TIRANË- Aty lexon gazetat e mëngjesit, shikon lajme dhe bënë statuse apo komente miqve e tij për politikën.

Thanas Bano është 77 vjeç. Smartfoni që mban dorë është dhuratë nga vajza e djali. Për të, tefeloni është kthyer në mjetin më të afërt të tij informues.

“Unë gjithmonë kam telefona të mirë, sepse unë çdo ditë blija gazeta, sot nuk e blej se e shikoj këtu. Shoh lajme të ndryshme, lajmet plotësojnë kulturën e njeriut, anën sportive ose kulturore, ngjarjet që ndodhin në Tiranë kryesisht, bisedat e turistëve për Tiranën dhe për Shqipërinë. Njeriu ka nevojë të shprehet , të nxjerri dufin sepse njerëzit kanë shumë halle dhe facebook-u është i lehtë për të shprehur mendimet e tyre”, thotë ai.

Nga një analizë e INSTAT përgjatë tre muajve të fundit grup-moshat 16-24 vjeç dhe 25-54 vjeç  përdorin më shumë internet për blerje online të librave, revistave, gazetave. Kurse grup-moshat 55-74 vjeç e përdorin për leximin e lajmeve në gazeta, revista në internet.

Megjithatë të rinjtë janë më të shkujdesur në përdorim e telefonit për qëllime të dobishme. Për Report Tv  një prej tyre thotë se deri në 12 orë në ditë shikon video të ndryshme në Tik-Tok.

“Për asgjë e përdor internetin, shpenzoj 12 orë në ditë vetëm për të parë video.”

“Internetin e përdor për rrjete sociale.”

“Instagram, snapchat, facebook,  për të gjitha i përdor. Për blerje nuk i shikoj rrjetet sociale, por për lajme po.”

Qytetarët thonë se përdorimi i telefonit për qëllime informimi dhe kulturore u shërben atyre për të njohur më shumë rreth asaj çfarë ndodh në kohë më të shpejtë.