Kësaj here nuk bëhet fjalë për një shaka. Në fund, presidenti rus Vladimir Putin i ka telefonuar me të vërtetë yllit anglez të popit Elton John duke pranuar që ta takojë personalisht në Kremlin për të diskutuar çdo lloj argumenti. John ishte shprehur se donte të fliste me Putin për sjelljen qesharake të këtij të fundit për të drejtat e gay-ve. Këtë herë ai ka marrë një telefonatë të vërtetë nga presidenti rus, ndryshe nga disa ditë më parë, kur John ra viktimë e një telefonate false.
 
Lajmi është konfirmuar nga një zëdhënës i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili shtoi se data e takimit do të përcaktohet në bazë të impenjimeve respektive. PO-ja e Putin vjen pas kërkesës së vetë këngëtarit britanik, i cili kishte shprehur publikisht dëshirën për të folur me presidentin rus për të drejtat e homoseksualëve. Kjo veçanërisht pas shakasë telefonike që një prej prezantuesve të famshëm të televizionit rus i kishte bërë popstarit.
 
Në atë rast, Vladimir Krasnov dhe Alexei Stolyarov interpretuan zërat e presidentit rus dhe të zëdhënësit të tij. Me këtë rreng ata e ftuan Elton John që të merrte pjesë në Paradën e homoseksualëve në Moskë në muajin nëntor. Një bisedë, që Elton John e përshkroi si një “moment të mrekullueshëm të jetës së tij” duke bërë postime të shumta në Instagram.
 
Pak kohë më pas Elton John iu rikthye çështjes duke parë anën pozitive të saj: “Nëse ky incident i pakëndshëm shërbeu për ta vënë para reflektorëve këtë temë jetësore, atëherë jam i lumtur që u tallën me mua”, - ka thënë këngëtari.
 
Megjithatë edhe në rastin e shakasë, John pati ripërsëritur qëllimet e tij duke thënë “E dua Rusinë dhe oferta ime për të folur me presidentin Putin për të drejtat e LGBT-ve është ende e vlefshme. Do të jem gjithmonë në krah të atyre që diskriminohen”. Por ndërkaq duket se hapja e Moskës ndaj të drejtave të këtij komuniteti do të jetë tepër e vështirë në mos e pamundur.
 
Mjafton të mendosh që në të njëjtën ditë të telefonatës, në Rusi, kompania e famshme Apple ka përfunduar nën hetim e akuzuar për propagandë homoseksuale.
 
Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)