Bombardimet vijojnë në qytetin e Gazës. Ato sipas ushtrisë së Izraelit kanë shkatërruar rreth 150 ndërtesa të larta që nga fillimi i operacionit tokësor të hënën në mbrëmje. IDF thotë se mes objektivave kanë qenë tunele, ndërtesa të përdorura nga grupe terroriste, njësi agjentësh dhe infrastrukturë të tjera, por nuk jepen shumë detaje të tjera mbi ofensivën e intensifikuar kundër zonës urbane më të madhe të Gazës.

Rreth 400.000 palestinezë janë evakuuar deri tani nga qyteti i Gazës drejt zonave të tjera të Rripit. Këtë e konfirmon IDF, sipas një vlerësimi të raportuar nga Times of Israel, duke theksuar se rreth një milion palestinezë banonin në qytet përpara se ushtria izraelite të fillonte ofensivën e madhe në atë zonë.

Por Hamasi pretendon të kundërtën. Zyra e shtypit të qeverisë së Hamasit në rrip deklaroi se më shumë se një milion palestinezë mbeten ende në qytetin e Gazës dhe në veri të Rripit, duke refuzuar zhvendosjen e detyruar drejt jugut. Sipas deklaratës është regjistruar një lëvizje në drejtim të kundërt, me mbi 15.000 persona që janë kthyer në qytetin e Gazës për shkak të kushteve të papërballueshme të jetesës në jug.

BE në kuadër të përpjekjeve për të zbutur krizën humanitare në Gaza propozoi një paketë sanksionesh që godet edhe Hamasin edhe Izraelin. Përfaqësuesja e lartë për politikën e Jashtme Kallas shpjegoi se çfarë dhe kë synon ajo.

"Sot, paraqita një paketë të fuqishme sanksionesh kundër terroristëve të Hamasit, ministrave ekstremistë të qeverisë izraelite dhe kolonëve të dhunshëm. Komisioni miratoi një propozim për të pezulluar pjesërisht koncesionet tregtare. Dua të jem shumë e qartë: qëllimi nuk është të ndëshkohet Izraeli. Qëllimi është të përmirësohet situata humanitare në Gaza",- tha Kallas.

Ndërkohë, IDF-ja ka njoftuar hapjen e një kalimi të ri të përkohshëm që do t’u lejojë banorëve të largohen. Kalimi në rrugën Salah al-Din në qendër të rajonit, me drejtim drejt jugut, do të mbetet i hapur nga mesdita e sotme deri në mesditën e së premtes, tha zëdhënësi i IDF-së, Avichay Adraee, në një postim në arabisht në X.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:19
Izraeli: Gaza është një minierë ari për pasuri të paluajtshme që duhet ndarë me SHBA

1757921440_gaza.webp

Ministri i Financave izraelit Bezalel Smotrich ka deklaruar se Rripi i Gazës është një «minierë ari për pasuri të paluajtshme» dhe se po negocion me amerikanët se si ta ndajnë atë pas luftës.

Ka një «bonanza (pasuri e madhe, Shën.) e pasurive të paluajtshme» në Gaza që «vetëfinancohet» dhe «kam nisur tashmë negociatat me amerikanët», ka deklaruar përfaqësuesi i ekstremit të djathtë gjatë një konference të pasurive të paluajtshme në Tel Aviv, ashtu siç kanë raportuar mediat izraelite.

«Kemi investuar shumë para në këtë luftë. Duhet të shohim si do ta ndajmë tokën me përqindje», ka vijuar Smotrich, duke shtuar se «shkatërrimin, fazën e parë të rindërtimit të qytetit, e kemi bërë tashmë. Tani duhet vetëm të rindërtojmë».

Ora 15:41
Papa Leoni: Solidaritet me Gazën, nevojitet një armëpushim

1757835917_papaleonii14.webp

Teksti i plotë i apelit të lexuar nga Papa Leone XIV në audiencën e përgjithshme:

«Shpreh afërsinë time të thellë me popullin palestinez në Gaza, i cili vazhdon të jetojë në frikë dhe të mbijetojë në kushte të papranueshme, i detyruar me forcë të zhvendoset sërish nga tokat e veta. Përpara Zotit të Plotfuqishëm që ka urdhëruar: "Mos vra" (Dal 20,13) dhe përpara gjithë historisë njerëzore, çdo person ka gjithmonë një dinjitet të paprekshëm, që duhet respektuar dhe mbrojtur. Ripërsëris apelin për një armëpushim, për lirimin e pengjeve, për një zgjidhje të negociuar diplomatike, për respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Ftoj të gjithë t’i bashkohen lutjes sime të dhembshur, që të agojë sa më shpejt një agim paqeje dhe drejtësie.»

