Nazmi Gripshi priti moshën 28-vjeçare për të debutuar me Kombëtaren, ndërsa Klisman Cake moshën 26-të. Të dy kanë qenë pjesë e moshave U-21, por pa pasur fatin të vishinin fanellën e ekipit A më herët.
Pas fitores 4-2 kundër Jordanisë, në miqësoren e zhvilluar të martën në Tiranë, Nazmi Gripshi tha se ekipi kuqezi ka shumë cilësi, çka të fton që të ngrihesh në nivelin e tyre.
"Jam shumë i lumtur, sepse ëndrra ime u bë realitet që të debutoj me ekipin A. Jam i emocionuar dhe i lumtur që në këto dy ndeshje kemi marrë maksimumin. Është e vërtetë që kemi një grup lojtarësh që kanë përvojë të mirë, kanë kualitet. Nëse luan me ta, ata të mbështesin dhe do apo nuk do, do përshtatesh me kualitetin e tyre. I përgëzoj të gjithë futbollistët për atë që kanë bërë në fushë, kemi edhe dy sfida", tha Gripshi.
Nga ana tjetër, Klisman Cake u pa sikur kishte vite që luante me Kombëtaren në qendër të mbrojtjes. Me personalitet dhe cilësi, 26-vjeçari duket se ka bërë me "dhimbje koke" Sylvinhon për ftesat në muajin nëntor.
"Ishte një debutim i mirë, rëndësi ka që u kompletua edhe me fitore, që e zbukuroi akoma më shumë. Jam i emocionuar. Që në vegjëli kur luaja në rrugë, ëndrra ime ishte që të vishja fanellën e Kombëtares. Tani u realizua. Në stërvitje me Kombëtaren, jeta të bëhej më e thjeshtë. Ishte shumë e lehtë të luaje me lojtarë të këtij niveli", tha Klisman Cake.
Kombëtarja luan dy sfidat e fundit kualifikuese në Grupin K gjatë nëntorit. Duelet kundër Andorrës në udhëtim dhe Anglisë në Tiranë do vendosin fatet për vendin e dytë, që të dërgon në play-off.
Komente












