Të lodhur e në fshehtësi, si futen në Shqipëri përmes errësirës refugjatët e ardhur nga Lindja e Mesme

Të lodhur e në fshehtësi, si futen në Shqipëri përmes errësirës refugjatët e ardhur nga Lindja e Mesme

Pak kilometra larg Kapshticës, në Korçë, një ndër pikat më të mëdha kufitare që lidh Shqipërinë me Greqinë, tre burra nxitojnë të fshihen në plantacionet me mollë buzë rrugës, sapo shohin dritat e makinës me të cilën udhëtojmë. Edhe pse ora shënon 04:00 e mëngjesit dhe errësira e bën shumë të vështirë terrenin, ka disa detaje në veshjet e tyre që i bën ata të pangatërrueshëm me banorët andej pari: çanta shpine dhe këpucë të konsumuara. Emigrantë që ikin e vijnë, ajo zonë ka parë prej thuajse 30 vitesh. Por këta të sotmit nuk janë shqiptarë që kërkojnë një jetë më të mirë. Ata janë vetëm tre nga mijëra refugjatët e vendeve si Iraku, Algjeria, Maroku, Siria, Pakistani e Jemeni që po e përdorin tranzit Shqipërinë për të mbërritur në Europën Perëndimore në mënyrë të paligjshme.

Refugjatët nuk duan të bien në duart e patrulluesve të kufirit

Të takojmë e të bisedojmë me disa prej tyre është shumë e vështirë. Në pjesën më të madhe të rasteve ata ndalohen maleve që rrethojnë Kapshticën, aty ku policia shqiptare dhe oficerët e FRONTEX, (Agjencia e Rojes Kufitare dhe Bregdetare e Bashkimit Europian), që nga maji i këtij viti krehin zonën dhe zbulojnë me anë të kamerave dhe dylbinjve termikë çdo lëvizje të dyshimtë. Kategoria e refugjatëve të paligjshëm është edhe më e vështira për t'u pikasur, pasi në ndryshim nga refugjatët që vijnë nga zonat e luftës dhe kërkojnë azil në Shqipëri, ata shfrytëzojnë situatën dhe bëjnë të pamundurën që të mos bien në duart e patrulluesve të përbashkët të kufirit. Në shumicën e rasteve kanë precedentë kriminalë ose janë deportuar nga shtetet e BE-së, ku kanë jetuar për shumë vite, pa asnjë dokumentacion.

Pas shumë orësh në kërkim të tyre, ndeshemi sërish me tre burrat e një dite më parë. Këtë herë, mbase të sfilitur nga ecja e pareshtur dhe nga frika e policisë, ndalojnë pasi makina frenon. Qetësohen sadopak kur mësojnë se kanë të bëjnë me gazetare dhe jo police. Marrin frymë të çliruar, edhe pse dyshimi i shoqëron gjatë gjithë intervistës. I vetmi që flet gjuhen angleze është Miloudi, i cili në momentet e para prezantohet si libanez. Kur krijon pak besim, thotë që ai dhe shokët e tij janë nga Algjeria. Algjerianët nuk gëzojnë emër të mirë për policinë kufitare. Nga Greqia, herë pas herë kanë mbërritur lajme se ata janë problematikë dhe konfliktohen me këdo në kampet e azilit. Madje kanë sulmuar edhe policë. "Jetova 17 vite në Francë, por më kthyen në Algjeri. Nuk mund të jetoja atje, për shkak të sistemit. Prandaj shkova fillimisht në Turqi, më pas në Greqi ku qëndrova rreth dy muaj, e tani jam në Korçë. Pastaj do të shkoj në Mal të Zi, Bosnje, më pas Slloveni…”. Zbulimi i itinerarit revolton dy bashkëudhëtarët e tij, dhe Miloud e ndërpret me kaq informacionin. Kur e pyet nëse do ta ndërmerrte sërish këtë rrugëtim, nëse këtë herë do të kapej nga policia, ai nxiton të mohojë: "Jo, jo. Do e provoj një herë të vetme. Nëse dështoj, nuk e bëj sërish këtë rrugë të rrezikshme” – thotë me bindje për DW.