Ora 14:50
Von der Leyen: Tmerri i përditshëm në Gaza duhet të marrë fund

1757491908_1536x864cmsv2b3393c94afde5b9a9246d1e66f849a839458490.webp

Foto: Ursula von der Leyen 

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka reaguar sërish në lidhje me tmerret që po përjetojnë banorët në Gaza.

"Ngjarjet e tmerrshme që zhvillohen çdo ditë në Gaza duhet të ndalen. Nevojitet një armëpushim i menjëhershëm, qasje e pakufizuar për të gjithë ndihmën humanitare dhe lirimi i të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi. BE-ja mbetet donatori më i madh i ndihmës humanitare. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim fuqimisht zgjidhjen me dy shtete, e cila është minuar nga veprimet e fundit të qeverisë izraelite për ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor", shkroi Ursula von der Leyen në X.

Ora 13:09
Të paktën 16 persona të vdekur nga sulmet izraelite të fundit në Gazë! 10 fëmijë palestinezë evakuohen në Britaninë e Madhe

Të paktën 16 persona kanë vdekur e dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë gjatë sulmeve izraelite të mbrëmjes së djeshme në Rripin e Gazës gjatë sulmit të zgjeruar tokësor të ndërmarrë që prej ditës së djeshme.

Një numër i madh i viktimave përfshijë fëmijë dhe gra shtatzënë, teksa u godit dhe kampi i refugjatëve Nuseirat në Gazën Qëndrore.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) nisën sulmin tokësor ditën e djeshme, në atë që e quajtën një "fazë të re" në përpjekjen e tyre për të shkatërruar Hamasin dhe për të detyruar lirimin e pengjeve të mbetura.

Ndërkohë 10 fëmijë të sëmurë apo dhe të plagosur nga sulmet izraelite janë shpëtuar nëpërmjet një iniciative nga Project Pure Hope dhe janë dërguar në Britaninë e Madhe, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Një grup pune ndërqeveritar ka punuar gjatë javëve të fundit për të koordinuar evakuimin e këtyre fëmijëve, me zyrtarët që e përshkruajnë atë si një "operacion kompleks humanitar".

Zyrtarët britanikë thanë se fëmijët dhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë u evakuuan nga Gaza në Jordani, ku u mbështetën nga stafi i Ambasadës Britanike dhe u kryen kontrolle "të rrepta" sigurie para mbërritjes së tyre në Mbretërinë e Bashkuar.

Sekretari i Jashtëm tha se fëmijët "nuk ishin në gjendje të merrnin kujdesin mjekësor që u nevojitej për të mbijetuar" në Gaza, ndërkohë që një tjetër grup pritet të mbërrijë javët e ardhshme.

Zyrtarët e shëndetësisë në Gaza thonë se gati 65,000 njerëz kanë vdekur në dy vitet e luftës, një shifër që nuk specifikon numrin e anëtarëve të Hamasit të vrarë.

Sulmi terrorist ndaj Izraelit në tetor 2023 vrau rreth 1,200 persona dhe pa 251 të tjerë të marrë peng. Dyzet e tetë prej tyre mbeten në Gaza, por më pak se gjysma mendohet se janë ende gjallë.

Ora 09:35
Forcat izraelite bombardojnë Spitalin e Fëmijëve Al-Rantisi

Forcat izraelite bombarduan Spitalin e Fëmijëve Al-Rantisi në qytetin e Gazës gjatë natës, duke detyruar 40 pacientë të evakuoheshin.

Zyra e shtypit e qeverisë së Hamasit në Rrip raportoi sulmin, duke vënë në dukje se kompleksi në lagjen Nasser u shënjestrua tre herë, me sulme që ndodhën brenda pak minutash nga njëri-tjetri.

"Ky krim riafirmon politikën sistematike të pushtimit izraelit për bllokimin e sistemit të kujdesit shëndetësor", thuhet në deklaratë.

Spitali Rantisi është spitali i vetëm i specializuar në Rripin e Gazës dhe ofron onkologji, dializë dhe specialitete të tjera si sëmundjet e frymëmarrjes dhe të tretjes.

Spitali strehon 80 pacientë, përveç katër njësive të kujdesit intensiv pediatrik dhe tetë njësive të kujdesit intensiv neonatal.