Ndërsa akuza e dytë lidhet me shpenzimin e 1 milionë dollarëve për lobim në Shtetet e Bashkuar të Amerikës, Balla kërkon hetim për këtë aferë e cila ka dëmtuar xhepat e Shqiptarëve.
Reagimi i plotë:
Lulzim Basha po prish provat e veprës penale me duart e Klement Zgurit.
Pas shkeljes së ligjit nga ana e Klement Zgurit në rastin e kryebashkiakut Agron Kapllanaj, sot në KQZ po konsumohet një vepër e rëndë penale përsëri me autor kryesor Klement Zgurin, përsëri nën urdhërat e Lulzim Bashës.
I vendosur nën hetim në Shqipëri dhe jashtë saj për transferimin e paligjshëm të 1 milionë dollarëve përmes disa llogarive të dyshimta në një shtet të vogël të Amerikës Qëndrore, sot Lulzim Basha po mundohet të prishë provat e veprës penale, por dhe të shkeljes administrative të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.
“Dora” e shpërdoruar e Lulzim Bashës në KQZ Klement Zguri po mundohet t’i japë mundësi Partisë Demokratike të ndryshojë Raportin e verifikimit të financimit të fushatës zgjedhore, të partive politike të cilat morën pjesë në Zgjedhjet e 25 Qershorit.
Përpjekja e dy shkelësve të ligjit Basha-Zguri synon ndryshimin e një dokumenti zyrtar, i cili prej momentit të fillimit të hetimit është një ndër provat e fajësisë në pagesat dhe shpenzimet e padeklaruarara të PD gjatë fushatës zgjedhor.
Sipas draftit të përgatitur nga Kryetari Klement Zguri, KQZ (shumica) pritet të dalë me vendimin “meqenëse partitë politike kanë patur pasaktësi në raportet financiare të depozituara ne KQZ”, atëherë KQZ iu jep edhe 10 ditë të tjera afat për të sjellë çdo dokument që ato vlerësojnë se mungon në lidhje me të ardhura apo shpenzime gjatë periudhës zgjedhore.
Ky vendim është tërësisht i pabazuar në Kodin Zgjedhor. KQZ sot duhet të miratojë sot Raportin e verifikimit dhe të ndëshkojë të gjitha subjektet politike që kanë shkelur Kodin.
I bëj thirrje Klement Zgurit të heqë dorë nga kjo shkelje e rëndë e ligjit dhe të mos shpërdorohet nga personi i vendosur në hetim Lulzim Basha.
Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com