TIRANË- Në nisje të vitit të ri shkollor, të gjitha shkollat në kryeqytet janë dezinsektuar dhe higjienizuar sipas udhëzimeve të OBSH-së, tha kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë mbylljes së turit të inspektimeve në shkollën 9-vjeçare “Misto Mame” në Njësinë 8.
“Misto Mame’ është një nga shkollat me performancën më të lartë në Tiranë. Ndonjëherë, nga mania për t’i çuar fëmijët në shkolla në qendër të Tiranës, harrojmë se ka super shkolla te “Medreseja”. Kjo është një shkollë e ndërtuar nga administrata e Tiranës në 2008 - e theksoj këtë sepse vetëm dy administrata kanë bërë shkolla në Tiranë, administrata e Edi Ramës dhe administrata jonë, se për të tjerët e dimë që, mirë që nuk ndërtuan asnjë shkollë, por nuk të lënë as të punosh. Më vjen mirë që i kemi zbatuar të gjitha procedurat e higjienës, dezinfektimin, dezinsektimin dhe deratizimin e shkollave, pavarësisht mitomanëve që dalin dhe bllokojnë makinat e punonjësve. Procesi është i bazuar në të gjitha udhëzimet e OBSH, të certifikuara nga BE. Qëllimi ynë është që ta bëjmë punën saktë sepse prindërit na besojnë dritën e syrit”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku kishte edhe një apel për prindërit, që ditën e hënë të mos e përdorin automjetin për të çuar fëmijët në shkollë, por të ecin bashkë me ta, për të shmangur krijimin e trafikut.
“Dua ta përdor këtë mundësi për të bërë një apel për ditën e hënë, kur fillon shkolla. E ka bërë këtë apel Policia Bashkiake, Policia e Rrugore, Policia e Shtetit, sepse është shumë shumë e rëndësishme, sidomos në lagje të tilla, kur tani ka edhe shkolla të reja në thuajse çdo lagje, se nuk ka sens t’i hipim makinës për të çuar fëmijët në shkollë. Ato 200-300 metra rrugë, këshilla për prindërit është: Merrini fëmijët për dore, flisni me ta, lehtësojini pak nga emocionet”, tha Veliaj.
Nga dita e hënë do të hyjë në fuqi edhe udhëzimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që përcakton se mjetet e furnizimit të dyqaneve dhe marketeve nuk mund të qarkullojnë nga ora 7:00 deri në orën 9:00.