Me mollë dhe harta të Shqipërisë me vete

Miloud dhe shokët e tij nuk pranojnë të flasin më tepër me ne dhe shpejtojnë për të vijuar rrugën. Në çantat e tyre të shpinës kanë futur mollë nga plantacionet ku janë fshehur këto ditë. Të buzëqeshur, thonë se ato janë të shijshme dhe se kanë qenë ushqimi i tyre kryesor i kësaj "arratisjeje”. Tre bashkëudhëtarët nisen drejt Tiranës e më pas drejt Shkodrës, ku do të kalojnë gjithashtu fshehurazi për në Malin e Zi. Ata duken të mirëinformuar rreth itinerarit që do të përshkojnë.

Në telefonat e tyre ka harta të Shqipërisë dhe kuptohet që e kanë gjetur edhe zgjidhjen për të udhëtuar drejt destinacionit të fundit shqiptar. Me shumë mundësi, me ndonjë taksi "të veçantë”. Taksitë "e veçanta” janë të njohura në zonë. Me 200 Euro, këta refugjatë të paligjshëm udhëtojnë deri në Tiranë. Të paktën këtë na thotë nën zë një banor i zonës, që rrotullon sytë sa majtas djathtas, duke u treguar i kujdesshëm për informacionin që mund t'i prishë punë. Kjo valë refugjatësh duket  se i volit një grupi personash, të cilët tashmë e kanë kthyer në biznes kalimin e paligjshëm të tyre mes kufijve shqiptarë dhe të shteteve fqinje.

Kampi në Kapshticë

Pak kilometra më tutje, patrullimi i përbashkët policor vijon 24 orë, në mënyrë të pandërprerë. Zonat ku kontrollohet më së shumti janë fshatrat e Kapshticës, Tresteniku, Verniku, Poçari dhe "Lugina e refugjatëve”. I bashkohemi patrullës së turnit të natës, e cila njeh në pëllëmbë të dorës zonat ku kalojnë emigrantët e paligjshëm. Ata rrëfejnë histori të shumta nga netët e gjata në terren. "Personalisht më ka prekur shumë rasti i një familjeje nga Iraku. I zbuluam në Trestenik. Ishin çift i ri, dhe gruaja kish lidhur foshnjën mbrapa shpinës, që të mund ta mbante më lehtësisht. Kishin udhëtuar ditë të tëra dhe sapo i ndaluam, na kërkuan ujë për të pirë” – na tregon një ndër oficerët shqiptarë.

Numri i familjeve që vijnë nga zonat e nxehta të luftës është shtuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Pas ndalimit në territorin shqiptar, ata aplikojnë për azil dhe kalojnë në një tjetër procedurë. Më herët, pas qëndrimit një natë në pikën e stacionit kufitar të Kapshticës, ata transferoheshin për në Qendrën e Azilkërkuesve në Babrru të Tiranës. Por duket se dhe aty vendet janë zënë. Numrat gjithnjë e në rritje kanë bërë që së fundmi, ngjitur me këtë stacion, IOM (Zyra Ndërkombëtare për Migracionin) ka ndërtuar, me anë të një financimi të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës, strehime të reja për 60 persona që do të mbajnë statusin e azilkërkuesve.

DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kafsha: 17/10/2019 14:59

    Kthejani grekut urgjentisht! Ushtria të ruajë kufirin!

    Përgjigju
  • Miti: 17/10/2019 14:29

    Qeveria shqiptare ti marri nga Kapshtica dhe ti coje drejt e ne Muriqan, qe tja coje peshqesh Makronit.

    Përgjigju
  • dudi: 17/10/2019 13:53

    keshtu ishim dikur, shum afer, ne shqipetaret!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

New York Times: Votoni kundër Trump, ai është një rrezik për demokracinë

New York Times: Votoni kundër Trump, ai është një rrezik për demokracinë