TIRANE- Të gjithë trashëgimtarët e ish të dënuarve politikë duhet të paraqesin pranë Ministrisë së Financave vërtetimet e llogarive bankare, si dhe fotokopje të kartave të identitetit, për të bërë të mundur tërheqjen e këstit të dytë të Dëmshpërblimit. Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimit ka bërë me dije se një pjesë e mirë e trashëgimtarëve nuk mund të tërheqin këstin e dytë për shkak se llogaritë e tyre bankare nuk janë më aktive.

Shumë prej tyre nuk i përdorin llogaritë prej muajsh, dhe sipas rregullit të bankës nëse nuk përdoret për 6 muaj me radhë, llogaria personale mbyllet. Drejtoria e Dëmspërblimeve ka bërë me dije se për shumë nga trashëgimtarët, kësti i dytë është kaluar në bankë, por janë kthyer mbrapsht prej saj për shkak se llogaritë nuk rezultojnë më aktive. “Shqiptarja.com” publikon listën me 800 emrat e trashëgimtarëve që kanë përfituar këstin e parë, por që duhet të rifreskojnë informacionin për të tërhequr këstin e dytë.