Banorët e Lagjes 15 në Durrës, në zonën e Spitallës, janë ngritur në protestë për problemin e mbetjeve urbane, një shqetësim që prej vitesh nuk po merr zgjidhje.
Pranë banesave të tyre, në ish-parkun e urbanëve, Bashkia e Durrësit ka krijuar një pikë tranziti për mbetjet urbane. Mbeturinat grumbullohen fillimisht në këtë zonë dhe më pas ngarkohen në kamionë për t'u transportuar drejt landfillit të Tiranës.
Por për banorët, kjo pikë grumbullimi është kthyer në një burim të vazhdueshëm ndotjeje.
“Çdo gjë, sëmundjet, gjithçka. Është tmerr. Vjen erë shumë e rëndë, nuk durohet. Nuk hapim dot dritaret.”
“Të largohen mbeturinat që të vij unë e fëmijët e mi nga jashtë, të jetojmë këtu.”
“Të na ikin plehrat nga këtu. Kam dy vjet që kam ardhur të jetoj këtu dhe është e tmerrshme. Të dalësh në mëngjes, era plehra, të vish në darkë, era plehra”, shprehen ata.
Ata thonë se situata po përkeqësohet dhe mjedisi pranë banesave është i papërshtatshëm për të jetuar.
“Është e pamundur jetesa. U kërkojmë institucioneve përkatëse të marrin masa për këtë situatë.”
“Asnjë përgjigje, nuk kanë marrë asnjë masë. Janë bërë edhe ndërtimet e reja, asgjë”, thonë ata.
Banorët shprehen të habitur se si, pas largimit të vendgrumbullimit të mbetjeve nga Porto Romano, një tjetër vatër plehrash është krijuar brenda zonës së banuar.
Sipas tyre, problemi është denoncuar vazhdimisht dhe prej vitesh kanë kërkuar zhvendosjen e pikës së grumbullimit, por deri tani pa rezultat konkret. Të kontaktuar nga Report Tv, zyrtarë të Bashkisë së Durrësit deklarojnë se po shqyrtojnë mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje tjetër, me synim zhvendosjen e kësaj pike grumbullimi nga zona e Spitallës.









Komente
Komento