Avokati Spartak Ngjela e cilëson vepër penale përdorimin e të miturve në protestën e dhunshme të PD më 10 shkurt, të thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha

Në një intervistë për "Studio Live" me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Ngjela u shpreh se SPAK duhet të reagojë dhe të hetojë.

"Jo, nuk ka SPAK, është vepër penale. Nuk është problemi që janë të mitur, por nuk kanë aftësi normale, mendore për rrezikun. Ku e dinë ata se çfarë është rreziku, Janë fëmijë. Turp, por nuk ka shtet. Më vjen çudi si nuk po heton SPAK. Është krim që ka vrarë, një lloj vrasje është edhe burgu, edhe arrestimi. SPAK duhet të veprojë, besoj se do veprojë. Në protestën e radhës, nëse vazhdohet kështu, ka mundësi të kalojë në akuzë penale, krim. E di Saliu që fëmijët nuk dalin? Pyeteni njëherë", tha ai.

Sa i takon hetimeve për ngjarje të rënda, si masakra e 21 Janarit, Ngjela deklaroi se këto janë çështje të vështira, ku edhe pse dihet se kush janë fajtorët, nuk ka prova.

“Janë në hava, nuk kanë përfunduar, janë të vështira. Nuk kanë prova, nuk e di çfarë ka ndodhur me këta. Nuk kanë prova, por dinë që është krim. Nuk kanë kurajon ta pushojnë. Opinioni publik e di që është krim, por kjo nuk ka lidhje me procesin penal. Procesi penal do të vërtetojë që kjo është prova dhe e ka bërë ky. E arrijnë dot shtytësin? Kodi Penal, e drejta penale e godet shtytësin për krim. Shpeshherë, shtytësi dënohet më shumë se ai që ka kryer aktin. Shtytësi mund të jetë paguar, me para", theksoi avokati.

Lidhur me me ndryshimet që PS propozoi në Kodin e Procedurës Penale, ku gjykatat të mos pezullojnë ministrat, Ngjela shtoi se nëse vendoset me ligj, quhet e vlefshme.

“Duhet vënë në ligj, po u vu në ligj mori fund. Kështu me urdhërsa qeverie nuk vlen, me akte ligjore nuk vlen. Të shohim sesi do e arsyetojnë. Të shohim dhe nëse këta do e bëjnë këtë, e rrëzon Gjykata Kushtetuese. Ka momente të caktuara kur ajo nuk e shkel dot ligjin se bën vepër penale. Pse nuk e ka pranuar kryeministri? Nuk e pranoi kryeministri për zëvendëskryeministren. Nuk kanë shkelur ligj, ne po flasim në sensin moral dhe politik. Ligji nuk është shkelur, ai e ka në dorë", nënvizoi Ngjela.

Sipas tij, arrestimi i zëvendëskryeministres Belinda Balluku do krijonte krizë në qeveri.

"Krijonte krizë, por e hapte skamion drejt Ramës. Pse? Do dini karakterin e një hetimi të tillë, juridikë. Deri tani ata janë aleatë, por kur vjen çështja te procesi penal, që është burgu përpara, dhe nëse ajo ka vepruar në funksion të Ramës, do ta ketë në mbrojtje. Por që të bëjë ajo si të dojë, pa ditur Rama, është pamundësi absolute. Po kalova dhe më lart se kaq, është fantazi. Le të shikojmë faktin.

Ata kanë shumicën në parlament, ku pyesin ata për PD. Ata kanë 83 deputetë, me 3 deputetë bëjnë 2/3. PD, në vend të qajë hallin e vet që humbi aq thellë, flet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, thonin jugorët", deklaroi avokati Ngjela.