë ka ndodhur edhe me tregun e këtyre inputeve bujqësore. Është fare evidente. Ditën që ka ndryshuar, ditën e pestë të luftës që ka ndryshuar çmimi i naftës, ka ndryshuar dhe çmimi i plehrave kimike dhe ka një rritje, ka një rritje me 45, 46 deri 47%. Unë i kam kërkuar, organeve tona doganore, që të më vënë në dispozicion “ore kjo sasi e inputeve bujqësore që përdoren për plehërim, për ushqim e kështu me radhë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë kur ka hyrë se këta nuk mund të na tregojnë bursën. Flasim për sektorin që ka katër vite me rënie dhe këtë ka mangët që t'i rritet çmimi i inputeve bujqësore dhe ai sektor rrënohet plotësisht. Për çarë? Për interesa të një monopoli të pastër produkti ureje, dapi apo edhe nitrati”, thotë Braçe për Report Tv.

Braçe thotë ndër të tjera se edhe pse tregu i inputeve bujqësore është vënë nën hetim nga Konkurrenca dhe është ndëshkuar përsëri nuk ka rezultat.

“Për inputet bujqësore ka dhe gjobë. Nuk e di është arkëtuar apo jo, po ka një gjobë, e që ishte gjobë e rëndë. Po me sa duket këta nuk vënë mend ose gjoba nuk është arkëtuar ose gjoba nuk ka qenë e mjaftueshme që këta ta ndjejnë sjelljen, ta ndjejnë ndëshkimin. e ta reflektojnë në sjelljen e tyre për kundërti të bujqve”, thekson ai.

Ora 18:28
A duhen rishikuar taksat e karburantit? Braçe: Tarifat rëndojnë vetëm kur tregu është i mbyllur

 

Për të frenuar një shtrenjtim të çmimit të naftës edhe më shumë, Shoqata e Hidrokarbureve ka thënë më herët në Report Tv se duhet të rishikohen taksat, pasi në një litër naftë rëndojnë sot 4 taksa, akciza, TVSH-ja, taksa e karbonit dhe e qarkullimit.

Por deputeti i PS-së Erion Braçe thotë se problemi nuk është tek taksat, por rithekson problemin e tregut.

Gazetarja Eliza Gjediku: Ju u besoni më shumë tek masa të tilla si Task-Forca apo te një rishikimi i taksave? Sepse shumë taksa rëndojnë në 1 litër naftë.

Erion Braçe: Po pse shumë taksa rëndojnë?

Gazetarja: Taksa e qarkullimit, e karbonit,  akciza, TVSH-ja...

Braçe: Po në Itali. Po në Gjermani?

Gazetarja: Po çmimi i naftës është më i ulët se në Shqipëri.

Braçe: Në Itali ka arritur tani diku te dy. 2.2€ në autostradë...

Gazetarja: Italia ndërhyn në akcizë kur rritet çmimi.

Braçe: Ka edhe një element tjetër shumë të rëndësishme në Itali apo edhe në vende të tjera të Evropës që ka edhe ‘Self Service’ dhe që e ka çmimin më të lirë dhe që këta s'ta ofrojnë botë këta operatorët këtu brenda vendit edhe t'u ulin çmimin. Pra ka elementë të shpenzimeve të tyre që rëndojnë në çmim ashtu siç ka elementë edhe të edhe të taksave që mund të ndikojnë në çmim.

Janë dy tre koncesione atje që mund t'i bënte shteti dhe pa pagesë ndërkohë që i bën privati edhe që mund të ndikonin në uljen e çmimit. Por në qoftë se e gjithë gjëja qenka vetëm taksa e qarkullimit se i dëgjojnë njerëzit thonë shkoj në Kosovë dhe e blej më lirë. Po e ble më lirë sepse ti që shkon në Kosovë dhe e blen naftën më lirë nuk paguan taksë qarkullimi atje. Taksa e qarkullimit është për të gjithë ata dorë atje e të tjerë me radhë dhe e ka tek mjeti. Kurse unë e kam këtu edhe njëherë. Taksa ndikon në çmim kur tregu është i mbyllur. Në qoftë se tregu do ketë konkurrencë, pesha e taksave apo ndikimi i taksave nuk do të jetë kaq i fortë saç edhe dëgjohet. Por disa elementë, tarifa, koncesioni që janë brenda çmimit të karburantit për mua duhen eliminuar.

Ora 18:26
Tregu i hidrokarbureve kartel? Braçe i përgjigjet Ibrahimajt: Evidente, vendosin të njëjtat çmime brenda një dite, shteti bën sikur nuk e kupton

 

Deputeti socialist Erion Braçe i përgjigjet ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, sipas së cilës nuk ka një kartel që cakton çmimet e naftës. Në intervistën për Report Tv, deputeti Braçe thotë se është evidente që kompanitë e tregut të hidrokarbureve funksionojnë si kartel, por shteti bën sikur nuk e kupton. Braçe thotë se kompanitë i caktojnë çmimet e njëjta brenda një dite dhe në të njëjtën orë.

Gazetarja Eliza Gjediku: Ju keni thënë shpesh që në atë treg ka kartel.

Erion Braçe: Po është evidente.

Gazetarja: Ministria e ekonomisë thotë nuk është faktuar nuk ka prova.

Braçe: Po si s'paska? Në momentin që ndryshon çmimi brenda një dite, brenda në të njëjtën orë, në të gjitha pikat dhe është i njëjti çmim, si qenka? Çfarë sjelle është ky? Sjellja e koordinuar. Po sjellja e koordinuar kur ndodh? Kur ndodh? Kur tregu është i përqendruar dhe kur tregu është i përqendruar po patjetër. Situatë kartelash është pse e bëjnë kot sikur nuk e kuptojnë. Në qoftë se i gjithë çmimi i hidrokarbureve, naftës, gazit edhe benzinës në territorin e Republikës së Shqipërisë varka nga një kompani që këta e quajmë broker. Çfarë logjike ka?