Festat fetare vijnë nga kohët e kohërave, atëherë kur misteri dhe dituria ishin një e të pandara. Kur celularët nuk na kishin rrëmbyer mendjen e sidomos, kur shihnim yjet, bimët, kafshët, tokën si sinjale dhe orientim për jetën tonë.
Pashka, veç mrekullisë së shijimit të njëri-tjetrit dhe familjes, është dhe admirimi i jetës që rilind: i sythave të sapoçelur, i hapjes së vezëve dhe cicërimit të parë të zogjve në pemë. Përqëndrimi dhe gëzimi ynë tek dhuratat e Tokës dhe Natyrës duhet të jetë festa e vërtetë. Pastaj janë priftërinjtë dhe hoxhallarët ata që përmes simboleve, personazheve, riteve na i bëjnë gjërat më të kollajta për t’u festuar dhe për t’i kujtuar.
Festa e Pashkës është një mundësi për ne të gjithë që të besojmë fort tek njëri-tjetri dhe tek ringjallja e ndjenjave, e shpresave, e shëndetit; tek forca e madhe e tejkalimit të asaj që e mendojmë të pamundshme, por që me dashurinë dhe pasionin e pashtershëm, realizohet duke na lënë pa fjalë e plot magji. Adhurimi i Pashkës na mëson se e vjetra ikën për t’u rikthyer më e fortë dhe e transformuar.
Se e reja nuk është përherë e njëjtë dhe shpesh e mbushur me magjinë e të paparashikueshmes. Katolikë, Ortodoksë e Muslimanë, Pashka është zbulim e surprizë për këdo në Shqipëri, një shans universal për t’u bërë më të mirë.
Komente












