Mijëra studentë shqiptarë do të protestojnë të hënën e 18 majit, në orën 16:30, para Urës së Gurit në Shkup, duke kërkuar me ngulm që të mbajnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Protesta organizohet me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, ndërsa mesazhi kryesor është mbrojtja e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.
“Të nderuar sportistë, artistë dhe figura publike, ju që me sukseset, talentin dhe punën tuaj keni bërë krenar çdo shqiptar, sot studentët kanë nevojë për zërin dhe mbështetjen tuaj. Kjo protestë nuk është kundër askujt. Është protestë për mbrojtjen e gjuhës shqipe, dinjitetit dhe të drejtave tona si qytetarë të barabartë. Të hënën, më 18 Maj, në ora 16:30, duke filluar nga Ura e Gurit në Shkup, hajdeni të protestojmë bashkë. Në krah të studentëve, në krah të shqiptarëve!”, thuhet në thirrjen e studentëve.
Protesta, e dyta e llojit të vet, vjen pas një periudhe të gjatë pakënaqësish dhe iniciativash studentore për respektimin e të drejtave gjuhësore dhe mundësimin e provimit në gjuhën shqipe. Më 6 prill 2026 në Shkup, mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë dolën në zemër të Shkupit dhe kërkuan respektimin e të drejtësisë tyre, çka nxiti kryeministrin Hristijan Mickoski të deklaronte nxitimthi se qeveria e tij po punonte për një zgjidhje dhe shumë shpejt do të kishte një propozim konkret.
Ndërkaq, Bilall Kasami, bashkëkryetar i tani më partisë VLEN tha për Portalb.mk se janë të angazhuar për ta zgjidhur këtë problem, por pa dhënë afat kohor se kur.
“Jemi duke analizuar zgjidhjen e këtij problemi, nuk është i thjeshtë është problemi pak më kompleks sepse nuk bëhet fjalë vetëm për provimin e jurisprudencës, por bëhet fjalë për një sërë provimesh që jepen për përgatitje profesionale, bëhet fjalë për provimin e avokatëve, kontabilistëve, noterëve, pra të gjitha profesionet që kanë provim profesional do duhet që kjo çështje të rregullohet që ai të mbahet në gjuhën amtare”, tha Kasami.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe bëri bujë të madhe kur 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe
Çfarë thotë ligji për provimin e Jurisprudencës?
Sipas mediave në Maqedoni, në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Por kjo kërkesë deri tani ka hasur në vesh të shurdhër sipas mediave.
Si u soll qeveria e Maqedonisë së Veriut?
Ministri i Drejtësisë Igor Fillov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e ka quajtur si presion.
Ndërkaq Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ia tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë se nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues. Ministria e Drejtësisë që duket se nuk e ka ndërmend t’i zbatojë rekomandimet parashtroi ankesë ndaj këtij vendimi.
Edhe Avokati i Popullit doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ky provim të jepet edhe në shqip.
Ministria e Drejtësisë i tha medias Portalb se i ka dorëzuar përgjigje Avokatit të Popullit, në të cilën është shpjeguar në detaje procedura për dhënien e provimit të jurisprudencës, dhe se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo procedurë administrative.
Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse pati deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, ndërroi mendje dhe shpjegoi se ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip, se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venecias. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Çfarë bëri opozita shqiptare?
Opozita shqiptare fillimisht dorëzoi një propozim ligjor duke sugjeruar që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas u tërhoqën nga propozimi/
“Tendenca, qëllimi përfundimtar i shumicës parlamentare, i VMRO-DPMNE-së në koalicion me VLEN është abrogimi i neneve, e dini që ka nismë edhe në Gjykatën Kushtetuese për abrogim të 18 dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Kësaj shumice parlamentare, VMRO-DPMNE-së, kryeministrit Mickoski, i pengon Ligji për përdorimin e gjuhëve, i pengon gjuha shqipe zyrtare në vend, duke parë gjithë këtë situatë, ne vendosëm t’i tërheqim ligjet, jemi thirrur në nenet e Ligjit për përdorimin e gjuhëve që e konsideron gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare ”, tha Rina Ajdari nga BDI.
Ekspertët dhe shoqëria civile ndërkohë vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.
Profesori universitar i juridikut, Bashkim Selmani tha se se gjuha shqipe është kategori kushtetuese dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve e mundësojnë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe.
“Fatkeqësisht kjo e drejtë u është mohuar studentëve shqiptarë pa të drejtë për arsye se gjuha shqipe është zyrtare gjithë aty ku flitet dhe komunikohet në gjuhën shqipe dhe shteti është i detyruar t’i përshtatet të drejtës ligjore”, tha Selmani.
Projekt propozimi që do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka qenë gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u zu më në gojë nga qeveria aktuale.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, dhe prej asaj kohe, në Maqedoninë e Veriut janë ndërruar katër ministra të drejtësisë si Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga. Aktualisht ministër është Igor Filkov.
Komente












Kto jan studenta jo kto patronazhizta e Shqipëris pastaj ankohen
Përgjigju