Nga janari i vitit 2024, për herë të parë, të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime profesionale, që ishin trajtuar deri më tani si biznes i vogël dhe nuk paguan tatim mbi fitimin, do të taksohen mbi të ardhurat vjetore.

Ligjin që mori vulën e Kuvendit në mars të 2023-shit, Ministria e Financave e ka qartësuar përmes një udhëzimi ku specifikohet se profesionistët e lirë do të taksohen në dy fasha.

Kategoria e profesionistëve të lirë me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, do të tatohet 15%, ndërsa profesionistët e lirë me fitime mbi 14 milionë lekë to tatohen 23%.

Ky vendim që penalizon 16.700 profesionistë të lirë (sipas shifrave të Ministrisë së Financave) krijon diskriminim të tyre në raport me biznesin e vogël, që aktualisht për fitimin deri në 14 milion lekë, nuk paguan taksa. Atëherë  përse profesionet e lira për të njëjtën xhiro vjetore, deri në 14 milion lekë, duhet të paguajnë taksë 15%?

Me ligjin e ri, profesionistët e lirë që ofrojnë shërbimin e tyre pranë një ose më shumë kompanive do të paguajnë më shumë se biznesi i madh, i cili për xhiron vjetore mbi 14 milionë lekë, paguan tatim 15% pavarësisht sesa para grumbullon, pa asnjë fashë tjetër.

Ekspertët thonë se nëse tatohen në mënyrë progresive profesionet e lira, krijohen premisa për korrupsion, shkaktohen diferencime dhe diskriminim midis biznesit kundrejt një profesionisti.

Këta persona deri tani, pa hyrë ligji në fuqi, rezultojnë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si person fizik, dhe paguajnë vetëm kontributet e sigurimeve shoqërore.

Ekspertët listojnë disa profesione që do jenë pjesë e skemës, si avokatët, fotografët, arkitektët, kontabilistët, dentistët, farmacistët, dizajner, përmbaruesit, videografët, specialistë IT etj.

Për të marrë një shembull. Një fotograf i punësuar pranë një kompanie ku merr pagë mujore, paguan tatim në sajë të nivelit të rrogës që ka. Por një fotograf i vetëpunësuar që ofron shërbimin e tij për disa kompani, aktualisht nuk paguan tatim për të ardhurat që fiton. Me ndryshimin e ligjit, ai do të konsiderohet si biznes që duhet të paguajë taksa në varësi të fitimeve

Për herë të parë –Ministria e Financave bën pjesë të skemës të re të taksimit, edhe personat që përdorin platformat elektronike si Tik-Tok, Instagram, You Tube, Google dhe që marrin fitime prej tyre. Ata do të tatohen 15%.

E njëjta taksë, 15%, është edhe për personat që japin banesa me shërbimin Airbnb dhe Booking. Pra thënë më thjesht, një qytetar që ka nxjerrë në booking, marrim shembull, një dhomë pushimi, në fund të vitit, do paguajë taksë 15% mbi fitimin vjetor.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)