Të gjitha fijet që lidhin Ilir Metën me aferën CEZ-DIA, si janë vjedhur paratë publike me letra false, djali i hallës së Kryemadhit udhëtime me Ismailajn  

Të gjitha fijet që lidhin Ilir Metën me aferën CEZ-DIA, si janë vjedhur paratë publike me letra false, djali i hallës së Kryemadhit udhëtime me Ismailajn  

Kreu i partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe Kastriot Ismailaj

TIRANË- Ilir Meta u shfaq nervoz dje në derën e SPAK-ut, pasi u mor në pyetje përreth tre orë për aferën e famshme CEZ-DIA. Në deklaratën për mediat, Ilir Meta tha një gjysmë të vërtetë dhe një gënjeshtër të mirëfilltë. Ish-presidenti deklaroi se nuk kishte lidhje me privatizimin e OSSH, që Berisha shiti tek CEZ. Është e vërtetë që Meta nuk ka lidhje me shitjen korruptive së 75% të aksioneve të shoqërisë shtetërore OSSH nga qeveria Berisha tek CEZ të në vitin 2009. Por, Ilir Meta nuk është akuzuar për implikim në procesin e privatizimit. Ilir Meta është akuzuar për implikim dhe përfitues në aferën CEZ-DIA. 

Afera CEZ-DIA nuk ka lidhje me privatizimin, por me një operacion korrupsioni pas privatizimit. Ilir Meta tha se dje se nuk ka lidhje me aferën CEZ-DIA. Kjo deklaratë është një gënjeshtër, pasi një grup faktesh dhe rrethanash e vizatojnë Metën si orkestruesin e vjedhjes CEZ-DIA. 

Një vit pasi Sali Berisha dhe ministrat e tij firmosën privatizimin OSSH, me një mijë pika të errëta dhe favorizime, në skenë u shfaq biznesmeni Kastriot Ismailaj, i cili krijoi kompaninë Debt International Advisory (DIA), në Ishujt Virgjin Britanikë, në 7 korrik 2010. Kastriot Ismailaj ishte një nga njerëzit e besuar të Ilir Metës, fakt i cili nuk është mohuar as nga Meta dhe as nga Ismailaj. 

Më 4 gusht 2010, DIA regjistroi degën e saj në Tiranë, me administrator Ismailajn. Drejtor ekzekutiv i kompanisë ishte Ervis Mataj, ish kryetar i LRI-së, një personazh tepër i besuar për Ilir Metën, edhe pse dje e konsideroi ‘mashtrues ordiner’. Ervis Mataj besohet se është kthyer në bashkëpunëtor i SPAK-ut. 

Në shtator 2010, CEZ hyri në partneritet me DIA për të mbledhur faturat e papaguara të energjisë elektrike. Për të fituar kontratën me CEZ, DIA përdori dokumente false. E gjithë kontrata, sipas prokurorëve, bazohej në gënjeshtra, sajesa dhe dokumente false, ndërsa kompania DIA eksitonte vetëm në letra. Sipas ‘kontratës’, CEZ duhet t’i paguante DIA një tarifë fikse 512 mijë euro në muaj, plus edhe tarifën e ‘suksesit’. Ismailaj paraqiste letra false, merrte paratë dhe i zhdukte.

Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qen mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё shoqërisë “CEZ Shpërndarja”, në bashkëpunim me përfaqësues të CEZ. 

Po nga buronin paratë që CEZ i jepte DIA-s pa bërë asnjë punë? A mundet që një kompani private t’i japë një mashtruesi 512 mijë euro çdo muaj, pa bërë asgjë? 

Këtu qëndron nyja e korrupsionit. Pasi CEZ nisi t’i jepte para DIA-s, del në pah ERE, e cila vendos të ulë çmimin e energjisë që KESH i shiste CEZ. Vendimi i marrë nga ERE në dhjetor të vitit 2010 ulte çmimin e shitjes së energjisë nga KESH tek CEZ me 27 për qind; nga 2.03 lekë në 1.48 lekë. Ndërsa CEZ ua shiste me të njëjtin çmim abonentëve fundorë, që ishin familjet shqiptare. Ky vendim u mor nga ERE në dhjetor të vitit 2010, pasi DIA ishte paguar 1.48 milionë euro nga CEZ shpërndarje, në tre pagesa prej 485,000 euro për raportin fals të identifikimit të debitorëve. Pra, CEZ favorizohej me dhjetëra milionë euro nga ERE që ishte nën ndikimin politik të Ilir Metës dhe Sali Berishës, nga ana tjetër CEZ i jepte një pjesë të parave DIA-s, e cila ishte e lidhur me Ilir Metën. 

