Sot m'u dhimbs shumë Rexhep Meidani. Sepse e kishin futur në mes, që në pikë të mëngjesit dhe pa pikë mëshire, njëri me lavdërime e tjetri me dekorime, dy personazhet më të papërshtatshëm. Duke e vlerësuar tek ish-presidenti cilësi dhe zgjedhje, që ata vetë as i kanë pasur dhe as i kanë bërë kurrë, për të mos thënë që Rexhep Meidani, për aq sa u angazhua në politikë, ka qenë e kundërta e tyre. Nuk po flas për të tjerat, që kanë të bëjnë me karakterin apo me moralin, sepse gropa bëhet më e thellë pastaj.
Por më e keqja ishte se ata kishin marrë shkas nga ditëlindja e tij për të goditur njëri-tjetrin, a thua se u mungojnë arsyet dhe pretekstet për të vijuar sherrin primitiv midis tyre, i cili nuk mbahet mend kur ka nisur dhe askush nuk e di kur do të mbarojë. Kjo e fundit e bënte dyfish më të padurueshme hipokrizinë.
Natyrisht që unë nuk marr përsipër përjetimet e zotit Meidani për këtë garë të papritur se kush e nderon më shumë si veteran nga ata, të cilët nuk lanë gur pa lëvizur për ta nxjerrë në pension të parakohshëm, që të mos u ngatërrohej më nëpër këmbë. Ai edhe mund të jetë bërë sentimental me kalimin e viteve apo mund hyjë tek ata njerëz, që mezi presin t'u vijë ditëlindja e vet për ta festuar në një mijë mënyra.
Por kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse ata nuk e kanë bërë gjithë këtë "sakrificë" për Rexhep Meidanin. Të ishte për atë, do të ishin mjaftuar me një buqetë me lule apo me ndonjë dhuratë simbolike, që mund t'ia kishin dërguar me postë ose me korrier tek shtëpia. Në këtë rast, ata duan të bëjnë politikë me ditëlindjen e ish-presidentit dhe për këtë na drejtohen ne të gjithëve, që të kujtohemi dhe mundësisht të kuptojmë, se sa njerëzorë dhe mosharrues për vlerat kombëtare janë.
Por puna është se kjo është kthyer në një modë gati të përditshme, në një gjueti përvjetorësh të personaliteteve të gjalla dhe të vdekura, për të cilët thuren himne dhe lavde të rreme, që nuk kanë lidhje me asgjë tjetër, përveçse me fushatat elektorale.
Dhe kjo sigurisht që ta shpif aq shumë, sa po mendoja se si mund të shpëtojnë ata që janë gjallë nga ky fenomen i pështirë i përdorimit politik, se të vdekurit nuk e kanë më këtë mundësi.
Që askush të mos të lexojë në mëngjesin e ditëlindjes së vet fjali patetike, të cilat nuk kanë shumë lidhje me atë vetë, por mbi të gjitha me ata që i kanë shkruar. Si i bëhet të sigurohen ditëlindjet për të mos u keqpërdorur politikisht, njësoj siç sigurohen paditë në gjykata, që zullumi të paktën të ndalet përkohësisht?
PS. Duke i kërkuar shumë ndjesë për këto radhë, Profesor Meidanit i uroj gjithë të mirat në ditëlindjen e tij!