TEL AVIV – Ariel Kunio dhe Avinatan Or nuk kanë parë askënd për dy vjet: ata nuk e dinin as përmasën e asaj që kishte ndodhur më 7 tetor, e as nëse dhe si bashkëshortet e tyre përkatëse, Arbel Jehud dhe Noa Argamani, kishin mbijetuar, pasi i panë t'i merrnin para syve të tyre.
Or ka humbur midis 30 dhe 40 për qind të peshës trupore: për Kunio nuk ka një përqindje të saktë, por mjekët janë të shqetësuar. Elkana Bohbot ka qenë i lidhur me zinxhirë për dy vjet, gjithmonë nën tokë, në tunele: ai ka probleme me stomakun, sepse gjatë javës së fundit para lirimit është detyruar të hajë shumë për të tentuar të zbusë efektet e kequshqyerjes së dy viteve të fundit. Si ushtar – u mor peng ndërsa ishte në shërbim në tankun e tij – Matan Angrest është rrahur disa herë deri në humbje ndjenje, Gali dhe Ziv Berman – binjakë – nuk kanë ditur asgjë për njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës së robërisë, ndërsa David Kunio (vëllai i Arielit) ka qenë i mbyllur për një kohë të gjatë në një kafaz.
Izraeli u zgjua këtë mëngjes me detajet e para të rrëfimeve të njëzet pengjeve të liruara të hënën, dhe historitë e tyre, së bashku me vonesën në dorëzimin e trupave të atyre që kanë vdekur në robëri ose janë vrarë më 7 tetor 2023, kanë krijuar një valë zemërimi në një vend që deri dy ditë më parë ishte i dehur nga gëzimi. Por edhe një valë indinjate, të cilën Benjamin Netanjahu u përpoq ta parandalonte duke vizituar disa nga të liruarit – por që megjithatë e përfshiu atë plotësisht.
“Marrëveshja që e solli djalin tim në shtëpi u nënshkrua pavarësisht nga disa elementë të udhëheqjes, jo falë tyre. Dhe të mendosh se ishin gati ta linin pas, më dhemb”, tha Anat Angrest, nëna e Matanit, duke folur për gazetarët në një konferencë shtypi në spitalin ku djali po rikuperohet.
“Në javët e fundit, luftimet janë zhvilluar fjalë për fjalë mbi kokën e Omrit në Gaza, vetëm falë Zotit arritëm në një marrëveshje para se të kishte një fund tragjik”, shtoi Lishay Miran-Lavi, bashkëshortja e Omri Miranit.
“Kjo është fillesa e rrugës sonë të rimëkëmbjes si popull. Një rrugë që nuk mund të përfundojë derisa të kthehet pengu i fundit dhe derisa të krijohet një komision hetimor shtetëror,” tha ajo.
Kërkesa për një komision hetimor mbi dështimet e 7 tetorit deri më tani nuk ka gjetur përgjigje nga qeveria, e cila gjithmonë ka cituar situatën e pengjeve si arsye për shtyrje. Por tani duket se do të marrë hov, të paktën gjykuar nga fjalët e familjeve.
Që gjendja e atyre që do të ktheheshin nuk do të ishte e mirë, e kishin paralajmëruar prej ditësh mjekët dhe oficerët e ngarkuar me menaxhimin e lirimeve: në jug, përgatitjet ishin bërë në mënyrë që, në rast nevoje, transportimi në spitale të ishte i menjëhershëm, pa kaluar as nga baza e Re’im, ku prisnin familjet. Kishte karroca, barela dhe paterica: nuk u përdorën. Njëzet burrat dolën më këmbët e tyre dhe, të zhytur në festë dhe në videot e lotëve e përqafimeve, vendi nuk i pa në sy. Dje e bëri, dhe reagoi me zemërim.
Sipas vlerësimeve të mjekëve, do të duhen javë para se disa nga ish-pengjet të mund të dalin nga spitalet. E pamundur të bëhen parashikime për rikuperimin psikologjik: në përvjetorin e dytë të masakrës së 7 tetorit, një nga të mbijetuarit e atyre ditëve, Roei Shalev, kreu vetëvrasje. Ai nuk mund ta kapërcente ndjenjën e fajit që kishte mbijetuar nga e dashura e tij. Një ditë më vonë e bëri të njëjtën gjë edhe nëna e njërit prej djemve të vrarë atë ditë. Në atë rast, kritikat ndaj qeverisë për mënyrën se si kishte trajtuar çështjen e stresit post-traumatik të të mbijetuarve ishin jashtëzakonisht të ashpra.
Shumë shpresojnë që tani gjërat të ndryshojnë, pasi plagët jo vetëm fizike të atyre që janë kthyer nga Gaza janë treguar drejtpërdrejt në televizionin kombëtar. Një paralajmërim në këtë drejtim mbrëmë erdhi nga dikush që më 7 tetor 2023 humbi shumë, jashtëzakonisht shumë, dhe ende e ka të vështirë të rifillojë.
“E kuptoj euforinë dhe gëzimin, por pas dy vitesh njerëzit po kthehen tek ne të shkatërruar dhe as nuk e dimë nëse do të rimëkëmben ndonjëherë nga këto dy vite,” tha Dana Silberman-Sitton, motra e Shiri Bibas dhe nëna e të vegjëlve Kfir dhe Ariel, të vrarë në javët e para të sulmit izraelit mbi Gazën.
“Duhet të shohim përtej kësaj dite të lumtur, përtej së nesërmes, dhe të kuptojmë se asgjë nuk ka mbaruar dhe se ende ka shumë për t’u frikësuar.”/La repubblica
Komente












Genjejne si Cifutet dhe bota ju beson.Gje e trishte .
Përgjigjuu vrane 100.000 palestineze dhe askush nuk i merr ne interviste. po ata mijera te burgosur palestineze? ai djali autik? mjeket dhe infermieret? pse nuk e thoni qe 1600 veta staff i OKB jane vrane ne keto 2 vite? po gazetaret qe raportonin nga Gaza e te vrare nga izrael? pse izrael ka censure per mediat ne izrael? boll e viktimizuat kriminelin.
Përgjigjuthoni shyqyr qe jeni gjalle ..po pengjet palestineze nuk i pyeti njeri se si i kane trajtuar? apo nuk jane njerez...turp
Përgjigju