Po cilat janë dëshmitë dhe fakte që implikojnë Ilir Metën? 

Ismailaj-Mataj të kompanisë DIA, njerëz të afërt të Ilir Metës 
Dy njerëzit kryesorë të kompanisë DIA, Kastriot Ismailaj dhe Elvis Mataj, i pari administrator i kompanisë i dënuar me 11 vite burg, dhe i dyti drejtor ekzekutiv i DIA-s, ishin njerëz të besuar dhe të afërt të Ilir Metës. Kastriot Ismailaj kishte hyrje-dalje familjare me Ilir Metën dhe një raport financiar të dyshimtë. Nga ana tjetër, Ilir Meta i kishte besuar në vitin 2005 Elvis Matajt drejtimin e LRI, forumit rinor të partisë së tij, forum për të cilin Meta është krenuar gjithmonë. 

Akuza në arbitrazh: Meta mori ryshfet nga Ismailaj 
Avokatët që përfaqësonin OSHEE-në në arbitrazhin ndërkombëtar në Vjenë, pretenduan se kishin prova që Ilir Meta kishte ryshfet nga biznesmeni i akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash, Kastriot Ismailaj. Zyra ligjore e kontraktuar nga OSHEE-së për t’u mbrojtur në çështjen me DIA-n, Clifford Chance pretendoi se Meta ka qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh, të përfituara nga kompania e mbledhjes së borxheve DIA, prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011. Brenda transfertave [përfituesve] të lekëve që DIA mori nga CEZ Shpërndarje ishin…politikanë të rëndësishëm shqiptarë, përfshirë një ish kryeministër i proceduar për korrupsion…si dhe një zyrtar i ERE,” shkruan Clifford Chance në ankimimin e saj në gjykatë. Më pas, pas presionit politik të ardhur nga Tirana, Clifford Chance i tërhoqi akuzat ndaj Metës. 

Jozef Hejsek: Ismailajn na e rekomandoi Ilir Meta
Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka deklaruar se Ilir Meta kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ Shpërndarje. Jozef Hejsek ka dëshmuar se Ismailaj u trajtua si njeriu i qeverisë shqiptare për mbledhjen e borxheve të vjetra, pasi u prezantua si aleati i ngushtë i ministrit të Punëve të Jashtme në atë kohë, Ilir Meta dhe i ish-kryeministrit Sali Berisha nga ambasadori shqiptar i asaj kohë në Pragë, Qazim Tepshi. Jozef Hejsek ë bëri këtë dëshmi më 26 tetor 2014 në Pragë për llogari të avokatëve të studios ligjore të OSHEE-së, Clifford Chance, në kuadër procesit të arbitrazhit që po zhvillohej në gjykatën e Vjenës, ku kompania e Kastriot Ismailajt, Debt International Advisory, kërkonte 130 milionë euro dëmshpërblim për prishjen e kontratës nga OSHEE, pas largimit të CEZ. Hapja e procesit penal në Tiranë detyroi Kastriot Ismailajn që të tërhiqej nga arbitrazhi.

Dritan Prifti: Meta udhëtoi në Çeki për kontratën CEZ-DIA
Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Meta, më pas armiku i tij më i përbetuar, ka rrëfyer se Meta ka udhëtuar pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. “Ideja ishte që CEZ kishte 200 milionë euro borxhe të pa mbledhura dhe, nëse ai i mblidhte ato, merrte gjysmën”, tha Prifti. Ish ministri i Energjetikës e bëri këtë deklaratë 4 vite para se të plase skandali. Në vitin 2015, Prifti ka dhënë edhe një dëshmi në prokurori për lidhjet e Metës me Kastriot Ismailajn. Prifti tha se kanë marrë para nga Kastriot Ismailaj edhe 5 deputetë të LSI-së. “Nga llogaria e DIA-­s kanë shkuar para drejtpërdrejt për persona që sot janë deputetë të LSI­-së. Një prej tyre është deputeti i Shkodrës Agron Çela. Nga DIA kanë shkuar para për kompaninë e Agron Çelës që sot është deputet i LSI­-së, për arsye se do të bliheshin ca makina, ca motora që nuk u blenë kurrë, por para që kuptohet janë përdorur pastaj për fushatën zgjedhore të vitit 2011-­të”, tha Prifti.

