Tatimet korrigjojnë parapagimin e kësteve të tatimit te profesionet e lira, i ulin me rreth 30%

Pas debateve të shumta që shkaktoi moszbatimi korrekt i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, administrata tatimore ka rishikuar me ulje këstet e parapagimit të tatimit për profesionet e lira. Nga analizat e thelluara të Administratës Tatimore është konkluduar që për një kategori të caktuar prej rreth 9.000 tatimpaguesish mund të merret parasysh shpenzimi minimal në masën 30%, sikurse e njeh ligji.

Kjo formulë është aplikuar te afro 9.000 tatimpagues që gjatë vitit 2023 rezultojnë me shpenzime më pak se 30% gjatë vitit 2023 dhe duke qenë se ligji e lejon zgjedhjen në mënyrë afrofe të shpenzimit prej 30%, Administrata Tatimore e vlerësoi këtë opsion dhe e konsideroi si të ligjshëm për ta aplikuar paraprakisht te këstet paraprake të Tatimit mbi Fitimin për vitin 2024.

Ky intepretim ka prekur, sikurse përmendur më sipër, rreth 9.000 tatimpagues nga afro 25.000 që ofrojnë shërbime profesionale në total.

Me qëllim lehtësimin e tatimpaguesve dhe për t'ju përgjigjur kërkesave të tyre drejtuar Drejtorive Rajonale Tatimore përkatëse, Administrata Tatimore ka rishikuar këstet e Tatimit mbi Fitimin për vitin 2024, duke marrë parasysh në këtë rillogaritje 3 kategori tatimpaguesish, nga të cilët:

- Tatimpaguesit, që gjatë vitit 2024 figurojnë me dy përgjegjësi tatimore (TTHF+TF);

- Tatimpaguesit me përgjegjësinë tatimore Tatim Fitimi, që kishin këste të gjeneruara për periudhën janar-mars 2024;

- Tatimpaguesit, persona fizikë me qarkullim deri në 1 milion lekë, për të cilët është përllogaritur paraprakisht njohja e shpenzimeve në masën 30%, sipas nenit 14 të ligjit të ri.

Administrata Tatimore thekson se këto janë parapagime dhe se përllogaritja finale e Tatimit mbi të Ardhurat do të kryhet në deklaratën vjetore të vitit 2024.

Gjithashtu, Administrata Tatimore udhëzon tatimpaguesit që për çdo kërkesë për rishikim të kësteve me ulje, shoqëruar me argumentimin përkatës, ti drejtohen Drejtorive Rajonale Tatimore, të cilat do të vijojnë të trajtojnë me prioritet kërkesat e tyre.

Pse bizneseve nuk iu zbritën fillimisht 30% e shpenzimeve

Në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, parashikohet zbritja e shpenzimeve fikse në masën 30% për të vetëpunësuarit me xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë. Në janar të këtij viti, pasi nuk u arrit të bëhej gati formulari i ri i deklarimit të të ardhurave, qeveria miratoi një akt normativ në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat” i cili përcakton se deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.

Si rrjedhojë, deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.

Në njoftimin e vlerësimit fillestar të drejtorive rajonale të tatimeve dërguar bizneseve rezulton se shkalla tatimore 15% për tatimin mbi fitimin u llogarit në bazë të ardhurave, shpenzimeve dhe fitimit të deklaruar nga vetë subjektet për 2023 që u përfshinë në regjimin e ri, më parë të përjashtuara nga taksimi.

Tatimet sqaruan se zbritja e tyre do të bëhet në bazë të aplikimeve të bizneseve të profesioneve të lira në fund të vitit 2024, pas plotësimit të formularit për zgjedhjen e regjimit të veçantë. Kjo bëri që këstet të rezultonin të larta, duke shkaktur pakënaqësi dhe ankesa nga profesionet e lira.

Ligji në Kushtetuese

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” konsiderohet antikushtetues dhe është paditur 4 herë në Gjykatën Kushtetuese. Seanca e parë për shqyrtimin e 3 padive sëbashku është njoftuar më 18 Qershor.

Nismëtarët e ankimimeve vlerësojnë se ligji cenon barazinë mes tatimpaguesve, parimet e shtetit të së drejtës, të sigurisë juridike dhe shkel konkurrencën. Në rast të mos shfuqizimit të tij nga Kushtetuesja nga juristët, kontabilistët dhe ekspertë të tjerë paralajmërohen efekte të menjëhershme që do të ndihen që me rritjen artificiale të tarifave për shërbimet e ofruara nga profesionistët e lirë, evazion, mbyllje të bizneseve dhe emigrim të shtresës së mesme.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori