Të mbrojmë eksportet tona

Të mbrojmë eksportet tona

Porti i Durrësit

Përpara pandemisë, industria e bimëve mjekësore dhe aromatike të Shqipërisë punësonte sezonalisht 90 mijë vetë. Në punësim ia kalonte edhe sektorit më prodhues që kemi, industrisë së veshjeve dhe këpucëve(fasonit). Viti 2022 u mbyll me një bilanc shumë të mirë të kësaj industrie. Eksportet e saj arritën në 66 milionë dollarë, ose 8 përqind më shumë se eksportet e vitit 2021. Mirepo ngjarja e ndodhur ne fund të vitit 2021, ku një subjekt i vogël eksportues i bimëve medicinale është kapur nga policia duke transportuar në kamion edhe lëndë narkotike në kufirin e Malit e Zi, po penalizon me vonesa në kontrolle e kosto shtesë transporti jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në Kroaci. Këtë penalizim e demëtim po e pësojnë të gjithë eksportuesit e konsoliduar dhe të ndershëm shqiptarë, që veprojnë prej 30 vitesh në sektorin e eksportit të bimëve mjekësore dhe aromatike.

Zgjidhja: Dakordësim me autoritetet doganore kroate dhe një skaner doganor me vlerë minimale financiare

Kjo praktikë dëmtuese duhet të ndalet. U deshën muaj që me autoritetet doganore të Malit të Zi të gjehej gjuha e përbashkët dhe eksportuesit shqiptarë të mos pengoheshin. Tani situata po përsëritet në Kroaci dhe koha nuk pret.

Një gjendje e tillë duhet të marrë fund sa më shpejt dhe për këtë duhet të angazhohen drejtuesit tanë më të lartë në Ministrinë e Bujqësisë dhe në Ministrinë e Jashtme dhe të Evropës, pasi në lojë është zbatimi i kontratave të kësaj industrie. Çdo ditë dhe orë vonesë vë në pikëpyetje jo vetëm eksportet e saj, por edhe vendet e punës së dhjetëra mijëra qytetarëve nga zonat më malore dhe të varfra të vendit. Zgjidhjen e ndihmon edhe mundësia që pika jonë doganore e Hanit të Hotit të pajiset me një skaner doganor dhe kontrollet fizike të mallit, duke mos bllokuar më kamionët me orë dhe madje ditë të tëra, si dhe duke  shkaktuar dëme në ngarkesë, për shkak të zhvendosjes së saj. Mjafto një investim i shpejtë dhe i vogël në vlerë financiare prej vetëm disa dhjetëra mijëra euro, për të shmangur humbjet e kompanive eksportuese shqiptare, që, në rast se kjo situatë do të vazhdojë, mund të shkojnë në miliona euro.

Rritja e kapaciteteve përpunuese: e ardhmja e eksporteve tona

Kjo industri, edhe pse është kaq e përqëndruar në eksportet dhe punëson mbi 60 mijë vetë në periudha sezonale, ka përfituar pak ose aspak nga rreth 90 milionë euro të dhëna nga fondet e programit  IPARD 2 dhe nga fondet buxhetore, të përdorura në projektet për zhvillimin rural. Nëse pragu i lejuar i qarkullimit për grante nga BE-ja do të rritet, industria mund të përfitojë nga mundesite e Programit IPARD III te Bashkimit Evropian për vitet 2023-2025.

Bimët mjekësore dhe aromatike janë një pasuri që pak shfrytëzohet nga ne si Shtet. Jo se industria e përpunimit të tyre dhe sipërmarrësit tanë në sektor nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë, por nuk zotërojnë mjetet financiare për investimet e domosdoshme. Edhe pse sot vetëm 20 përqind e bimëve aromatike dhe mjekësore që mblidhen arrin të përpunohet dhe 80 përqind e tyre eksportohet e papërpunuar, eksportet arrijnë në 60 milionë dollarë në vit.