Gruaja e Ismailajt: Meta vinte në shtëpinë tonë
Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i nisi Kastriot Ismailajt. “Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika, shpesh herë vinin në shtëpinë tonë....Mjafton që të shohësh SMS-të që Ilir Meta i dërgonte Kastriotit në vitet 2010, 2011 dhe e kupton lehtësisht këtë. Kastrioti ka qenë gjithashtu shpesh nën presion për të dhënë para nga bizneset e tij, për të ushqyer fushatat elektorale”, tha ajo. Pas këtyre deklaratave, Vojsava nuk pranoi të shprehej më për media, pasi kishte marrë kërcënime serioze.

Berisha: Meta shfrytëzoi postin zyrtar për xhepin e tij
Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Duke besuar dëshminë e Jozef Hejsek, Berisha i bëri thirrje Prokurorisë që të merrte menjëherë nën hetim Metën, i cili i ka mohuar gjithnjë akuzat. “Një dëshmi tjetër vjen nga ish administratori i CEZ se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hajsek për Kastriot Ismailajn, duke shfrytëzuar kështu postin zyrtar dhe mashtruar për interesin e xhepit të tij. Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm nuk ka pasur tagër për të negociuar me CEZ për asnjë lloj problemi. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nise hetimin e menjëhershëm për Ilir Metën për këtë aferë korrupsioni ndërkombëtar. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos pajtohen kurrë me qëndrimin e oligarkëve Rama-Meta që duan me imunitet të bllokojnë drejtësinë”, tha Berisha.

Meta mesazh Ismailaj: Dua urgjent 200..., mos harro 
Në qershor të 2019, Shqiptarja.com publikoi një investigim, ku Ilir Meta, një ditë para zgjedhjeve te 2009, i kërkon me urgjencë Kastriot Ismailaj një shumë prej 200 mijë euro. Një ditë para zgjedhjeve parlamentare në 22 qershor 2009, Meta i thotë Kastriotit në orën 17:57 me një SMS me tekst: “Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”. Mesazhi doli në pah nga një dosje e prokurorisë për krimet zgjedhore. Gjatë përgjimeve, doli në skenë Kastriot Ismailaj. Mesazhi konfirmonte për një raport financiar mes Kastriot Ismailajt dhe Ilir Metës. 

Kastriot Ismailajt udhëtime jashtë vendit me njerëzit e ngushtë të Metës dhe Shkëlzenin 
Referua sistemit TIMS, Kastriot Ismailaj ka udhëtuar jashtë vendit jo vetëm me Ilir Metën, por edhe me njerëzit më të ngushtë të Metës. Djali i hallës së Monika Kryemadhit, Majlind Lazimi, ish drejtor i Postës kur LSI-ja ishte në pushtet dhe më pas këshilltar i Ilir Metës në Presidencë, ka udhëtuar jashtë vendit me Kastriot Ismailajn. Gjithashtu, gjatë viteve 2009-2011, Ismailaj ka udhëtuar shpesh me Shkëlzen Berishën nga Tirana për në Vjenë dhe anasjelltas nga Vjena në Tiranë. Kryeqyteti vjenez njihet si tranzit për në Pragë të Çekisë, ku dyshja pretendohet se ka zhvilluar tratativa me kompaninë CEZ si për privatizimin ashtu dhe për përfitime të mëtejshme nga kontrata me shtetin shqiptar.

B.K./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ali: 24/02/2023 03:43

    Sa fije qe i gjejne keta Likes mer jahu, aman traret e Rames me aferen enfbi nuk i gjejne dot. Cudi cudi

    Përgjigju
  • ymeri: 23/02/2023 19:48

    HAPU DHE TE FUTEMI HAJDUTI ME I QELBUR I SHQIPERISE ILIR META THERRET KAPENI HAJDUTIN....HABITEM CFARE PRET SPAKU QE NUK E ARRESTON KETE FELLIQESIRE....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Ardian Ismajli refuzon rinovimin, Napoli e merr në janar! Empoli gjen zëvendësuesin

Ardian Ismajli refuzon rinovimin, Napoli e merr në janar! Empoli gjen zëvendësuesin