Normalisht ata duhet të ishin njerëz fatkeqë, njerëz të dëshpëruar, të zhytur në halle të panumurta, njerëz që duhej ta vinin rrallë buzën në gaz prej së keqes që i ka gjetur. Mirëpo, në të kundërt me këtë, ata janë persona të lumtur, plot gaz e hare, persona që shijojnë lumturinë e tyre, persona që demonstrojnë vetëkënaqësinë e tyre. Për faktin e thjeshte se, ndonëse aktvitetet me të cilat janë marrë kanë falimentuar, ata tashmë janë njerëz të pasur.

Personi më domethënës dhe ilustruesi më i mirë i kësaj kategorie është Rezart Taçi. Me tri kompani në listën organeve tatimore prej 170 kompanish të falimentuara, ai sërish bëhet personazh nëpërmjet ekpit të Parmës në Itali. Një ekip italian që ndodhet në vështirësi të mëdha financiare e Taçi- siç thuhet e shkruhet - ka blerë të drejtën për të investuar e menaxhuar atë. Pa e blerë mirë, rezulton se e ka shitur sërish atë.