TIRANE- Duke u ndalur tek treguesit e të ardhurave për periudhën 10-mujore, drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, njofton përmes një deklarate për mediat se vetëm pas 31 ditësh në këtë detyrë ka tejkaluar planin për muajin tetor. Sipas Spiropalit, gjatë këtij muaji jo vetëm janë arkëtuar më shumë të ardhura se shtatori, por edhe 8.7 milionë dollarë më shumë se tetori i një viti më parë.

“Në vetëm 31 ditë jo vetëm kemi tejkaluar planin, por shumë e rëndësishme të theksohet kemi kaluar ndjeshëm shifrën e muajit tetor krahasuar me realizimin e një viti më parë. Pra, Administrata Doganore realizoi planin e të ardhurave për muajin tetor 105% duke arkëtuar 13.244.199. Këtë muaj janë arkëtuar 2.8 miliard lekë ose (rreth 28 milionë USD) më shumë se muaji shtator i këtij viti. Të mos harrojmë se situata e administratës doganore ka qenë e rënduar shumë edhe si pasojë e lëshimit të frerëre të shtetit pas qershorit 2013, me rënie të vazhdueshme të të ardhurave në dogana. E megjithatë lajmi i mirë është se nga janari realizimi i muajit tetor 2013 është gjithashtu 875 milionë lekë (ose rreth 8.7 mln $) më i lartë se tetori 2012”, thotë Spiropali.

Drejtoresha e Përgjitshme e Doganave thotë se realizimi I këtyre të ardhuarve në masë të kënaqshme, ka ardhur si rezultat i punës së qeverisë se. Ndërsa shton se ky është rezultati I parë në rrugën e rimëkëmbjes së sistemit doganor.

“Ky 2.8 mld lekë i arkëtuar më tepër këtë muaj, i cili realisht i ka munguar buxhetit të shtetit muajin e kaluar apo një vit më parë, është padyshim rezultati i parë i frymes së re në qeverisjen e vendit dhe i fillimit të rimëkëmbjes së sistemit doganor, por mbi të gjitha i fillimit të prerjeve të lidhjeve të paligjshme, korruptive dhe nepotike që kanë brejtur sistemin doganor. Siguroj se ky lajm i mirë është vetëm i pari dhe lajme të mira do kemi edhe në fund të nëntorit e të dhjetorit po ashtu, me rritje të mëtejshme në dy muajt e ardhshëm”, vijoi Spiropali.
 
Duke u ndalur tek situata e vështirë e trashëguar nga qeverisja e mëparshme, Spiropali tha se tashmë në adminsitratën doganore “ka njerëz profesionistë e të gatshëm për t’i shërbyer me përkushtim ligjit, shtetit dhe sipërmarrësve”.

Ndërsa garanton se “Ne do bëjmë pëerpjekjet maksimale për mbushjen e një zvogëlim të konsiderueshëm të boshllëkut që është krijuar në buxhetin e shtetit në 9-mujorin e parë të këtij viti. Dhe rritja e besimit në sistem dhe tek sistemi, shoqëruar me fillimin e rimëkëmbjes së ekonomisë do të sjellin më shumë të ardhura padyshim në arkën e shtetit vitin në vijim”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)