Sekretariati i Etikës do të vendosë të hënën për përjashtimin deri në 60 ditë të Sali Berishës nga Kuvendi, ‘ndëshkimi’ i parë për kreun e demokratëve që nga nisja e punimeve të Kuvendit në shtator.
Socialistët kërkuan zyrtarisht të premten, me firmë të 12 deputetëve, ndëshkimin e kreut të PD-së me përjashtim nga jeta parlamentare, pas deklaratës me nota ofenduese të bërë në drejtim të ambasadorit të BE në vendin tonë Silvio Gonzato, pasi ky i fundit kishte bërë thirrje të votohej si pjesë e përafrimit me legjislacionin e BE, ligji për Barazinë Gjinore.
Kjo deklaratë u dënua edhe nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, nga Marta Kos te reagimi i Komisionit Europian ndërsa solli edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama që përmes një statusi në X pati edhe një kërkim falje në drejtim të Ambasadorit Gonzato.
Por, Berisha duket se i ka paraprirë vendimmarrjes së Komisionit të Etikës. Skenari për t’u përjashtuar nga dhjetë në 60 ditë solli propozimin e tij për ngritjen e një çadre para godinës së kryeministrisë.
Të hënën Sekretariati i Etikës do të shqyrtojë edhe kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e Taulant Ballës, që sipas tyre ofendoi dhe përdori gjuhë kërcënuese ndaj deputetëve të opozitës.
Por, nisur nga numrat kjo kërkesë e PD pritet të rrëzohet, pasi anëtarët socialistë janë shumicë në komision.
Komente