Potenciali: katërfishim i eksporteve!
Dhe të mendosh se sikur 40 përqind të bimëve mjekësore dhe aromatike të përpunojmë, do të arrinim, me vlerën e shtuar në përpunim, në një nivel 130-140 milionë dollarë eksporte në një vit brënda 2-3 viteve të ardhshëm! Por kjo shifër nuk mund të arrihet, nëse industria lihet në mëshirën e kontrolleve fizike nga ana e autoriteteve doganore të vendeve fqinje.

Kjo industri, që ka një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi, tani ndodhet në situatë sfide të jashtëzakonshme. Pandemia ka rritur kërkesën për bimët aromatike dhe sidomos ato mjekësore, pasi një pjesë e çajrave që përgatiten prej tyre ndihmojnë dhe në kurimin e Covid-19. 

Me investimet e tyre prej gati 30 vjetësh, sipërmarrësit shqiptarë të sektorit arrijnë të përpunojnë vetëm 20 përqind të bimëve të grumbulluara. Pandemia nuk e ndali eksportin e bimëve mjekësore. Pavarësisht krizës nga COVID-19, eksportet shënuan rritje. Destinacioni kryesor i eksporteve janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një ndalesë të detyruar në Gjermani, ku shumica e 80 përqind të bimëve të papërpunuara përpunohen, për t’u shitur 3-4 herë më shtrenjtë në tregun amerikan. Kjo është arësyeja pse kamionët e kësaj industrie e kanë të domosdoshme të kalojnë nga Mali i Zi dhe Kroacia, për në Gjermani.

Gjatë vitit 2022, rreth 38 përqind e produkteve të bimëve mjekësore dhe aromatike u eksportuan plotësisht në Gjermani dhe rreth 10 përqind e tyre në Austri dhe Spanjë. Tregu është i etur për shumë më tepër. Përfaqësuesit e këtij sektori të eksporteve tona me shumë të ardhme dhe potencial, shprehen se, sikur të kishim mundësi të ndihmoheshin nga shteti në shtimin e kapaciteteve përpunuese, eksportet “Made in Albania” të bimëve mjekësore dhe aromatike mund të katërfishoheshin, brenda tre viteve 2023-3025!

Bustinat “Made in Albania” të çajrave mjekësore dhe aromatike
Kjo mundësi është reale dhe duhet të kapet nga qeveria jonë. Ministrja e Bujqësisë ka qenë më parë drejtuese e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural(AZHBR), nga kanë kaluar të gjitha projektet e IPARD. Ajo i njeh më së miri shanset që ka kjo industri. Dhe për të mundësuar brenda këtij viti shtim me mbi 70 milionë euro eksporte të pastra të bimëve të përpunuara mjekësore dhe industriale, mjafton të bëhen dy gjëra shumë të qarta dhe të thjeshta: të ndalohet bllokimi dhe vonesa skandaloze e kamioneve të industrisë në doganën kroate dhe të rritet në 7 milionë euro pragu i xhiros për të përfituar grante nga IPARD III. Po u realizuan këto dy masa, kompanitë e sektorit do të arrijnë të nxjerrin produktin përfundimtar, çajin e këtyre bimëeve kaq të çmuara, në bustina “Made in Albania”, për të synuar me këtë produkt tregjet evropiane dhe të SHBA-ve.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • minushe: 27/02/2023 12:19

    te shpresojme qe do degjojne organet pergjegjese...drejtuesit e ministrive perkatese :(

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ U plagos me thikë pas shpine pas sulmit nga 4 persona, kopshtari shqiptar u tregon oficerëve emrin e autorit! Motivi, përleshja tre muaj më parë

Greqi/ U plagos me thikë pas shpine pas sulmit nga 4 persona, kopshtari shqiptar u tregon oficerëve emrin e autorit! Motivi, përleshja tre muaj më parë