Personi i vetëm i arrestuar nga prokuroria e Fierit për vrasjen e Denis Kasajt dhe plagosjen e kunatit të tij, Klement Kastrati dhe Elton Margariti, ka refuzuar për të katërtën herë të japë shpjegime për llogari të prokurorisë. 

Memushaj ka hyrë në ditën e 11 që qëndron në qelitë e paraburgimit dhe se nuk ka pranuar të tregojë asnjë gjë rreth asaj, që ndodhi tek kthesa e mullirit të vjetër në fshatin Mbrostar të Fierit, ku u ekzekutua me armë zjari Denis Kasaj dhe u plagosën dy të tjerë. Megjithëse Memushaj vijon të qëndrojë i heshtuar, prokuroria e Fierit ka siguruar prova të tjera kundër tij,pasi në rëfimet e dy të mbijetuarve të pritës së Mbrostarit, ata kënë treguar se Memushaj i ka ndjekur gjatë rrugës dhe për pak çaste ai ka udhëtuar paralelisht me ta,në mënyrë që ti shihte dhe të bindej nëse në automjet ndodhej objektivi i këtij atentati Klement Kastrati.

Dëshmia e të plagosurve
Mirëpo prania e tij në rrugë, nuk ka kaluar pa u vënë re dhe nga të dëmtuarit, të cilët i kanë thënë prokurorëve se ishte pikërisht personi i arrestuar Ilir Memushaj, ai që i kishte ndjekur, i kishte parakaluar tek kthesa e mullirit të vjetër, dhe më pas i kishte zënë rrugën, aty ku segmenti ishte me i ngushtë. Në dëshminë e tyre, të mbijetuarit kanë treguar se për momentin kanë menduar se “Toyota” që drejtohej nga Memushaj i është fikur aksidentalisht pasi dhe segmenti i rrugës ishte malore.Sapo ata kanë ndaluar, benzi i tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një distancë e afërt duke vrarë Denis Kasaj,dhe plagosur Klement Kastrati e Elton Margaritin.

Kërcënimet në burg
Ilir Memushaj, mësohet të ketë marrë mesazhe kërcënuese për jetën, teksa qëndron i izoluar në burgun e Fierit. Memushaj 11 ditë më parë është lënë në masën e “arrestit në burg” si i dyshuar në vrasjen e Denis Kasajt dhe për pasojë ai është transferuar në ambientet e paraburgimit të Fierit. Mirëpo mësohet se pikërisht në këtë paraburgim ai ka marrë kërcënime për jetën e tij, dhe nisur nga kjo situatë, familjarët dhe avokatët e Memushaj kanë kërkuar nga prokuroria dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve që ta transferojnë në një paraburgim tjetër. Nga sa mësohet, në paraburgimin e Fierit ndodhet dhe njëri nga nipat e viktimës Denis Kasaj, i cili mendohet se ka kërcënuar me jetë Ilir Memushaj, por kjo gjë nuk është deklaruar zyrtarisht nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Vetë Memushaj në deklarimet e tij para prokurorëve të Fierit nuk ka pranuar autorësinë e vrasjes së Denis Kasaj dhe plagosjen e Klement Kastratit dhe Elton Margaritit. Sipas tij, ai nuk ka njohje fare me viktimat dhe nuk ka pasur konflikte me ta. Ndërkohë nga ana tjetër prokuroria pretendon se Memushaj ka qenë njeriu që i ka prerë rrugën makinës ku udhëtonin Denis Kasaj, Klement Kastrati dhe Elton Margariti, ndërsa persona të tjerë kanë qëlluar me automatik mbi makinë.

Kamera e sigurisë, morën makinë me qira për të bërë vrasjen
Një kamera sigurie e instaluar në ambientet e brendshme të një agjencie për dhënien e makinave me qira në Tiranë, ka shërbyer për prokurorët e Fierit në identifikimin e Ilir Memushajt, i cili është arrestuar menjëherë nga policia teksa ishte duket udhëtuar në Vlorë me një automjet tip “Audi”. Vlonjati Memushaj është identifikuar si personi që ka marrë me qira automjetin tip “Toyota” tre ditë para vrasjes, i cili u përdor në pritën e ngritur në vendin e quajtur “Kthesa e Mullirit të vjetër”. Burimet i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se makinës tip “Toyota” që është në pronësi të një agjencie për dhënien e makinave me qira në Tiranë, i janë hequr targat shqiptare dhe i janë vendosur targa të huaja.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)