Të hënën mblidhet Asambleja e ASH
Fuga: Të ikë kryetari, pastaj reforma

Të hënën mblidhet Asambleja e ASH<br />Fuga: Të ikë kryetari, pastaj reforma
Ditën e hënë në datë 11 shtator do të zhvillohet mbledhja e jashtëzakonshme e Asamblesë së Akademisë së Shkencave.
 
Mbledhja vjen pas zgjedhjes së kryetarit të ri dhe dorëheqjes së n/kryetarit pas kritikave të forta dhe deklaratës së Ramës për prerjen e fondeve, pasi i cilësoi zgjedhjet farsë.
 
Për të marrë pjesë në mbledhje është njoftuar edhe akademiku Artan Fuga, i cili shprehet në një letër drejtuar sekretarit, se përpara se të zhvillohet mbledhja që ka si qëllim sipas tyre reformimin e institucionit, duhet të japë dorëheqjen edhe kryetari i zgjedhur para një jave.
 
Fuga e konsideron si të nxituar mbledhjen për nisjen e reformës duke thënë se janë duke e trajtuar çështjen në mënyrë sipërfaqësore, ndërsa sipas tij cdo gjë duhet të fillojë nga dorëheqja e kryetarit dhe auditi urgjent.
 
Letra e plotë e Artan Fugës drejtuar sekretarit të Akademisë së Shkencave
 
07.09.2017
Për një reformim të vërtetë, jo hileqar, të Akademisë të Shkencave të Republikës të Shqipërisë
--------------------------------------
Akademik Vasil Tole,
Sekretar shkencor i Akademisë të Shkencave të Republikës të Shqipërisë
Zoti Sekretar,
U vura në dijeni me anë të njoftimit tuaj për mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë që do të mbahet ditën e hënë, datë 11 shtator 2017, ora 11.
Aty paraqitej si rend dite, pikë e parë, ngritja e komisionit të akademikëve për reformimin e Akademisë, sikurse shprehej njoftimi, dhe me kompetenca të plota përfaqësimi dhe negocimi !
Me këtë rast, dëshëroj të ndaj me ju qendrimin tim për sa më sipër.
Kryesia ka strukturuar rendin e ditës, duke e kufizuar atë në mënyrë autoritare te ngritja e një komisioni reforme. Unë kam bindjen se përsëri si kryesi jeni të nxituar, në rrugë pa krye, dhe e trajtoni çështjen në mënyrë sipërfaqësore, po ashtu sikurse kryesia përgatiti mbledhjen e kaluar të asamblesë, për ri-ri zgjedhjen e saj pa kandidatura konkurrenciale, pa bilanc pune, si edhe pa platforma reformimi.
Eshtë Asambleja e Akademisë që vendos se cilat do të jenë hapat e reformimit të Akademisë si edhe për atë se kur i vjen radha krijimit të një komisioni reformimi.
Kryesia kërkon të imponohet duke krijuar përshtypjen se dëshiron t’a përmbylli shpejt e shpejt, sa për sy e faqe, këtë proces që lipset të jetë i thellë, i gjithanshëm, i vërtetë.
E them këtë sepse gjykoj që reformimi i akademisë, nëse bëhet i vërtetë, ashtu sikurse e kërkon opinioni publik, përfaqësuesit politikë të kombit, komuniteti i shkencëtarëve si edhe vetë pushteti ekzekutiv si një nga partnerët prioritarë të Akademisë, akademikë të ndryshëm brenda Asamblesë, përpara sesa të vijë te çasti i ngritjes të komisionit të reformës, duhet të kalojë domosdoshmërisht një etapë përgatitore të cilën kryesia e ka injoruar.
Vetëm pas kësaj faze përgatitore mund të shpalosen idetë reformuese, nëse ka vend akoma për t’a bërë këtë gjë, sepse për përgjegjësi të kryesisë që u ri-rizgjodh, ky proces është tejet i vonuar, i penguar, i censuruar, madje aq shumë saqë rrezikon tashmë vetë funksionin dhe ekzistencën e Akademisë.
Dhe vetëm pastaj hapet një fazë zbatimi dhe eksperimentimi, ku modeli i propozuar të mund të jetë në sprovë dhe të marri të gjitha verifikimet dhe korrigjimet e mundshme.
