Përfaqësues të lartë të Bankës Botërore do të jenë në Shqipëri për nënshkrimin e marrëveshjes financiare me qeverinë. Firmosja e saj në Tiranë kryhet vetëm pak ditë pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore. Huaja ka si synim të forcojë sistemin rregullator financiar dhe regjimin mbikëqyrës si dhe të zbusë cënueshmërinë e sektorit bankar dhe jobankar.
Huaja mbështet reformat në tri fusha të gjera, ku fusha e parë është rritja e sigurisë financiare, fusha e dytë përshpejtimi i zgjidhjes për kreditë e këqija dhe fusha e tretë, rritja e aspektit rregullator e mbikëqyrës për institucionet financiare jobankare. Huaja 100 milionë dollarë do të lëvrohet me një këst të vetëm dhe ka një periudhë maturiteti 22 vite e gjysëm. Në 7 vitet e para nuk do të paguhet interes. Kjo hua i shtohet asaj prej 331 milionë eurosh të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që Shqipëria do ta përfitojë në tre vite.
Rritja
Banka Botërore e ka ruajtur vlerësimin për rritje 2.1 për qind të ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2014. Banka vlerëson se reformat e nisura gjatë muajve të fundit nga qeveria për konsolidimin e financave publike dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit do të nxisin ekonominë, duke përshpejtuar rritjen e saj. Megjithatë, sipas ekspertëve, rreziqet rreth këtij skenari bazë janë të larta. “Ndër rreziqet kryesore do të përmendja materializimin e një rritjeje më të ulët ekonomike në eurozonë, tërheqjen e kapitaleve nga bankat mëmë dhe rrezikun e sektorit energjitik që mund të ketë implikime të mëdha në ekonomi”, deklaroi Hilda Shijaku, ekonomiste e BB për Shqipërinë, gjatë prezantimit të një studimi të BB për Evropën Juglindore .
Rreziku më i madh për rigjallërimin e ekonomisë mbetet sjellja e bankave dhe dalja nga kriza e kredive. “Pikë së pari ne shpresojmë se disa masa të ndërmarra për kreditë me probleme dhe shlyerja e huave të prapambetura do të rigjallërojnë kredinë. Por rreziku mbetet i lartë”, nënvizoi Shijaku.
Nga ana e saj, shefja e Bankës Botërore në Tiranë, Tahseen Sayed përmendi një tjetër çështje delikate, që lidhet me dështimin e mundshëm të negociatave mes qeverisë dhe CEZ. “Duke qenë se kjo është një çështje negocimi dypalëshe mes qeverisë dhe CEZ do të ishte e papërshtatshme që Banka Botërore të komentojë mbi faktin se në cilin kah janë duke shkuar këto negociata. Por ajo që mund të them është se ne mirëpresim dhe do të shpresonim në një zgjidhje me mirëkuptim të përbashkët, që do të akomodonte të dyja palët dhe kjo është shumë e rëndësishme për mesazhet që do të tejçonte në ambientin e jashtëm”, deklaroi Sayed.
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)