Administrata Tatimore u ka bërë thirrje tatimpaguesve që kanë deklarata të padorëzuara për periudha deri më 31 dhjetor 2024, t’i dorëzojnë ato brenda datës 30 qershor 2026 për të përfituar nga fshirja e gjobave për mosdeklarim në afat.

"Në zbatim të ligjit nr. 86, datë 12.12.2025, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe të detyrimeve të pagueshme në doganë”, si dhe të Udhëzimit nr. 11, datë 14.05.2026, objekt i fshirjes/shuarjes janë edhe dënimet administrative (gjobat) për deklaratat e padorëzuara që u përkasin periudhave deri më 31.12.2024, me kusht që këto deklarata të dorëzohen brenda datës 30.06.2026" thuhet në njoftim. 

Sipas Tatimeve, ligji për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore parashikon që të falen edhe penalitetet administrative për deklaratat e padorëzuara, por vetëm nëse ato dorëzohen brenda afatit të përcaktuar.

Për të përfituar nga kjo lehtësi, tatimpaguesit duhet të dorëzojnë të gjitha deklaratat e mungura deri më 30 qershor.

Administrata Tatimore thekson se deklaratat që do të dorëzohen pas kësaj date nuk do të përfitojnë nga fshirja e gjobave, sipas parashikimeve ligjore në fuqi.

Për këtë arsye, tatimpaguesit ftohen të verifikojnë situatën e tyre në sistemin e-Filing dhe të plotësojnë çdo detyrim deklarues brenda afatit, në mënyrë që të përfitojnë nga lehtësitë e parashikuara nga ligji.