I gjithë ky proces nuk mund të bëhet sikurse, del se e ka menduar kryesia, në mënyrë të izoluar, por në bashkëpunim dhe transparencë me komunitetin shkencor të vendit, me publikun, si edhe me përfaqësuesit e agjencive publike të vendit.
Prandaj, kam detyrimin përpara vetes dhe publikut t’ju paraqes mendimin dhe kërkesën time që përpara sesa të vendosni në rendin e ditës ngritjen e gjoja komisionit reformues, duhet të parashikoni një fazë parapërgatitore të pazëvendësueshme, pa të cilën procesi reformues do të ishte nul, i papranueshëm, fallco, dhe do ta fuste edhe njëherë tjetër asamblenë në një pozitë të vështirë sikurse ndodhi me ri-rizgjedhjen e kryesisë, ku gjysma e saj, dy a tre ditë pasi u zgjodh me 90 përqind të votave të akademikëve të pranishëm, dha dorëheqjene parevokushme. Dhe mirë bëri ! Një akt mënçurie, por që sipas meje nuk po lexohet si duhet prej kryesisë.
Cilat janë parametrat që dezinjojnë këtë fazë përgatitore në këndvështrimin tim ?
Së pari, dorëheqja e të gjithë kryesisë, duke ja kaluar administrimin e përditshëm për një periudhë katër mujore sekretarit të saj.
As nuk mund të mendohet se mund t’i hapet rruga reformimit të Akademisë të Shkencave nëse kryesia e saj nuk jep dorëheqjen. Dhe kjo, jo vetëm sepse ajo është përgjegjësja kryesore për venitjen e aktivitetit të institucionit, i cili ka humbur besimin publik, por edhe sepse ajo ka penguar të gjitha përpjekjet reformuese brenda saj, për një kohë të gjatë, në mënyrë të vendosur dhe me ndërgjegje, duke :
- lejuar trafiqet e influencave në përzgjedhjen e akademikëve,
- duke bërë të lulëzojnë konfliktet e interesit,
- si edhe duke menaxhuar ndonjë projekt shkencor aty-këtu, jashtë normave të transparencës dhe të thirrjeve publike,
- duke paraqitur gjithashtu një bilanc vjetor krejt amator, pa parametrat e duhur dhe jo të vërtetë,
- bazuar në një platformë jashtë statusit të saj ligjor
- dhe mbështetur në një koncept me mbeturina të theksuara dogmatike dhe të metodologjisë të së kaluarës totalitare.
Por edhe konkretisht, nga vendimi i fundit i kryesisë, del se ajo ose nuk e do një reformim të vërtetë, ose dëshiron ta mbajë atë nën kontroll.
Përgjegjësit e stagnacionit dhe të rënies të Akademisë nuk mund të jenë edhe drejtuesit e procesit të reformimit të saj !
Zoti sekretar !
Ju thoni se komisioni reformator do të ketë të gjitha atributet përfaqësuese dhe negociuese të Akademisë !
Nuk ngopemi dot me lugë të zbrazët sepse personalisht kam më shumë se pesë vjet që përplas kokën në këto lojra !
Nëse përfaqësimin asambleja, sipas propozimit të kryesisë, do t‘a kalojë te komisioni i reformimit, atëhere cfarë i mbetet kryetarit dhe kryesisë të Akademisë ?!
Do të ketë Akademia dy koka përfaqësimi ?
Doni ta fusni Akademinë në një proces pa fund bllokimesh dhe tensionesh mes një komisioni me të drejta përfaqësuese të plota, dhe një kryesiE të zgjedhur nga asambleja për t’a drejtuar atë ?
Kjo mua më paraqitet logjikisht si një taktikë jo e pastër që kryesia të presi në dhomën tjetër sa komisioni të mbarojë reformimin, dhe pastaj t’a rimarri ajo drejtimin , pikërisht atë drejtim që nuk ka dashur ta ndjeki në vite.
Aq më shumë unë nuk kam asnjë besim, që kryesia pas zgjedhjeve farsë të organizuara, pa bilanc, pa kandidatë rivalë, pa platforma serioze pune, nuk do të tentojë t’a influencojë Komisionin reformues, i cili do të punojë me rrezikun e presioneve nga jashtë.
Prandaj, përpara sa të nxitoheni për të kërkuar ngritjen e komisionit reformator, që as e kishit në mendje një javë më parë, ndiqni shembullin e profesor Myzafer Korkutit për të dhênë dorëhqjen e parevokueshme !
Së dyti, nuk mund të ketë asnjë proces reformator, nêse nuk bëhet auditimi i rezultateve të punës dhjetvjeçare të Akademisë dhe kur flas për auditim, që e kam kërkuar edhe publikisht përpara dy vitesh, kam parasysh auditimin shkencor, administrativ, por edhe financiar.
A ka apo jo produkti i Akademisë natyrë të ndjeshme fiktiviteti, a ka eficiencë në përdorimin e fondeve financiare, a ka kujdes për të mirat shpirtrore dhe materiale që ka në administrim, a ka mirëmenaxhim apo ka pasur edhe abuzime me fonde të ndryshme, a ka transparencë dhe normativitet në buxhetet për projektet e ndryshme, a ka akademikë që nuk duhet të ishin akademikë sepse i pengon ligja, a ka honorare që nuk ka vend të ishin paguar, e kështu me radhë.
Si mund të nisim një proces reformimi pa ditur se ku ndodhet administrimi i Akademisë ?
Këtë auditim ne nuk mund ta bëjmë nga brenda sepse do të ishte krejt subjektiv. Ne nga brenda kemi aprovuar bilancin vjetor, e kemi vlerësuar si pozitiv kur ai ka qenë për faqe të zezë.
Prandaj kryesia, në orët që vijnë, përpara sesa të japi dorëheqjen, ose ju si sekretar i saj, t’i kërkoni ministrisë të arësimit dhe kontrollit të shtetit, të dërgojnë ekipet e kontrollit për një auditim të plotë të veprimtarisë të Akademisë. Aq më mirë nëse del pozitiv, por qëllimi është të shohim se ku janë defektet, që komisioni reformator të mund të punojë si duhet.
Së treti, flitet në njoftimin e kryesisë se komisioni reformator do të jetë i akademikëve !
Ende kryesia mendon se reformimi i kryesisë do të bëhet në mënyrë të izoluar nga shoqëria, nga komuniteti i shkencëtarëve dhe nga partneri ynë qeveria.
Kryesia e vuri asamblenë në një pozitë shumë të vështirë kur pas deklarimeve kritike të kryeministrit, nuk i shtyu zgjedhjet për të kërkuar takim me të dhe sqaruar kuptimin e tyre si edhe reflektuar pak për pozicionin e saj ndaj tyre.
Kjo do të kishte qenë maturia e shkencëtarit !
Tani po ndodh përsëri, me kryeneçësi, me inat, e njejta gjë që e dëmton Akademinë e Shkencave të Republikës të Shqipërisë. Ajo nuk është një shoqatë private, as një OJF, por një ent publik, që ende funksionon pothuajse vetëm me paranë publike dhe partneri kryesor i saj si organizatë është qeveria dhe agjenci të tjera publike.
Prandaj, përpara sesa të inicioni dhe nxisni me veprime të papjekura përsëri një kundërvënie të mbrapshtë midis Akademisë të Republikës të Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, çka e keqja më e vogël, do të desha të vinte nga dëshira për lidership, por ama e paqëllimtë dhe jo e yshtur nga background-e politike, kryesia duhet të kërkojë nga shumica parlamentare, nga Kuvendi i Shqipërisë, nga kryetari i qeverisë, nga ministrja e arësimit, se cili është mendimi i tyre dhe vullneti i tyre lidhur me një proces të mundshëm reformimi të Akademisë të Shkencave, e cila në fakt rrezikon, sipas deklaratave të kryeministrit, të mbetet së shpejti edhe pa buxhetin e vet publik që përfiton sikurse cdo agjenci publike, kudo në botë, dhe jo vetëm në ish Bashkimin Sovjetik.
Përndryshe, ju e fusni komisionin reformator që doni t’a ngrini ashtu shpejt e shpejt, edhe asamblenë, në një rrugë pa krye, e lodhni, e shteroni, nuk e lejoni të marri besimin e duhur në vetvete, pra uroj padashje e ridikulizoni pa filluar punë, duke pritur në zyrën ngjitur dështimin e tij.
Prandaj, përpara sesa t’i propozoni këtë veprim të papjekur asamblesë, ju zoti Sekretar, që keni po aq përgjegjësi edhe sa pjesa tjetër e kryesisë në mangësitë e thekshme të funksionimit të saj, merrni takim me autoritetet e përmendura më lart, duke insistuar te fakti që Akademia e Shkencave jo vetëm është një agjenci jetike për fatete shkencës shqiptare, por edhe se ajo ka brenda dhe jashtë vetes të gjitha potencialet për t'u reformuar shpejt, në mënyrë dinamike dhe po e humbur torruan.
Së katërti, unë ju kërkoj zoti Sekretar, akademik Vasil Tole, të bëni të mundur marrjen e rezultateve përfundimtare të procesit të transparencës të figurës të akademikut.
Kjo është mëse e domosdoshme për të pasur procese të brendshme të painfluencuara nga ndikime të fshehta dhe sekrete. Eshtë një proces që kryesia e ka zanafilluar para disa muajsh, dhe ka ardhur koha që në funksionimin e institucionit impakti pozitiv që ky proces do të kishte të fillojë të japi frytet e veta.
Në atë komision reformator nuk mund dhe nuk duhet të ketë potencialisht individë që mund të preken nga kërkesa për pastërti ligjore të figurës publike.
Zoti Sekretar !
Pa kaluar këtë fazë parapërgatitore që vendimi juaj për rendin e ditës të mbledhjes të ardhshme të Akademisë e injoron, as nuk bëhet fjalë për një proces të vërtetë reformimi, të pranueshëm.
Kryesia vazhdon të tregohet jo në lartësinë e duhur për t’a frymëzuar pa paragjykime, pa truke, pa prapamendime këtë proces që nuk ka të bëjë thjesht me Akademinê e Shkencave, por me fatet e kërkimit shkencor në vend. Një lëvizje e mënçur në Akademinë e Shkencave, përtej interesave egoiste që mund të jenë individuale, të pjesëshme ose hera-herës edhe kolektive, do t’i hapte udhë gjithë reformimit të sistemit të kërkimit shkencor. Ai lëngon gjithandej !
Vetëm pasi të kalojë kjo fazë përgatitore, do të vijë radha të shpalosim idetë reformuese, të cilat deritani, në përputhje me etikën akademike dhe radhën shkencore të rendit të gjërave, kemi evituar t’a bëjmë. Por, platforma reformuese ka, serioze, madje ato i keni në variantet sintetike edhe në sirtaret tuaja, ku i keni mbyllur si formë e nëndheshme censurimi, ato janë gjithashtu edhe në sirtaret e ministrisë të arësimit, e cila deritani është treguar e javashtë dhe e leshtë në fuqitë e veta reformuese !
Vetëkuptohet që pa u plotësuar kjo fazë parapërgatitore, në parametrat e veta minimale, si më sipër, unë, si një nga anëtarët e asamblesë, e quaj procesin reformues të destinuar të jetë farsa e farsës, i paradështuar dhe pa vlerë ! Të pamundur !
Kryesia e Akademisë nuk ka të drejtë të marri në rrokullimë të gjithë institucionin !
Ne si akademikë nuk kemi të drejtë të lidhemi pas kolltuqeve të sallës të mbledhjeve ! Mund të vinë të tjerë akademikë që dinë të jenë më të zotët sesa ne !
Akademia dhe ku brez akademikësh jo medoemos janë e njejta gjë !
Akademia nuk ka përse mban peng kërkimin shkencor të vendit !
Dhe shkencëtarët vendas nuk kanë të drejtë të flenë mbi detyrën që kanë përpara kombit !
Ky është amaneti i dijetarëve dhe artistëve tanë të mëdhenj !
Jo tjetër !
Ta dëgjojmë




dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë